“Maqedonia e Veriut ka bërë përpjekje serioze për përparim në agjendën reformuese”

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov, është takuar me ministrin e Punëve të Jashtme të Qipros Jugore, Nikos Christodoulides, i cili po zhvillon vizitën e parë zyrtare në vend.

Ministrat ralizuan takim dypalësh, pas çka u mbajt takim mes delegacioneve nga të dyja vendet, ndërsa në fund u mbajt edhe një konferencë e përbashkët për media.

“Ne patëm një diskutim të hapur, miqësor dhe të frytshëm, i cili ishte i përqendruar kryesisht në rrugën tonë drejt integrimit evropian dhe përpjekjet tona për të filluar bisedimet për anëtarësim”, tha ministri Dimitrov, duke shtuar se boshllëqet në bashkëpunimin reciprok do të mbushen me bashkëpunim pozitiv në të gjithë sektorët.

Ministri i Punëve të Jashtme i Qipros Jugore, Nikos Christodoulides, theksoi se arsyeja kryesore e vizitës së tij në Maqedoninë e Veriut është që të përçojë porosi të mbështetjes së fuqishme politike nga një vend anëtar i Bashkimit Evropian (BE) për perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut.

Ai gjithashtu theksoi se Maqedonia e Veriut ka bërë përpjekje serioze për përparim në agjendën reformuese dhe ka plotësuar kriteret, duke shtuar se tani e ka radhën BE-ja.

Sipas tij, ekziston interesim i madh nga ana e afaristëve në Qipron Jugore që të investojnë në Maqedoninë e Veriut.

“Ekziston interesim i madh nga ana e afaristëve që të investojnë në vend dhe jam i kënaqur që kemi rënë dakord të zhvillojmë një forum biznesi në Shkup dhe Nicosia dhe gjithashtu të nënshkruajmë një marrëveshje për të shmangur taksat e dyfishta”, tha Christodoulides.

Kryediplomati i Qipros Jugore sot gjatë ditës u takua edhe me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, si dhe me kryeministrin teknik Oliver Spasovski./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne