Marrëdhëniet turko-shqiptare në kohën e Ataturkut (Pjesa e 14-të)

Në artikullin e javës së kaluar folëm për kryengritjet shqiptare sipas lajmeve të botuara në gazetën “Sabah” të kohës. Kurse në këtë shkrim do të vazhdojmë me të njëjtën temë dhe do të trajtojmë kërkesat e shqiptarëve drejtuar Portës së Lartë (qeverisë osmane) dhe Komisionin Hetimor që qeveria dërgoi në rajon për të biseduar me prijësit shqiptarë.

Me shtimin e kryengritjeve në Shqipëri Qeveria Osmane fillon e kërkon rrugëzgjidhje për të përcaktuar situatën në rajon duke u njohur fillimisht me kërkesat e banorëve të rajonit. Me këtë synim dhe për të ndihmuar qeverinë në marrjen e masave parandaluese merret vendim për ngritjen e një komisioni hetimor, vendim ky i shprehur edhe në vullnetin e padishahut dhe i miratuar nga ky i fundit. Në këtë situatë korrespondenti lëvizës i gazetës “Yeni Asır” (Shekulli i Ri) i dërgon nga Prishtina gazetës “Sabah” me seli në Stamboll një letër, e cila përmban kërkesën për dërgimin e një komisioni në rajon[1]. Në 17 korrik Dhoma e Deputetëve (të Parlamentit Osman) cakton me detyrë Komisionin e Hetimit për të shkuar në rajon. Ky komision udhëhiqet nga anëtari i Senatit Osman, Sulejman Pasha dhe përbëhet nga Ismail Hakiu nga Manastiri dhe ish-valiu i Selanikut Danish Efendiu[2].

Komisioni i caktuar me detyrë nga Stambolli nëpër stacione pritet nga një grup i madh shqiptarësh[3]. Kurse 30 mijë shqiptarë të armatosur nga Prishtina dhe rrethinat e qytetit i komunikojnë ish-valiut të Selanikut Danish Efendiu dhe Anëtarit të Senatit Sulejman Pasha (të dy anëtarë të Komisionit) besnikërinë e tyre (ndaj Portës së Lartë) duke brohoritur “Rroftë Padishahu”. Pas pritjes pozitive që iu bë Komisionit në Prishtinë, hapen edhe dyqanet në çarshi dhe pazaret e sanxhakut. Vetëm se paria e Prishtinës kërkon shpërndarjen me çdo kusht të parlamentit osman (Meclisi Mebusan)[4].

Më pas në krye të Delegacionit Hetimor për Shqipërinë (vilajetet shqiptare) vendoset Mareshali Ibrahim Pasha, i cili në stacionin e trenit në Ferizaj pritet me mjaft ngrohtësi dhe sinqeritet nga rreth 3-4 mijë shqiptarë. Në mbledhjen që bëri këtu në Konakun e Qeverisë me udhëheqësit vendorë Ibrahim Pasha deklaron se shpërndarja dhe ndryshimi i Dhomës së Deputetëve (Parlamentit) do të mund të bëhet vetëm në kuadër të ligjeve dhe u këshillon prijësve shqiptarë që të kenë durim dhe të ruajnë qetësinë. Vetëm se deklarata e Ibrahim Pashës në Prishtinë shkakton edhe zemërim[5].

Anëtarët e Komisionit të dërguar në Shqipëri, Danish Efendiu dhe Sulejman Pasha shkojnë në Kosovë dhe në Konakun e Qeverisë mbajnë një mbledhje me më shumë se 150 përfaqësues të parisë së 4 sanxhaqeve dhe 24 kazave të vilajetit të Kosovës. Nga Prishtina Danish Efendiu me Sulejman Pashën i dërgojnë një telegraf Kryeministrit në Stamboll. Sipas njoftimit të bërë telegrafisht pjesëmarrësit në mbledhje janë lutur për Padishahun dhe Unitetin e Shtetit Osman dhe për të qetësuar trazirat kërkojnë nga Padishahu që të shpërndajë brenda 48 orëve parlamentin, të cilin e quajnë të jashtëligjshëm[6]. Grupi i armatosur i mbledhur në Prishtinë deklaron ndër të tjera se “në qoftë se shpërbërja e parlamentit nuk bëhet brenda dyzet e tetë orëve, kryengritësit shqiptarë do të vazhdojnë marshimin drejt Shkupit”[7]. Gazeta “Sabah” kërkesat e shqiptarëve të hartuara pas bisedimeve që Komisioni Qeveritar osman zhvilloi me liderët shqiptarë i boton në numrin e datës 16 gusht. Sipas gazetës këto kërkesa janë:[8]:

-Administrata gjyqësore në vend të ligjeve aktualisht të pa-zbatueshme të hartojë e zbatojë ligjin e malit,

-Shqiptarët shërbimin ushtarak ta kryejnë në Rumeli (pjesa evropiane e perandorisë),

-Qeveria të shpërndajë (rikthejë) armët,

-Të emërohen nëpunës që njohin zakonet dhe gjuhën vendore,

-Në qendrat e vilajeteve të Kosovës, Manastirit, Janinës dhe Shkodrës dhe në sanxhakët me tre qind mijë banorë të hapen shkolla reale e bujqësore të ngjashme me Shkollën Bujqësore të Selanikut dhe të përfshihet në programet e këtyre shkollave edhe mësimi i gjuhës së vendit,

– Lejimi për hapjen e shkollave private në Shqipëri,

-Mësimi i gjuhës së vendit në shkollat fillore,

-Ndërtimi i hekurudhave, rrugëve me çakëll dhe zhvillimi i punëve botore duke krijuar administratën nëpër krahina,

-Nxjerrja në gjyq e pjesëtarëve të kabinetit të Haki dhe Said Pashës,

-Shpallja e faljes së përgjithshme për të gjithë të arratisurit (dhe pjesëmarrës në lëvizjen kundër qeverisë),

-Zhdëmtimi i shtëpive të djegura e të shkatërruara.

Sipas gazetës “Sabah” kërkesat e përgjithshme prej 14 pikash të shqiptarëve janë pranuar nga ana e qeverisë[9].

Në 23 gusht gazeta “Sabah” nën titullin “Vetëpërmbajtja e Shqiptarëve” publikon pikat e marrëveshjes së arritur ndërmjet prijësve shqiptarë dhe komisionit të qeverisë osmane[10]. Sipas kësaj duke qenë se ligji i maleve bazohet në gjakmarrje dhe çdo fis dhe fshat ka kanune të posaçme, një ndryshim i ligjeve ekzistuese nuk do të kishte asnjë vlerë. Qeveria osmane pranoi që shqiptarët shërbimin ushtarak ta kryenin në pjesën perëndimore të Shtetit Osman, me përjashtim të kohës së luftës. Çështja e armëmbajtjes do të zgjidhej sipas një procedure që do të shikohej si e arsyeshme nga qeveria. Duke qenë se popullsia që jetonte në Shqipëri ishte e përbërë nga elementë të ndryshëm, nuk do të kishte nevojë që nëpunësit të zotëronin gjuhën shqipe. Shkollat bujqësore do të hapen dhe mësimi i gjuhës shqipe nëpër shkolla do të ishte i mundur. Gjuha zyrtare e mësimdhënies nëpër shkolla do të ishte turqishtja, por do të mësohej edhe gjuha shqipe. Ndërtimi i hekurudhave dhe rrugëve me çakëll ishte i domosdoshëm për zhvillimin e vendit, vetëm se në lidhje me këtë çështje ishin përdorur shprehje të përgjithshme. Për sa i përket qëllimit në organizimin administrativ të komunave (nahijeve), edhe pse kemi të bëjmë me një djallëzi për të kaluar nga administrata qendrore drejt decentralizimit, nuk është i qartë synimi me të cilin është hedhur një ide e tillë. Për sa i takon asaj se çfarë do të bëhet me pjesëtarët e kabinetit të Haki dhe Said Pashës, kjo është lënë në dorën e qeverisë. Për sa i përket çështjes së zhdëmtimeve, shkruan gazeta, kjo pikë është shprehur me terma shumë të përgjithshëm.

Siç shkruan gazeta, qeveria në vijim të kësaj deklarate ka shtuar edhe interpretimin e saj. Sërish sipas gazetës është mjaft e rëndësishme (substanciale) që përcaktimi i parimeve dhe procedurave të nevojshme për armëmbajtjen të lihet në dorën e qeverisë, të veprohet sipas pëlqimit të Portës së Lartë. Komisioni Qeveritar (Delegacioni Hetimor) i kryesuar nga Ibrahim Pasha në bisedimet që udhëhoqi me shqiptarët, tregoi një mendjemprehtësi të jashtëzakonshme duke vërtetuar se fama e vjetër e Osmanlinjve në politikën e brendshme ishte e vërtetë[11]. Në të vërtetë një vit më parë shqiptarët e krishterë si pasojë e kryengritjeve kishin siguruar disa privilegje, ndërsa tani shqiptarët myslimanë duke ngritur krye kishin arritur të fitojnë disa prej kërkesave të tyre[12].

Kërkesat e parashtruara nga delegacioni shqiptar dhe të pranuara pas shqyrtimit nga ana e qeverisë i komunikohen Kryetarit të Komisionit Hetimor, Mareshalit Ibrahim Pasha. Valiu i Kosovës, Galip Pasha shkon në Shkup dhe lexon para popullit dekretin e sulltanit dhe pastaj mban një fjalim të bukur përpara nëpunësve të administratës[13].

Pas pranimit të kërkesave të shqiptarëve ndodh një zhvillim i papritur. Në një telegraf të dërguar nga Kosova në 14 dhe 15 gusht thuhet se 10-15 mijë shqiptarë të mbledhur në qytetin e Shkupit kanë hapur burgun dhe liruar të burgosurit dhe më pas kanë nisur marshimin drejt Selanikut. Në mbledhjen e 15 gushtit Dhoma e Deputetëve (Parlamentit Osman) kërkon nga Ibrahim Pasha që të marrë masat e duhura dhe të kundërpërgjigjet me forcë [14].

Dhoma e Deputetëve në vendimin që mori ditën e 19 gushtit 1912 në lidhje me shqiptarët tërheq vëmendjen se në rast të shpërndarjes së (rikthimit të) armëve shqiptarëve kjo do të kishte efekte negative në Evropë, për arsye se nga një situatë e tillë do të kishte dëme popullata jo-myslimane. Si përfundim pranohet që në vend të pushkëve të shpërndahen nga 3 lira floriri për çdo armë të mbledhur. Madje parlamenti kërkon që Ministri i Mbrojtjes Nazim Pasha të shkojë në Shkup dhe të pengojë marshimin grupeve të shqiptarëve drejt Veleshit dhe Selanikut. Përballë kësaj vendosmërie të Portës së Lartë turma shqiptare fillon e shpërndahet. Vetëm se këtë herë janë elementët e krishterë ata që fillojnë e kërkojnë nga Shteti Osman të drejtat që u ishin dhënë shqiptarëve myslimanë[15].

Gazetës “Sabah” i dërgohet një letër e firmosur nga 19 figura të njohura nga krahina të ndryshme, në mesin të cilëve ish-deputeti i Shkupit Said Beu, Riza Beu dhe Ahmet Mernuzi nga paria e Gjakovës, Bahri Beu nga paria e Pejës, Bekir Sadiku nga paria e Prishtinës. Në këtë letër shqiptarët përshkruhen si një popull trim dhe i guximshëm që Shtetin (Osman) e kanë shpëtuar gjithmonë nga rreziqet dhe si shpërblim i kësaj ata vazhdimisht janë shtypur, goditur e shkatërruar. Shqiptarët janë pragu i besnikërisë së kalifit dhe osmanizmit, bëjnë të ditur ata përmes letrës dhe hedhin poshtë akuzat që u ngarkohen shqiptarëve nëpër gazeta (përmenden emrat e disa gazetave të kohës si “Tanin”, “Tercüman” dhe “Balkan”). Autorët e letrës pasi pohojnë se e presin nga Zoti ndëshkimin e xhonturqve (anëtarët e Komitetit për Bashkim dhe Përparim në qeveri), të cilët u drejtojnë shqiptarëve akuza të paqena, ndërsa deklarojnë se kanë dhënë besën për t’u bërë ballë agresioneve të armikut si një trup i vetëm me fuqinë dërrmuese të ushtrisë vigane osmane[16].

U përgatit nga: Dr. Halil Özcan (Pedagog i lëndës “Parimet e Ataturkut dhe Historia e Revolucionit Turk” në Universitetin “Baskent” në Ankara.)

U përshtat në shqip nga: Serdar Hüseyni

Burimet dhe literatura kryesore:

BAYUR, Yusuf Hikmet, Türk İnkılâbı Tarihi Cilt:II, Türk Tarih Kurumu Basımevi, Ankara, 1991.

Gazeta “Sabah”,26 Korrik 1912, fq.2.

Gazeta “Sabah”,31 Korrik 1912, fq.2.

Gazeta “Sabah”,18 Korrik 1912, fq.2.

Gazeta “Sabah”,7 Gusht 1912, fq.2.

Gazeta “Sabah”,17 Gusht 1912, fq.1.

Gazeta “Sabah”,16 Gusht 1912, fq.2.

Gazeta “Sabah”,16 Gusht 1912, fq.2.

Gazeta “Sabah”,23 Gusht 1912, fq.2.

Gazeta “Sabah”,23 Gusht 1912, fq.2.

Gazeta “Sabah”,16 Gusht 1912, fq.2.

Gazeta “Sabah”,27 Shtator 1912,fq.2.

[1]Gazeta “Sabah”, 26 Korrik 1912, fq.2.

[2] Yusuf Hikmet Bayur, Türk İnkılâbı Tarihi Cilt:II, Türk Tarih Kurumu Basımevi, Ankara, 1991,,fq.284-285.

[3]Gazeta “Sabah”, 31 Korrik 1912, fq.2.

[4]Gazeta “Sabah”, 18 Korrik 1912, fq.2.

[5]Gazeta “Sabah”, 7 Gusht 1912, fq.2. lajmi i korrespondentit të “Yeni Asır”.

[6]Gazeta “Sabah”, 7 Gusht 1912, fq.2.

[7]Gazeta “Sabah”, 17 Gusht 1912, fq.1.

[8]Gazeta “Sabah”, 16 Gusht 1912, fq.2.

[9]Gazeta “Sabah”, 16 Gusht 1912, fq.2.

[10]Bayur, po aty,fq.318-320.

[11]Gazeta “Sabah”, 23 Gusht 1912, fq.2.

[12] Bayur, po aty,fq.320.

[13]Gazeta “Sabah”, 16 Gusht 1912, fq.2.

[14] Bayur, po aty,fq.320-321.

[15] Bayur, po aty,fq.322-323.

[16]Gazeta “Sabah”, 27 Shtator 1912,fq.2.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne