Maqedonia e Veriut shtyn gjendjen e jashtëzakonshme për 14 ditë, Presidenti kundër qeverisë

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski ka shtyrë gjendjen e jashtëzakonshme në vend për shkak të koronavirusit, edhe për 14 ditë të tjera dhe jo 30 ditë, siç ishte kërkuar nga qeveria.

Ndër arsyet kryesore për këtë vendim, Pendarovski përmendi masat ekonomike dhe sociale që duhet të miratohen në këtë periudhë, shkruajnë mediat vendase.

Presidenti mohoi që shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme te ketë lidhje me caktimin e datës së zgjedhjeve, ndërsa theksoi se KSHZ-ja do të organizojë zgjedhje kurdo që partitë ta vendosin atë.

“Ata do t’i përshtaten asaj që do të kërkojë politika. Ata veprojnë sipas ligjeve, në këtë situatë, sipas Dekreteve. KSHZ-ja nuk është kompetente për të treguar se kur duhet të ketë zgjedhje. Nëse politikanët thonë të ketë nesër-pasnesër, ata thonë se do t’i zbatojnë sipas dispozitave ligjore”- deklaroi President Stevo Pendarovski.

Pendarovski tha se është kundër zgjedhjeve pa monitorues ndërkombëtarë.
“Pa monitorim ndërkombëtar nuk dua as të mendoj për zgjedhje, nuk do të marr pjesë në to dhe si institucion që mbaj llogari për demokracinë.

Presim të fillojmë negociata me BE-në dhe nëse nuk kemi verifikim ndërkombëtar për gjithë procesin zgjedhor nuk mund të llogarisim të fillojmë bisedimet me BE-në”, pohoi Stevo Pendarovski.

/ REL

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne