Shkruan: Salim Kadri Kerimi, Shkup, Maqedoni
Historia nuk është mjet për të dëshmuar epërsinë etnike, as bazë për pretendime ekskluzive ndaj shtetit. Ajo duhet të shërbejë si nxitje për mirëkuptim të ndërsjellë, respekt dhe ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët.
Në fjalimin që kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), zotëri Ali Ahmeti, mbajti më 1 nëntor 2026 në fshatin Bërvenicë, me rastin e fitores të kandidatit të partisë së tij në zgjedhjet e parakohshme lokale në Komunën e Bërvenicës, mes tjerash deklaroi se: “Maqedonia nuk është as e Hristijanit as e Branko Cërvenkovskit, Maqedonia është atdheu i shqiptarëve që janë autokton…“
Kjo deklaratë, të cilën z. Ali Ahmeti e ka bërë edhe në raste të tjera, ngre një çështje thelbësore që i tejkalon kornizat e polemikave të politikës së përditshme: kujt i përket Maqedonia dhe mbi çfarë argumentesh historike, shkencore dhe qytetëruese mbështeten pretendimet për „autoktoni ekskluzive“ të bashkësive të caktuara etnike? Me fjalë të tjera, a mund të pranohet si i vërtetë pretendimi se, “Maqedonia nuk është as e Hristijanit as e Branko Cërvenkovskit, Maqedonia është atdheu i shqiptarëve që janë autokton…“? Sipas mendimit tim, patjetër se jo. Ja pse.
Në shkrimin tim të mëparshëm, me titull „Miti mbi autoktoninë ekskluzive“, i publikuar në këtë medium më 21 nëntor 2025, kam theksuar tashmë se pretendime të tilla janë thellësisht problematike dhe shkencërisht të pabazuara, kur përdoren për të vendosur hierarki ndërmjet popujve ose për të dëshmuar të drejtën ekskluzive mbi një territor të caktuar. Proceset historike, antropologjike dhe qytetëruese nuk lejojnë interpretime kaq të thjeshta dhe njëkuptimëshe. Me fjalë të tjera, historia nuk njeh popuj që kanë të drejtë ekskluzive mbi një shtet të caktuarë.
Historianët britanikë Eric Hobsbawm dhe Terence Ranger, në veprën e tyre të njohur „The Invention of Tradition“ (1983), e shtjellojnë tezën mbi të ashtuquajturat „tradita të shpikura“. Ata vënë në dukje se një pjesë e traditave, të cilat në shoqëritë bashkëkohore paraqiten si trashëgimi të lashta, të pandryshueshme dhe me vazhdimësi të pandërprerë historike, në të vërtetë janë formësuar ose rindërtuar në rrethana më të vona historike. Kjo qasje ka rëndësi të veçantë në analizimin e nacionalizmave bashkëkohore, përfshirë edhe ata në Ballkan. Idetë për „origjinë të pastër“, vazhdimësi të pandërprerë historike dhe lashtësi më të madhe të një populli në raport me një tjetër, shpesh përdoren si instrumente për mobilizim politik dhe për legjitimimin e pretendimeve të caktuara kombëtare.
Sipas mendimit tim, historia nuk paraqet garë në të cilën popujt duhet të dëshmojnë se kush ka ardhur më herët, kush i ka rrënjët më të thella ose kush ka më shumë të drejtë mbi tokën ku jeton. Ballkani, si hapësirë e migrimeve shekullore, e kontakteve kulturore, e ndikimeve fetare, e ndërveprimeve të ndërsjella dhe e bashkëjetesës, është një shembull veçanërisht i qartë i kompleksitetit të proceseve historike. Prandaj, çdo thjeshtëzim i së kaluarës dhe përshtatje e saj me nevojat politike bashkëkohore mund të krijojë perceptime të gabuara për realitetin historik dhe ta thellojë mosbesimin ekzistues ndëretnik.
Nga këndvështrimi i antropologjisë dhe paleoantropologjisë bashkëkohore, teoria „Out of Africa“, e zhvilluar dhe e mbështetur nga një numër i madh studimesh shkencore, dëshmon se specia moderne njerëzore ka origjinë të përbashkët afrikane dhe se popullatat e saj janë përhapur gradualisht në kontinentet e tjera. Kjo qasje shkencore na rikujton një të vërtetë të thjeshtë, por thelbësore: dallimet e sotme etnike, kombëtare dhe kulturore janë rezultat i proceseve të gjata historike, demografike dhe qytetëruese. Ato nuk përbëjnë dëshmi për ndonjë epërsi të natyrshme dhe të paracaktuar të një bashkësie ndaj një tjetre.
Edhe nga këndvështrimi fetar, njeriu nuk është pronar absolut i Tokës dhe i gjithçkaje që ekziston në të, por qenia e tij dhe shfrytëzimi i pasurive të saj janë të kufizuara në kohë. Në këtë kuptim, njerëzit janë vetëm shfrytëzues të përkohshëm të asaj që i përket Krijuesit, pra Zotit të Plotfuqishëm. “Të Allahut janë ç’ka në qiej dhe ç’ka në tokë dhe vetëm te Allahu kthehen çështjet” (Kurani Kerim, Ali Imran/109).
Natyrisht, autoktonia historike, në kuptimin shkencor, ka domethënie konkrete gjeografike dhe kohore dhe nuk duhet të barazohet me origjinën e përbashkët të njerëzimit. Megjithatë, ajo që duhet të kundërshtohet pa mëdyshje është instrumentalizimi i saj politik, përkatësisht përpjekja që prania historike e një bashkësie etnike të shndërrohet në të drejtë ekskluzive mbi shtetin dhe institucionet e tij.
Në këtë kontekst, është veçanërisht e rëndësishme të theksohet se Maqedonia, ashtu si çdo vend tjetër në botë, nuk mund të trajtohet si pronë e një bashkësie të vetme etnike. Ajo është shtet dhe shtëpi e përbashkët e të gjithë qytetarëve të saj, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike, fetare, gjuhësore apo kulturore.
Me fjalë të tjera, maqedonasit, shqiptarët, turqit, romët, torbeshët, vllehët, boshnjakët, serbët dhe pjesëtarët e bashkësive të tjera janë pjesë përbërëse e realitetit të saj të sotëm shoqëror, kulturor dhe historik. Secila prej këtyre bashkësive ka historinë, traditën, gjuhën, trashëgiminë kulturore dhe kontributin e vet në zhvillimin e shtetit. E drejta e tyre për një jetë dinjitoze, barazi, ruajtjen e identitetit të tyre dhe pjesëmarrje në jetën politike e shoqërore nuk buron nga fakti se kush është „më i hershëm“ apo „më autokton“, por nga të drejtat qytetare, rendi kushtetues dhe parimet demokratike mbi të cilat duhet të mbështetet çdo shtet bashkëkohor.
Pikërisht për këtë arsye, kur një lider politik deklaron se Maqedonia është atdheu i shqiptarëve, sepse ata janë autoktonë, duke vënë njëkohësisht në pikëpyetje mundësinë që edhe bashkësitë e tjera etnike ta konsiderojnë Maqedoninë atdheun e tyre, është e domosdoshme të shtrohet pyetja: a kontribuon një retorikë e tillë në forcimin e bashkëjetesës dhe unitetit, apo, përkundrazi, krijon distanca të reja etnike?
Pa dyshim, shqiptarët kanë prani historike në territorin e Maqedonisë së sotme dhe janë pjesë e pandashme e saj. Këtë askush nuk duhet ta vërë në dyshim. Por, po ashtu, askush nuk ka të drejtë ta përdorë praninë historike të shqiptarëve si argument për të pretenduar të drejtë ekskluzive mbi shtetin, ashtu siç asnjë bashkësi tjetër etnike nuk duhet të pretendojë një të drejtë të tillë.
Përgjegjësia e liderëve politikë nuk qëndron vetëm në fitimin e votave dhe përmbushjen e pritshmërive të elektoratit të tyre. Ajo nënkupton edhe kujdesin në përzgjedhjen e fjalëve, veçanërisht kur bëhet fjalë për çështje të ndjeshme historike, kombëtare dhe ndëretnike. Në një shoqëri multietnike siç është ajo maqedonase, mesazhet politike duhet të kontribuojnë në ndërtimin e besimit, respektit dhe përgjegjësisë së përbashkët, e jo të nxisin garë për lashtësi historike apo për të dëshmuar përkatësinë etnike të shtetit.
Maqedonisë nuk i nevojiten ndarje të reja, as interpretime politike të historisë që krijojnë ndjenjën se dikush është më shumë zot shtëpie, ndërsa dikush tjetër më pak i mirëpritur në shtetin e vet. Ajo ka nevojë për politikanë të përgjegjshëm, hulumtime shkencore të pavarura, dialog të sinqertë ndërmjet qytetarëve dhe respektim të dallimeve.
Antropologu francez Claude Lévi – Strauss, në reflektimet e tij mbi diversitetin kulturor, mes tjerash, e thekson rëndësinë e komunikimit ndërkulturor dhe të respektit të ndërsjellë. Vlera e një kulture nuk duhet të matet vetëm sipas lashtësisë së saj, por edhe sipas aftësisë për të komunikuar dhe bashkëjetuar me kulturat e tjera. Ky është një mesazh i rëndësishëm për çdo shoqëri, përfshirë edhe për shoqërinë maqedonase, në të cilën dallimet nuk duhet të perceptohen si pengesë, por si pasuri qytetëruese.
Në fund, dëshiroj të theksoj se autoktonia, kur përdoret si argument për të drejtë ekskluzive ose të vetme mbi një territor të caktuar, nuk përbën bazë shkencore që mund ti justifikojë pretendimet politike bashkëkohore. Historia e njerëzimit është histori e lëvizjeve, migrimeve, kontakteve kulturore, ndikimeve të ndërsjella dhe bashkëjetesës, e jo histori e kufijve etnikë të pandryshueshëm. Askush nuk duhet të heqë dorë nga historia e vet, identiteti kombëtar, gjuha, kultura apo tradita. Përkundrazi, ruajtja e tyre është një e drejtë legjitime e çdo bashkësie. Por kjo e drejtë nuk duhet të shndërrohet në mohim e të tjetrëve, e as në përpjekje për vendosjen e një hierarkie etnike.
Maqedonia, si çdo shtet tjetër, duhet të jetë një shtet në të cilin çdo qytetar i saj do të ndihet i barabartë, i respektuar dhe i sigurt; një shtet në të cilin askush nuk do të detyrohet të dëshmojë se është „më autokton“ për të pasur të drejtën ta konsiderojë atë atdheun e vet. Prandaj, në vend që të debatojmë se kujt i përket Maqedonia, duhet ta pyesim veten se çfarë mund të bëjmë së bashku për të ardhmen e saj. Në vend që ti matim rrënjët historike, duhet të ndërtojmë ura bashkëkohore besimi dhe bashkëpunimi.
Maqedonia nuk është pronë ekskluzive as e maqedonasve, as e shqiptarëve, e as e ndonjë bashkësie tjetër etnike. Ajo është shtëpi e përbashkët e të gjithë qytetarëve të saj. E ardhmja e saj nuk duhet të mbështetet mbi mite të epërsisë etnike dhe të autoktonisë ekskluzive, por mbi barazinë, respektin e ndërsjellë, demokracinë dhe përgjegjësinë e përbashkët. Kjo nuk është vetëm një qëndrim politik, por një përcaktim qytetërues dhe një parakusht për ndërtimin e një shteti të qëndrueshëm, demokratik dhe të begatë.














