Maqedoni: Ligjet diskriminojnë një pjesë të popullit pse flasin shqip

Brohoritje, tentim që zëri i tyre të arrinte në veshin e atyre që duhet të zbatojnë drejtësinë, të penguar nga një numër shumë i madh i forcave policore, gjuajtje gurësh që shkaktonin thyerje xhamash të objektit të gjykatës, ishte kjo protesta kundër vendimit për rastin”Monstra” në korrik të vitit 2014.

Ndërkaq hyrje me dhunë në institucionin ligjvënës, dhunë ndaj të përzgjedhurve të popullit, deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë, gjakosje, madje edhe tentim për vrasje. Këto ishin pamjet skandaloze të protestave të dhunshme të 27 prillit, ndaj të cilave kishte reagime nga e gjithë bota.

Por drejtësia në Maqedoni veproi me standarde të dyfishta, që të dyja palët vishen me  akuzën e njëjtë , “pjesëmarrje në turmë, e cila do të pengojë personin zyrtar në ushtrimin e detyrës ”. Për të mos mbaruar me kaq, të parët dënohen me 3 vite burg, ndërkaq të dytët, për të njëjtën vepër penale, dënohen vetëm me kusht edhe atë vetëm  gjashtë muaj.

Ky vendim i gjykatës ka shkaktuar revoltë tek ata që vuajtën dënimin për pjesëmarrjen në protestat e rastit “Monstra”.Ata pyeten se si mund që ligji të mos vlejë njësoj për të gjithë qytetarët, kur dihet se të gjithë duhet të jenë të barabartë përpara tij dhe si mund që drejtësia në një shtet të jetë për dikë nënë e për të tjerët njerkë. Babai i njërit nga ata që edhe sot e vuan dënimin për protestat e korrikut të 2014-tës, është shumë i zhgënjyer nga vendimi i fundit i Gjykatës.

“Jo rastësisht i kam këto mendime unë, tash në të njëjtin shtet jeton, në të njëjtin shtet kontribuon, ligjet diskriminojnë një pjesë të popullit pse flasin shqip, ndërkaq ata që flasin maqedonisht paramendoje, para krejt botës hyjnë dhe ushtrojnë dhunë ndaj deputetëve dhe dënimi i tyre është me kusht, kurse, dënimi i shqiptarëve, 2 vjet e gjysmë heqje lirie”, thotë Fatmir Abdullai, babai i të dënuarit Adem Abdullai.
Ndërkaq për Arian Rexhepin dhe Enur Iljazin, të cilët kanë vuajtur 2 vite e gjysmë heqje lirie, aq sa i ka habitur vendimi i fundit i gjykatës, aq edhe ka qenë i pritshëm për ta, pasi sipas tyre, drejtësia e “padrejtë” ka qenë ajo që i ka detyruar të dalin në rrugë, dhe po e njëjta pa argumente të mjaftueshme u ka shqiptuar dënimin që e ka vuajtur.

“Gjykimi me 3 vjet burg dhe më pas gjykata e apelit na e ka shkurtuar dënimin për 6 muaj, për të gjithë njëjtë. Kjo nuk është në rregull .E kemi pas veprën penale pjesëmarrje në turmë, e njëjta për të cilën akuzohen këta tani. Faktet nuk i kanë marrë aspak parasysh, edhe pse fakte materiale nuk ka pas as foto as incizim kundër meje as kundër tjerëve”, tha Arian Rexhepi, i dënuar në protestat kundër rastit “Monstra”.

“Më vjen shumë keq. Dikush të flejë 3 vite në burg, plus dënim në të holla, është diskriminim total për shqiptarët. Kur është puna për maqedonasit dënimi është ndër minimumin, neve na kanë dhënë dënime maksimale. Ishalla i veshin mantilat për më të dashurit e atyre, edhe le ta dënoje ashtu siç na kanë dënuar neve pa faj”, tha Enur Iljazi, i dënuar në protestat kundër rastit “Monstra”.
Abdullai, vlerëson se situata do të vazhdojë edhe në të ardhmen të jetë e njëjtë, pasi sipas tij, shqiptarët nuk ka kush t’i mbrojë.

“Mirëpo, neve shqiptarëve nuk ka kush të na mbrojë, nuk ka pas kush të na mbrojë, edhe më e keqja është se as nuk do të ketë kush do të na mbrojë. E them këtë nga pikëpamja se kush mbeti në pushtet, me këta udhëheqës të cilët janë të njëjtit, ky Talat Xhaferi ka qenë pushtetarë kur shqiptarët janë mbyllur nëpër burgje, sa herë që i është kujtuar Gruevskit, e tash do të më bind dikush se i njëjti person do të bëhet i mirë për shqiptarët. Fatkeqësisht, vetëm e keqja është zyrtarizuar ndaj shqiptarëve, unë kështu mendoj”, shprehet Fatmir Abdullai, baba i të dënuarit Adem Abdullai.
Të gjithë nëntë të akuzuarit për dhunën në Kuvend më 27 prill, u dënuan me kusht për pjesëmarrje në turmë e cila do të pengojë personin zyrtar në ushtrimin e detyrës. Dënim më të madh Gjykata i shqiptoi Dimçe Hristovskit të cilit iu shqiptua masa me kusht në kohëzgjatje prej një viti e gjysmë në rast se në pesë vitet e ardhshme nuk përsërit vepër penale. Ndërsa, për të tjerët dënimi me kusht është gjashtë muaj në rast se brenda një viti e gjysmë nuk përsërisin vepër penale.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne