Maqedoni e Veriut, organizohet marsh protestues kundër “vjedhjes së votës shqiptare”

Koalicioni “Tash është koha” i përbërë nga partitë politike Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, organizuan marsh protestues në Shkup kundër “vjedhjes së votës shqiptare” në zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 15 korrik në Maqedoninë e Veriut.

Ky koalicion fitoi 12 nga gjithsej 120 ulëse në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, por vlerëson se ka pasur parregullsi të shumta gjatë procesit zgjedhor. Koalicioni “Tash është koha” dorëzoi edhe dhjetëra ankesa në Komisionin Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), por ato nuk u pranuan.

Thirrjes për marsh protestues iu përgjigjëni mijëra qytetarë, të cilët marshuan nga Parku i Çairit deri te Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Shkup, duke parakaluar edhe para ndërtesës së Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Protestuesit mbanin pankarta me mbishkrime të tilla si “Na varfëruat që t’na bleni”; “Hajnat n’burg, jo n’qeveri”; “Krimi Shtetëror Zgjedhor (KSHZ)”, duke përdorur shkurtesat e Komisionit Shtetëror Zgjedhor.

Në protestë të pranishëm ishin edhe kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, si dhe deputetët e zgjedhur, të cilët u zotuan se do angazhohen për të mbrojtur votën shqiptare.

Liderët e partive politike në fjalën e tyre para të pranishmëve akuzuan KSHZ-në për manipulim dhe vjedhje të votës, duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar “të mos lejojnë që ky vend, sidomos pjesa shqiptare, të bie në diktaturë”.

“Ata që mendojnë se i kanë fituar zgjedhjet, ata e kanë vetëm legalitetin e KSHZ-së e të organeve të drejtësisë që ata vetë i drejtojnë. Por legjitimitetin e shqiptarëve kurrë nuk mund ta kenë, sepse ai i takon këtij populli këtu, ai ju takon juve. Ata duan ta vjedhin këtë legjitimitet nga ne, por ne nuk do të lëshojmë pe”, theksoi Gashi.

“Legjitimiteti ka vetëm një formë për t’u arritur. Legjitimiteti do procedurë demokratike, të drejtë dhe të sinqert. Nuk pranon shantazhin, nuk pranon blerjen, nuk pranon vjedhjen, e aq më pak nuk pranon mbushjen e kutive. Subjektet politike dhe politikanë që i bëjnë këto gjëra, nuk meritojnë respekt”, tha Sela.

Marshi protestues u shoqërua nga forcat policore dhe ajo përfundoi e qetë e pa incidente.

Kujtojmë se më 25 korrik, KSHZ shpalosi rezultatet përfundimtare zyrtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 15 korrik të këtij viti, sipas së cilave koalicioni “Mundemi” (LSDM) fitoi 46 mandate, koalicioni i VMRO-DPMNE-së fitoi 44 mandate, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) fitoi 15 mandate, Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa 12 mandate, E Majta 2 mandate dhe Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) fitoi 1 mandat.

Këto zgjedhje u zhvilluan në kushte të pandemisë së koronavirusit (COVID-19), andaj votimi zgjati tre ditë. Më 13 dhe 14 korrik votuan personat e infektuar me COVID-19 dhe ato në vetizolim, si dhe personat e sëmurë dhe të pafuqishëm, personat në shtëpi pleqsh, të burgosurit dhe personat e zhvendosur në Qendrën e Personave të Zhvendosur. Ndërkaq, më 15 korrik votuan të gjithë qytetarët e tjerë/AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne