Marrëdhëniet Turko-Shqiptare në Kohën e Ataturkut (Pjesa e 15-të)

Në shkrimin e kaluar shqyrtuam kërkesat e shqiptarëve drejtuar Qeverisë Osmane si dhe komisionin qeveritar që Porta e Lartë kishte dërguar në rajon për të biseduar me shqiptarët. Përmes këtij artikull do të mundohemi të trajtojmë mbështetjen e jashtme që u është dhënë trazirave në Shqipëri sipas reflektimeve që u është bërë këtyre zhvillimeve në gazetën “Sabah” të kohës.

Shteti Osman nga njëra ishte në luftë me Italinë në Tripoli, nga ana tjetër detyrohet t’u bëjë ballë edhe kryengritjeve dhe trazirave të brendshme politike. Kurse në Shqipëri, vend ku gjatë këtij procesi kemi kryengritje të shpeshta, prijësit shqiptarë bien në sy me planet që janë duke bërë me qëllim për të siguruar mbështetje të jashtme, kryesisht nga Evropa. Në fund të vitit 1911 shqiptarët mblidhen në Stamboll me nismën e Ismail Qemal Bej Vlorës dhe bien dakord për të filluar një kryengritje të përgjithshme, e cila do të fillojë nga Kosova dhe më pas do të përfshijë edhe trevat e tjera. Sipas vendimeve të marra në këtë mbledhje Hasan Prishtinës i ngarkohet detyra e realizimit të përgatitjeve në Kosovë, kurse Ismail Qemali do të vizitojë kryeqytetet evropiane për të kërkuar mbështetje materiale dhe armë për kryengritjen. Pas shpërndarjes së Dhomës së Deputetëve (të Parlamentit Osman) me iniciativën e Unionistëve, Ismail Qemali shkon në Evropë, kurse Hasan Prishtina niset për në Kosovë[1].

Italia për të tërhequr drejt Shqipërisë vëmendjen e ushtrisë osmane, me të cilën ishte në luftë, përpiqet që të mbajë në rendin e ditës kryengritjet që kishin filluar këtu. Gazeta “Sabah” e datës 29 gusht në shkrimin me titull “Gjenda në Shqipëri” tërheq vëmendjen në mbështetjen që u jep Italia kryengritjeve shqiptare. Gazeta kritikon politikën botuese dhe përkrahjen e shtypit perëndimor, me në krye atë italian, ndaj kryengritjeve në Shqipëri, duke i trajtuar këto trazira në median e kohës. Sipas gazetës turke “Sabah”, Evropa po përzihet në punën e brendshme (të Shtetit Osman) dhe historia nuk ka për ti falur ata që janë bërë shkaktarë dhe vegël e kësaj. Kryengritjet në Shqipëri kryesisht përbëhen dhe gëzojnë ndihmën (mbështetjen) e huaj, shkruan gazeta dhe shton se puna e madhe që kanë bërë “vëllezërit tanë shqiptarë” në shpalljen e Kushtetutës së Dytë nuk mund të mohohet nga askush. Gazeta tërheq vëmendjen gjithashtu në përgjegjësinë e madhe që ka qeveria e vjetër (Komiteti Bashkim dhe Përparim) në shpërthimin e kryengritjeve shqiptare[2].

Ndërkohë që Shteti Osman vazhdonte të ishte në luftë me Italinë në Tripoli qeveria e Malit të Zi vazhdon ta rrisë edhe më shumë ndihmën dhe mbështetjen ndaj kryengritësve shqiptarë. Duke qenë se Mbreti i Mali të Zi është vjehërri i Mbretit të Italisë, Mali i Zi me Italinë mundohen të tërheqin vëmendjen dhe forcat e Shtetit Osman në rajon (Ballkan) duke mbështetur kryengritjen që kishte filluar në Shqipërinë e veriut[3]. Kështu vihen në lëvizje malësorët që tashmë e kishin filluar të bashkëpunonin me Malin e Zi dhe në datën 29 korrik 1912 organizojnë bastisje ndaj kullave në kufirin Tuz-Guci dhe ndërmjet Shkodrës dhe Tuzit. Disa nga këto postëkomanda pushtohen dhe zaptohen armët e rreth 400 ushtarëve që ruanin kufirin. Kjo kryengritje pasohet nga sulmet e Malit të Zi në 2 gusht të po këtij viti. Në krahinat e Mojkovaçit dhe Kolashinit ndërmjet reparteve ushtarake turke dhe malazeze zhvillohen luftime të ashpra të mbështetura edhe me zjarr artilerie[4].

Qeveria e Malit të Zi mbështetjen e saj ndaj kryengritësve shqiptarë e vazhdon duke i furnizuar ata me armë për të luftuar dhe duke u njohur malësorëve edhe të drejtën e strehimit me qëllim për të mos u kapur nga forcat qeveritare turke. Qeveria Osmane, kur e shikon se qeveria e Malit të Zi i mbështet hapur disa nga pjesëmarrësit e kryengritjeve në Shqipëri, i jep urdhër ambasadorit të saj në Çetine, Rustem Beut, që të bëjnë ndërhyrjet e duhura diplomatike pranë Ministrit të Punëve të Jashtme të Malit të Zi[5].

Një nga diplomatët (e huaj) me një detyrë të rëndësishme në Çetine në ato vite tërheq vëmendjen në politikën me prapavijë ruse dhe me mbështetjen e Moskës që ndjek Mali i Zi kundër Shtetit Osman. Sipas këtij diplomati, duke qenë se një luftë frontale ndërmjet Turqisë dhe Malit të Zi nuk do të ndodhë pa ardhur më parë nga Rusia një sinjal në këtë drejtim, ngjarjet në kufirin e Malit të Zi duhet të pranohen si raste sporadike, pra incidente të rëndomta. Po i njëjti diplomat në raportet e tij shprehet se në qoftë se vritet një malazez, haku merret duke vrarë patjetër 3 turq[6].

Dhe në muajt në vijim kryengritjet në Shqipërinë e Veriut dalin jashtë kontrollit. Ushtarët e Malit të Zi vazhdojnë provokacionet dhe sulmet e bastisjet në kufirin turk. Sulmohet post-xhandarmëria prej qerpiçi në kufi përreth Gurit të Kuq, e ndërtuar me mundin e ushtarëve osmanë dhe e vënë në punë një javë më parë. Pas këtij presioni në orën dhjetë e gjysmë të darkës fillon një përleshje e ashpër me armë, e cila vazhdon deri në orën dy të mëngjesit. Përveç kësaj malazezët vazhdojnë të hapin zjarr provokues kundër kullave të vrojtimit në kufi[7].

Aty nga fundi i muajit shtator shtohen akoma edhe më shumë sulmet e malësorëve, të cilët sulmojnë nga të gjitha dhe i dërgojnë nota proteste Portës së Lartë në Stamboll. Sipas lajmit të gazetës “Sabah” të kohës, Shkodra gjendej nën një rrethim të tillë, madje xhandarët (zabitët) qëlloheshin për vdekje brenda në çarshinë e qytetit. Gazeta “Sabah” e shikon të nevojshme që në fund të lajmit të ndajë me lexuesit edhe këtë shënim: “Megjithëse përmbajtja e letrës (së ardhur nga Shqipëria) është mjaft e ekzagjeruar, ne e shohim të arsyeshme që ti tërheqim vëmendjen Portës së Lartë në lidhje me këtë çështje”[8] .

Në një kohë që në Shqipërinë e Veriut kryengritja vazhdonte, në Shqipërinë e Jugut grekët mundohen që të përfitojnë nga situata. Dhe kjo zë vend edhe në numrat e gazetës “Sabah” të datave 28 dhe 29 gusht. Sipas shqiptarëve, grekët janë vrasësit e Kadri Beut, një nga patriotët e Shqipërisë[9]. Në lajmin e kësaj gazete, të dhënë nën komentin “Greku dhe Shqipëria”, grekët protestojnë shqiptarizimin e Epirit dhe kërkojnë ndërhyrjen e qeverisë greke. Përveç kësaj gazetat greke pretendojnë që shqiptarët e ekzagjerojnë shumë çështjen e “Epir”-it dhe fillojnë e shkruajnë se ruajtja e paqes do të jetë e pamundur në qoftë se Evropa nuk arrin ti japë një zgjidhje kësaj çështjeje”. Shtypi grek i kohës kërkon ndërhyrjen faktike (de facto) të qeverisë për të mbrojtur të drejtën kombëtare në Epir[10].

Kurse Qeveria Osmane sa do që përmes një deklarate zyrtare që bën shprehet se ngjarjet në Shqipëri janë ekzagjeruar, vihet re që në lidhje me këtë çështje vlerësime dhe komente vijnë edhe nga jashtë shtetit. Ish-kryeministri i Serbisë, Pasiç, thotë se politika në Ballkan është e turbullt dhe në deklaratat që bën Moskë jep informacione mbi kryengritjet në Shqipëri. Sipas Pasiç-it, kryengritjet kanë arritur në një fazë të rrezikshme dhe shqiptarët janë ulur në tryezën e bisedimeve me Shtetin Osman për të fituar disa të drejta dhe në një situatë të tillë çetat e Tiranës janë në pritje të momentit më të përshtatshëm. Ish-kryeministri në fjalë thotë ndër të tjera se Serbia interesohet nga afër me situatën në Shqipëri, për faktin se në Kosovë serbët jetojnë bashkë me shqiptarët [11].

Peshkopi katolik në Shëngjin thotë se në Shqipëri nuk do të ketë kryengritje të re për sa kohë që nuk do të ketë shtypje e presion mbi popull. Përveç kësaj Peshkopi shprehet se gjendja e popullatës shqiptare është e mjerueshme dhe nuk kursehet të thotë se pas festës së bajramit pritet një masakër e re dhe përdor këto fjalë[12]:

“Shqiptarët, që nuk kërkojnë asgjë tjetër përveç të drejtave të tyre, këtë herë do të marshojnë drejt Shkupit, do të dalin vetëm në mal dhe do të tregojnë një rezistencë të fuqishme. Vetëm se në qoftë se Turqia përballet me një luftë armiqësore, shqiptarët nuk do të ngurrojnë që të turren bashkë me atë (Turqinë) mbi armikun.”

Në shtypin anglez të kohës qarkullon një lajm mbi torturimin deri në vdekje nga ushtarët osmanë të njëzetë fshatarëve të krishterë në komunat e Lezhës dhe Shkodrës. Ambasada e Shtetit Osman në Londër këtë lajm e hedh poshtë me anë agjencisë telegrafike të “Royter”-it[13]. Konsujt bullgarë dhe grek në Shën Petërburg i drejtohen qeverisë ruse dhe kërkojnë prej saj ndihmë, që të drejtat që do t’u jepen shqiptarëve t’u jepen edhe të krishterëve që jetojnë në Rumeli (pjesën evropiane të perandorisë)[14].

Lajmet e kryengritjeve që vinin nga Shqipëria shkaktojnë telashe dhe kokëçarje edhe në Bejrut. Telegrafi i datës 26 qershor 1912 i dërguar nga populli i Bejrutit, në gazetën “Sabah” botohet nën titullin “Ftesë për të refuzuar përçarjen dhe pranuar logjikën”. Sipas këtij lajmi, populli i Bejrutit shpreh shqetësimin që ndjen për kryengritjen e armatosur në Shqipëri, e cila është një nga kalatë më të rëndësishme në kufirin e Osmanizmit dhe Islamizmit dhe i fton ata që kanë ngritur krye ti kthehen arsyes”[15].

Ndërkohë që po ndodhnin të gjitha këto zhvillime populli i Tripolit, që ishte në luftë me Italinë, i dërgon gazetës “Sabah” një letër që mban datën 26 korrik, por duke qenë se ishte dërguar me postë kishte mbërritur shumë vonë në Stamboll. Në këtë letër thuhet se tragjedia në Shqipëri do të ketë efekte negative mbi myslimanët[16]. (vazhdon)

U përgatit nga: Dr. Halil ÖZCAN (Pedagog i lëndës “Parimet e Ataturkut dhe Historia e Revolucionit Turk” në Universitetin “Baskent” në Ankara.)

U përshtat në shqip nga: Serdar HÜSEYNİ

Burimet dhe literatura kryesore:

BAYUR, Yusuf Hikmet, Türk İnkılâbı Tarihi Cilt:II, Türk Tarih Kurumu Basımevi, Ankara, 1991.

ÖZCAN, Halil, Atatürk Dönemi Türkiye-Arnavutluk İlişkileri, Atatürk Araştırma Merkezi, Ankara, 2011.

SÖNMEZ, Banu İşlet, II. Meşrutiyette Arnavut Muhalefeti, Yapı Kredi Yayınları, İstanbul, 2007.

Gazeta “Sabah”, 29 Qershor 1912, fq.1.

Gazeta “Sabah”, 4 Korrik 1912, fq.2.

Gazeta “Sabah”, 30 Gusht 1912, fq.1.

Gazeta “Sabah”, 31 Gusht 1912,fq.1.

Gazeta “Sabah”, 16 Shtator 1912, fq.2.

Gazeta “Sabah”, 28 Gusht 1912, fq.2.

Gazeta “Sabah”, 29 Gusht 1912, fq.2.

Gazeta “Sabah”, 2 Korrik 1912, fq.2.

Gazeta “Sabah”, 16 Shtator 1912, fq.2.

Gazeta “Sabah”, 29 Shtator 1912, fq.2.

Gazeta “Sabah”, 10 Korrik 1912, fq.1.

[1] Banu İşlet Sönmez, II.Meşrutiyette Arnavut Muhalefeti, Yapı Kredi Yayınları, İstanbul, 2007, fq. 189-190.

[2]Gazeta “Sabah”, 29 Qershor 1912, fq.1.

[3] Halil Özcan, Atatürk Dönemi Türkiye-Arnavutluk İlişkileri (1920-1938), Atatürk Araştrıma Merkezi, Ankara, 2011, fq.14.

[4] Yusuf Hikmet Bayur, Türk İnkılâbı Tarihi Cilt:II, Türk Tarih Kurumu Basımevi, Ankara, 1991,fq.315-316.

[5]Gazeta “Sabah”, 4 Korrik 1912, fq.2.

[6]Gazeta “Sabah”, 30 Gusht 1912, fq.1.

[7]Gazeta “Sabah”,31 Gusht 1912,fq.1.

[8]Gazeta “Sabah”, 16 Shtator 1912, fq.2.

[9]Gazeta “Sabah”,28 Gusht 1912, fq.2.

[10]Gazeta “Sabah”, 29 Gusht 1912, fq.2.

[11]Gazeta “Sabah”, 2 Korrik 1912, fq.2.

[12]Gazeta “Sabah”,16 Shtator 1912, fq.2.

[13]Gazeta “Sabah”,29 Shtator 1912, fq.2.

[14] Bayur, po aty,fq.324.

[15]Gazeta “Sabah”,10 Korrik 1912, fq.1.

[16]Sabah, 29 Gusht 1912, fq.2.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne