Shqiperia

Marina kolumbiane zbulon gënjeshtrat e Edi Ramës për kokainën

Pas kapjes së 613 kilogram kokaine në Maminas, kryeministri Edi Rama krijoi një debat politik, kur replikoi me opozitën, presidentin dhe gazetarët se gjoja sasia gjigande e kokainës që zbriti në Durrës, u kap nga Hetimi Doganor.

Fabula e gënjeshtrës ishte se nga fillimi deri në fund, ky ishte një aksion i autoriteteve shqiptare, që kishin zbuluar dyshemenë e dyfishtë të kontenierit, kishin njoftuar policinë, organizuar aksionin, vëzhguar magazinën në Maminas dhe se kishin kapur në fund 613 kg kokainë.

Pjesë e gënjeshtrës u bë edhe Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj që iu desh të korrigjojë vetveten për falenderimet e agjensive të tjera. Pjesë e gënjeshtrës u bënë edhe zyrtarë të tjerë të policisë apo doganave që akuzonin gazetarët, se nuk besonin që ata kishin qenë të aftë të zbulonin një ngarkesë të tillë kokaine dhe ta kapnin atë.

Por ky version ka rënë nga një njoftim që Marina Kombëtare Kolumbiane ka nxjerrë për 613 kilogram kokainë që u kapën në Durrës. Në këtë deklaratë thuhet qartë se në operacion morën pjesë jo vetëm Marina Kombëtare Kolumbiane, por edhe agjensi të tjera të huaja ku bën pjesë edhe ajo shqiptare.

Roli i policisë shqiptare ka qenë që të jepte goditjen e fundit, për bllokimin e kokainës, pasi kontenieri ndiqej përgjatë gjithë udhëtimit nga Kolumbia. Marina kolumbiane shpjegon se kokaina u ble për 37 milion euro në Kolumbi dhe pagesa iu bë Kartelit të Golfit.

“Gjatë një operacioni të koordinuar me pjesëmarrjen e Marinës Kombëtare Kolumbiane, agjencitë ndërkombëtare dhe Policinë Shqiptare, në portin e Durrësit, në Shqipëri u konfiskuan 613 kilogramë hidrokloruri kokainë.

Droga e konfiskuar u gjet e fshehur në një kontenier me dysheme të dyfishtë të ngarkuar me banane që ishte nisur nga Kolumbia. Njoftimi i Marinës Kombëtare të Kolumbisë thotë se anija kaloi në disa porte europiane para se të mbërrinte në destinacion në portin e Durrësit.

Kokaina u kap falë informacionit të administruar nga agjensitë pjesëmarrëse që i dhanë mundësinë policisë shqiptare të organizojë një plan për kapjen e sasisë së drogës, në pronësi të një kompanie shqiptare.

Gjatë operacionit thuhet në njoftimin e autoriteteve italiane u kapën dy persona: shoferi i kamionit dhe nëpunësi i kompanisë. Gjithashtu policia shqiptare shpalli në kërkim pronarin e kompanisë, që shpreson ta kapë pas bashkëpunimit me policitë e tjera” thuhet në njoftim.

OPINIONE

INTERVISTA