Historia Opinion

Marrëdhëniet Turko-Shqiptare në Kohën e Ataturkut (Pjesa e 21-të): Përse nuk e njohu Shteti Osman pavarësinë e Shqipërisë?

Përse nuk e njohu Shteti Osman pavarësinë e Shqipërisë?

Në pranverën e vitit 1912 shqiptarët fillojnë një kryengritje të përgjithshme dhe kërkesa e shqiptarëve për “autonomi” nga Shteti Osman pranohet më 4 shtator 1912[1]. Vetëm se liderët shqiptarë nuk mbeten të kënaqur me autonominë që u ishte dhënë. Ndërkohë që kishin filluar bisedimet e armëpushimit të Luftës së Parë Ballkanike, Shqipëria më 28 nëntor 1912 shpall pavarësinë. Ismail Qemali, arkitekti i kësaj pavarësie, në këtë proces i njofton Fuqitë e Mëdha se Shqipëria do të mbajë qëndrim asnjanës në Luftërat Ballkanike[2]. Në këtë kohë në Shqipëri gjenden drejtuesit e administratës së Shtetit Osman dhe ushtarët që vazhdojnë të mbrojnë territoret shqiptare, si në rastin e Shkodrës. Në këtë situatë nuk pranohet propozimi i Shtetit Osman për të vazhduar bashkëpunimin me Shqipërinë, të paktën derisa të qartësohet statusi i Shqipërisë, dhe kjo për faktin se Shteti Osman nuk i kishte dhënë ende fund prezencës së tij në Shqipëri. Për shkak të rifillimit të Luftës Ballkanike kjo gjendje e turbullt vazhdon edhe më vonë.

Në 16 dhjetor 1912 në Londër fillon punimet Konferenca e Shteteve Luftuese me pjesëmarrjen e Shteteve të Ballkanit dhe Shtetit Osman. Një ditë më vonë, më 17 dhjetor 1912, me nismën e Ministrit të Punëve të Jashtme të Anglisë mblidhet Konferenca e Ambasadorëve me pjesëmarrjen e Ambasadorëve të Francës, Gjermanisë, Austro-Hungarisë, Italisë dhe Rusisë në Londër dhe çështja e Shqipërisë përfshihet në agjendën e Konferencës. Në sesionin e Konferencës mbajtur më 20 dhjetor 1912 autonomia e Shqipërisë pranohet me kusht që ajo të jetë nën suzerenitetin e padishahut osman, e garantuar dhe e mbikëqyrur nga gjashtë Fuqitë e Mëdha. Në mbledhjen e datës 28 dhjetor 1912 të Konferencës së Vendeve Luftuese, mbajtur pas vendimit të mësipërm, merret vendimi që Shqipëria të ketë një strukturë administrative autonome, por me kusht që në krye të saj të caktohet një princ nga dinastia osmane. Edhe pala osmane nga ana e saj e pranon këtë dhe deklaron se do të respektojë pikëpamjet e Fuqive të Mëdha mbi Shqipërinë[3]. Ndërkaq ushtarët dhe nëpunësit turq vazhdojnë të kryejnë detyrat e tyre në territoret shqiptare.

Ndërkohë që në Londër vazhdojnë negociatat për të ardhmen e Shqipërisë, Komanda e Ushtrisë Perëndimore Osmane i bën të ditur Stambollit se shpallja e pavarësisë së Shqipërisë ka shkaktuar paqartësi tek nëpunësit e administratës osmane dhe në popull, si dhe detyrohet ta pyesë Portën e Lartë mbi rrugën që do të ndiqet pas këtyre zhvillimeve. Në datën 22 dhjetor 1912 pyetjes së Komandës së Ushtrisë Perëndimore, Këshilli i Ministrave i përgjigjet duke i thënë se duke qenë se çështja e dhënies së autonomisë Shqipërisë ka marrë formën e prerë, deri në arritjen e marrëveshjes së paqes nëpunësit e administratës dhe ushtarakët duhet të vazhdojnë të qëndrojnë në detyrë siç është vepruar deri më tani.

Afërsisht 5 javë nga ky zhvillim Qeveria Osmane përmes një telegrafi dërguar më datë 29 janar 1913 bën të ditur se e ka njohur autonominë e Shqipërisë dhe i njofton nëpunësit me detyrë në rajon se do të ishte e përshtatshme që flamuri shqiptar të ngrihej në shtizë bashkë me flamurin osman. Mirëpo Qeveria Shqiptare e Vlorës nuk e merr seriozisht këtë telegraf[4]. Madje në një telegram të Kryeministrit Osman drejtuar Ismail Qemalit, nga ky i fundit kërkohet ndihmë dhe përkrahje për ushtarët osmanë me qëllim për ti dhënë fund Luftës së Dytë Ballkanike që vazhdonte në përputhje me interesat e Shqipërisë dhe të Qeverisë Osmane[5]. Por Ismail Qemali nuk e plotëson as këtë kërkesë të Shtetit Osman.

Esat Pashë Toptani, i cili mori në dorë komandën e garnizonit pas vrasjes më 30 janar 1913 të Hasan Riza Pashës, i cili udhëhiqte mbrojtjen e Shkodrës nga malazezët dhe serbët, ushtarët shqiptarë i dërgoi në shtëpi, ndërsa ata turq i dërgoi me anije për në Stamboll. Në të vërtetë kështu ishte ndërprerë edhe marrëdhënia e deritanishme ndërmjet Shtetit Osman dhe Shqipërisë[6].

Në fund të negociatave që gjata që u zhvilluan në Londër, më 29 korrik 1913 Konferenca e Ambasadorëve deklaron vendimin e prerë për Shqipërinë. Sipas këtij vendimi, duke filluar që nga kjo datë Shqipëria do të pranohet si një shtet i pavarur dhe do të mbajë një qëndrim asnjanës nën kontrollin dhe garancinë e gjashtë Fuqive të Mëdha. Përveç kësaj përvetësohet ideja që për dhjetë vite me radhë Shqipëria të drejtohet nga një komision ndërkombëtar i përbërë nga shtatë vetë, ku një delegat do të jetë shqiptar, ndërsa gjashtë të tjerët do të jenë nga Fuqitë e Mëdha. Përveç kësaj vendoset që komisioni i përbërë nga shtatë vetë të kontrollojë të gjitha punët që kanë të bëjnë me administrimin e vendit dhe financat publike. Kurse në krye të shtetit do të vendoset një princ, i cili do të caktohet nga shtetet që përfaqësohen në këtë komision ndërkombëtar. Gjithashtu pranohet që ndërmjet Shtetit Osman dhe Shqipërisë nuk ka mbetur më asnjë lidhje suzereniteti. Vetëm se Konferenca e Ambasadorëve për këtë vendim nuk e njofton menjëherë Shtetin Osman. Si rrjedhim edhe Shteti Osman nuk e njeh pavarësinë e Shqipërisë. Në procesin në vijim, për rreth dhjetë vjet Shqipëria vazhdon rrugën e saj duke mos pasur asnjë lidhje me Shtetin Osman, përveç historisë së përbashkët 500-vjeçare[7].

Duke qenë se Shteti Osman nuk e njeh Shqipërinë, fillon e shfaqet problemi i ndarjes së shpenzimeve për telegrafët që të dyja vendet i dërgonin njëri-tjetrit. Në mars të 1922 Qeveria e Zvicrës i dërgon Portës së Lartë një njoftim, ku i bën të ditur kërkesën për pranimin edhe të Shqipërisë në konventat e rregulloret e Unionit të Shërbimit Universal Postar, anëtar i të cilit ishte edhe Shteti Osman. Nga ana tjetër Qeveria Osmane angazhohet për njohjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe në lidhje me këtë çështje fillon punimet Zyra Juridike pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme. Dhe Zyra Juridike konstaton se pavarësisht që pavarësia e Shqipërisë është pranuar me vendimin e datës 29 korrik 1913 të gjashtë Fuqive të Mëdha, Ministria osmane e Punëve të Jashtme për këtë është vënë në dijeni më 11 gusht 1913. Ministria e Jashtme i bën të ditur Kryeministrisë se si datë për njohjen e pavarësisë së Shqipërisë duhet pranuar data 11 gusht 1913. Në fakt brenda këtij procesi (pas datës 11 gusht 1913) në veprimet e letërkëmbimit në mënyrë të heshtur ka pasur edhe raste që është njohur pavarësia e Shqipërisë. Por pavarësisht të gjitha këtyre, për shkak të mos-vendosjes së marrëdhënieve zyrtare ndërmjet dy shteteve dokumentet e vërtetuara nga Qeveria Shqiptare nuk pranohen si të vlefshme nga Porta e Lartë. Si shembull këtu mund të japim këtë: Zyra Juridike e Portës së Lartë në datën 19 gusht 1920 me arsyetimin se nuk e njeh Qeverinë e Shqipërisë pranon si të pavlefshme një dokument të përpiluar në emër të Qeverisë Shqiptare nga Gjykata e Gjirokastrës, pavarësisht se nënshkrimet dhe vula që mban ky dokument janë të vërtetuara nga Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë[8].

Dhoma e Deputetëve të Shtetit Osman në seancën e 13 gushtit 1922 e shikon të arsyeshme pjesëmarrjen e Shqipërisë në Unionin e Shërbimeve Universale Postare. Përveç kësaj Marrëveshja e datës 26 qershor 1922 e Qeverisë së Shqipërisë për Shërbimet Konsullore firmoset nga Ministri i Punëve të Jashtme të Shtetit Osman më 26 gusht 1922 dhe kështu Shteti Osman vërteton që Shqipëria është një shtet i pavarur[9].

Arsyeja në dukje e mos-njohjes zyrtarisht të Shqipërisë nga Shteti Osman është se Konferenca e Ambasadorëve nuk i kishte bërë të ditur Portës së Lartë vendimin përfundimtar lidhur me Shqipërinë. Përveç kësaj në mos-njohjen e Shqipërisë në procesin e shpalljes së pavarësisë nga Shteti Osman kanë ndikuar edhe Luftërat Ballkanike, Lufta e Parë Botërore si dhe pushtimi dhe kryengritjet e brendshme me të cilat u përball Shteti Osman pas Luftës së Parë Botërore. Në këtë proces, kur ndërmjet Shtetit Osman dhe Shqipërisë i kemi të ndërprera lidhjet zyrtare, të dyja vendet detyrohen të angazhohen me probleme serioze si brenda ashtu dhe jashtë. Marrëdhëniet e pavendosura ndërmjet Shtetit Osman dhe Shqipërisë do të fillojnë të rindërtohen në periudhën e Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë (TBMM).

Para se ta përfundojmë artikullin do të ishte e dobishme të flasim edhe për lajmet mbi Mbretërinë Shqiptare, një çështje që e intereson dhe Shtetin Osman. Çështja e Mbretërisë Shqiptare vazhdon të jetë një pikë e agjendës së Fuqive të Mëdha edhe pas Luftës së Parë Botërore. Gazetat italiane të kohës shkruajnë se në Shqipëri do të shpallet mbretëria dhe se kandidati më i fuqishëm për fronin e mbretit është Princ Seyiti, i arsimuar në Angli dhe i martuar me një italiane[10]. Përveç kësaj pretendohet se mbret në fronin e Shqipërisë do të vijë princi rumun, Nikolla[11]. Sipas informacionit të dokumenteve arkivore të datave 4 dhe 13 korrik 1923 ndërmjet Anglisë dhe Italisë janë realizuar dy takime për të caktuar në krye të Shqipërisë si mbret Padishahun Osman, Vahidettin[12]. (vazhdon)

U përgatit nga: Dr. Halil ÖZCAN (Pedagog i lëndës “Parimet e Ataturkut dhe Historia e Revolucionit Turk” në Universitetin “Baskent” në Ankara.)

U përshtat në shqip nga: Serdar HÜSEYNİ

Burimet dhe literatura kryesore:

BARTL, Peter,Milli Bağımsızlık Hareketleri Esnâsında Arnavutluk İslâm Ansiklopedisi, Türkiye Diyanet Vakfı, İstanbul 1991, fq. 387.

GÖNEN, Yasemin Saner, “Babıâli Arnavutluk’u Neden 9 Yıl Resmen Tanımadı?”, Revista “Toplumsal Tarih”, nëntor 1999.

Gazeta “Milliye”, 2 gusht 1923, fq. 4.

KÜLÇE, Süleyman, Firzovik Toplantısı ve Meşrutiyet, Ticaret Basımevi, İzmir, 1944.

Müslümanları (1878-1912), Çev., Ali Taner, Bedir Yayıncılık, İstanbul, 1998.

TİTE Arşivi, kutu no:52, gömlek no:75, belge no:75.

TİTE Arşivi, kutu no:41, gömlek no:185, belge no:185.

ÖZCAN, Halil, Atatürk Dönemi Türkiye-Arnavutluk İlişkileri, Atatürk Araştırma Merkezi, Ankara, 2011.

SKENDİ, Stavro, The Albanian National Awakening 1878-1912, Princeton University Press Printecton New Jersoy, 1967.

Gazeta “Vakit”, 22 gusht 1920, fq.1.

[1]İslâm Ansiklopedisi, Türkiye Diyanet Vakfı, İstanbul 1991, fq. 387.

[2]Yasemin Saner Gönen, “Babıâli Arnavutluk’u Neden 9 Yıl Resmen Tanımadı?”,Toplumsal Tarih Dergisi, Kasım 1999, fq. 4. Stavro Skendi, The Albanian National Awakening 1878-1912, Princeton University Press Printecton New Jersoy, 1967,fq. 463.

[3]Gönen, po aty, fq. 4-5.

[4]Süleyman Külçe, Firzovik Toplantısı ve Meşrutiyet, Ticaret Basımevi, İzmir, 1944, fq. 433.

[5]Gönen, po aty, fq. 5.

[6]Halil Özcan, Atatürk Dönemi Türkiye-Arnavutluk İlişkileri (1920-1938), Atatürk Araştırma Merkezi, Ankara, 2011, fq.18.

[7]Peter Bartl,Milli Bağımsızlık Hareketleri Esnâsında Arnavutluk Müslümanları (1878-1912), Çev., Ali Taner, Bedir Yayıncılık, İstanbul, 1998, fq. 315.

[8]Gönen, po aty, fq. 6.

[9]Gönen, po aty, fq. 6-7.

[10] Gazeta “Vakit”, 22 Gusht 1920, fq.1.

[11] Gazeta “H.Milliye”, 2 Gusht 1923, fq. 4.

[12]TİTE Arşivi, kutu no:52, gömlek no:75, belge no:75, TİTE Arşivi, kutu no:41, gömlek no:185, belge no:185.