Maria Butina është e burgosur politike, e arrestuar nën akuza të rreme

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë Maria Zaharova komentoi dje situatën lidhur me arrestimin e një shtetaseje ruse nga autoritetet amerikane:

“Po ndjekim me vëmëndje situatën rreth shtetases ruse Maria Butina të arrestuar më 15 korrik në SHBA. Ju kujtoj se kundër saj janë ngritur akuza të rreme se ka vepruar si “agjente e huaj”.

Këto ditë diplomatët e Ambasadës ruse në Uashington vizituan sërish Marian dhe konstatuan se kushtet, në të cilat ajo mbahet, e thënë butë, lënë për të dëshiruar. Qëndrimi ndaj saj është si ndaj një krimineli të rrezikshëm. Ajo është vendosur në një dhomë izolimi nën mbikëqyrje 24-orëshe. Në hyrje të dhomës së saj të izolimit vazhdimisht bëjnë roje mbikëqyrësit, të cilët, ndër të tjera, natën, në mënyrë të përsëritur, hynin me forcë “për kontroll”, ndiznin dritën dhe nuk e linin të flinte. Në ambjentin ku mbahet shtetasja ruse është shumë ftohtë. Racioni i ushqimit është shumë i varfër. Në dallim nga të burgosurit e tjerë, Maria Butina është e privuar nga mundësia për të shëtitur jashtë. Të gjitha këto çështje i janë paraqitur palës amerikane.

Duke marrë parasysh qëndrimin qartazi me paragjykime dhe të papranueshëm ndaj shtetases së Rusisë, përfaqësuesit e Ambasadës zhvilluan një takim me drejtuesit e burgut, gjatë të cilit tërhoqën vëmëndjen e këtyre të fundit ndaj ankesave të Marias dhe kërkuan korrigjimin e menjëhershëm të kësaj situate. Gjithashtu, një kërkesë përkatëse zyrtare për këtë çështje u është dërguar autoriteteve amerikane.

Këmbëngulim në pafajësinë e Marias. Për këtë kanë folur avokatët e saj, dhe unë do të doja ta theksoja edhe një herë. Akuzat në adresë të saj thjesht janë të privuara nga një gjykim i shëndoshë. Si dëshmi të rreme përdoret korrespondeca e saj personale në rrjetet sociale, prej nga janë shkëputur fraza të veçanta, të cilave përpiqen t’u japin një kuptim të shtrembëruar. Është e dukshme që shtetasja ruse nuk ka kryer asnjë krim, ndërsa çështja kundër saj është thjesht e fabrikuar, e kushtëzuar vetëm nga grindje të ashpra në politikën e brendshme të SHBA-ve dhe përpjekja për të hedhur hije mbi vendin tonë.

Kjo na jep baza të plota për të konsideruar bashkatdhetaren tonë një të burgosur politike. Presim që komuniteti ndërkombëtar, strukturat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut t’i kushtojnë vëmendje arbitraritetit të dukshëm që po ndodh në SHBA.

Kërkojmë të ndërpritet kjo përndjekje e pabazuar ndaj Maria Butina dhe të sigurohet kthimi i saj në Atdhe sa më shpejt”.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne