Marrëdhëniet Turko-Shqiptare në Kohën e Ataturkut (Pjesa e 24-t)

Nisma e rëndësishme e Ataturkut për shpëtimin e Shqipërisë nga pushtimet e huaja (vijon nga numri i kaluar).

Për arsye të Çështjes së Orientit, Turqia me Shqipërinë kishin qenë dy vendet që kishin humbur më shumë territore në Rumeli. Të dyja vendet gjatë procesit të krijimit të qeverisjeve (regjimeve) të reja u detyruan të luftojnë edhe me përkrahësit e sulltanatit e kalifatit. Të dyja vendet u copëtuan me marrëveshjet e fshehta që u bënë para fillimit të Luftës së Parë Botërore dhe pas mbarimit të Luftës u pushtuan nga shtetet imperialiste dhe mashat e tyre. Të dyja vendet u detyruan të luftojnë në tokat e tyre edhe një herë për të qenë të pavarura. Ky proces rastis në një periudhë, kur Shteti Osman përballet me luftën e fundit dhe rrënimin që solli më pas pjesëmarrja në luftë. Turqit dhe shqiptarët në këtë periudhë i kishin humbur mbështetjen reciproke dhe lidhjet me njëri-tjetrin në nivelin qeveritar, por lidhjet në nivel individual ata i vazhdojnë duke u mbështetur në miqësinë dhe besimin që u jepte atyre bashkëjetesa pesëshekullore. Në këtë kuadër nisma që ndërmerr Ataturku në vitin 1918 për shpëtimin e Shqipërisë nga pushtimet si dhe arsyeja e kësaj nisme është një shembull me shumë vlera.

Ataturku, i cili ishte lindur, rritur dhe pjekur në zonën e Maqedonisë, ku turqit me shqiptarët ishin shkrirë me njëri-tjetrin, madje kishin krijuar edhe lidhje familjare me njëri-tjetrin, pas përfundimit të detyrës në Damask më 16 shtator 1907 emërohet pranë Armatës së Tretë me qendër në Selanik të Maqedonisë. Përveç detyrës kryesore që kishte në Shtabin e Armatës së Tretë i shtohet edhe detyra e inspektorit të hekurudhës Selanik-Shkup. Gjatë kryerjes së këtyre detyrave Musfata Qemali gjen shansin të njihet me ata që ishin bashkuar me lëvizjen opozitare kushtetuese në fazën e shpalljes së Kushtetutës së Dytë dhe të debatojë me këta mbi zhvillimet e fundit. Mustafa Qemali bëhet dëshmitar se si organizata Komiteti për Bashkim dhe Përparim pas Shpalljes së Kushtetutës shndërrohet gjithnjë e më shumë në një strukturë politike. Në këto rrethana Mustafa Qemali shpreh mendimin për largimin e pjesëtarëve të ushtrisë nga Komiteti për Bashkim dhe Përparim.

Në këtë proces më 13 janar 1909 Mustafa Qemali emërohet në krye të Shtabit të Divizionit III të Rezervistëve dhe caktohet me detyrën e Shefit të Shtabit të Forcave të Hysejin Hysni Pashës, i cili ishte dërguar në Stamboll për të shtypur kryengritjen reaksionare të 31 Marsit[1]. Ministri i Luftës në këtë periudhë, Mahmut Shefket Pasha kur shkon për të shtypur kryengritjet që kishin shpërthyer në Shqipëri (tetor 1910) me vete si Shef Shtabi merr Mustafa Qemalin, i cili në atë kohë ishte me detyrë Komandant i Regjimentit të 38-të të Këmbësorisë në Selanik[2]. Kështu Mustafa Qemal gjen rastin të njohë nga afër terrenin e Shqipërisë.

Në këtë periudhë shoqatat turke dhe shqiptare në Maqedoni angazhohen me veprimtari kombëtare dhe shoqërore. Aktivitetet si dhe botimet progresiste në rajon ndiqen nga afër edhe nga Mustafa Qemali, edhe nga shqiptarët. Madje në një ceremoni të organizuar në darkë për të festuar Festës e Shpalljes së Kushtetutës së Dytë (Festën e Lirisë) Mustafa Qemali zhvillon një bisedë të sinqertë me Bajram (Bajo) Topullin dhe Mihal Gramenon, të dy veprimtarë të shquar shqiptarë. Në këtë bashkëbisedim Mustafa Qemali lavdëron shërbimin që kanë dhënë shqiptarët gjatë shpalljes së Kushtetutës dhe thekson rëndësinë që ka vëllazëria turko-shqiptare. Marrëdhëniet e Mustafa Qemalit me intelektualët shqiptarë vazhdojnë edhe në periudhat e mëvonshme. Ndërkaq edhe intelektualët shqiptarë ndjekin nga afër dhe me interes veprimtaritë ushtarake, politike, kombëtare, socio-politike dhe demokratike të Ataturkut[3].

Mustafa Qemali në këtë rajon kishte kaluar pothuajse gjysmën e jetës së tij dhe dëshira që i buronte nga zemra ishte që jo vetëm Shqipëria, por të gjithë popujt e Ballkanit të shpëtonin nga lojërat e shteteve imperialiste dhe të jetonin si një shtet kombëtar dhe i pavarur me të gjitha të drejtat. Mustafa Qemali beson se popujt e Ballkanit, të cilët për shekuj me radhë kanë jetuar së bashku dhe janë shkrirë me njëri-tejtrin, duhet të jenë të lidhur në një aleancë të fortë, dhe madje duhet të jenë në unitet dhe të bashkuar me njëri-tjetrin. Kur të vijë koha Mustafa Qemali mendimet e tij në lidhje me këtë temë do ti bartë edhe në fazën e veprimit dhe do të përpiqet për miqësinë e Turqisë edhe me Shqipërinë edhe me të gjitha Shtetet e tjera të Ballkanit. Në mesin e këtyre përpjekjeve të Mustafa Qemalit ajo që spikat më shumë pa dyshim është nisma e tij për t’u ardhur në ndihmë shqiptarëve ndërkohë që vazhdonte ende Lufta e Parë Botërore.

Duke u nisur nga pozita që kishte në Ballkan ekzistencën e një shteti kombëtar dhe të pavarur shqiptar Ataturku e shikon si zhvillim të rëndësishëm në aspektin e të ardhmes së të gjithë Ballkanit dhe Turqisë. Madje Ataturku kur ndodhej për kurim mjekësor në Karlsbad (maj-korrik 1918), e gjen rastin dhe shkon deri në një vend afër kufirit me Shqipërinë dhe kërkon që të ndihmojë ata që punonin për hartimin e një plani për mbrojtjen e Shqipërisë dhe për pavarësinë e Shqipërisë. Dhe tani le të flasim pak se si erdhi në rend të ditës çështja e ndihmës.

Ali Shefket Beu, i cili kishte qenë oficer shtabi në ushtrinë osmane dhe që në Selanik kishte punuar bashkë me Ataturkun, gjatë Luftës Ballkanike qëndron në Shqipëri dhe përveç detyrave të tjera kryen edhe detyrën e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë shqiptare. Pastaj detyrohet ta braktisë atdheun e tij dhe vazhdon një jetë të vështirë e plot sfida duke shëtitur vende të ndryshme të Evropës. Më vonë ky person i shkruan Presidentit Ataturk një letër dhe pasi sqaron situatën në të cilën ndodhej i kërkon ndihmë Ataturkut për t’u kthyer dhe për të punuar në Turqi. Ataturku e lexon me keqardhje letrën dhe pastaj i drejtohet Sekretarit të Përgjithshëm, Hasan Riza Sojak, i cili ia kishte paraqitur letrën në fjalë, dhe i thotë: “Ali Shefketi është një oficer shtabi i mençur, i përgatitur mirë dhe punëtor i zellshëm; ai është shoku im. E dua atë dhe më vjen seriozisht keq për gjendjen që ka rënë…” Pastaj e vazhdon bisedën me Sekretarin e Përgjithshëm duke i thënë: “tani do të rrëfej një kujtim interesant. Dhe i tregon për takimin që kishte pasur në Vjenë[4] me Ali Shefket Beun, i cili ishte bashkuar me ushtrinë e Austrisë dhe kishte veshur uniformën e kësaj ushtrie[5]:

“… Siç e di aty nga fundi i Luftës së Parë Botërore unë shkova në Karlsbat (Austri) për kurim mjekësor. Kur isha atje, një ditë ky njeri erdhi papritur në hotelin ku qëndroja. Në bisedë e sipër ra fjala për gjendjen në Shqipëri. Ali Shefketi më tha që shqiptarët po punonin në drejtim të krijimit të një qeverie kombëtare dhe plotësisht të pavarur në vendin e tyre duke eliminuar të huajt (pushtuesit), dhe për këtë qëllim ishin duke bërë një sërë përgatitjesh jashtë dhe në veçanti brenda vendit. Gjendjen ma rrëfeu me detaje dhe në një formë sikur të ishte ai personi më i rëndësishëm në gjithë këto punë. Si përfundim nga unë kërkoi të shprehja opinionin tim dhe ta ndihmoja.

Si përgjigje unë i thashë se nga larg ishte e pamundur të thoshja diçka konkrete dhe i bëra Ali Shefketit këtë propozim: Unë edhe për një copë akoma do të jem me leje. Nëse dëshiron, mund të shkojmë bashkë në një vend afër Shqipërisë. Ti i fton shokët e tu që punojnë brenda në Shqipëri dhe kështu mësojmë mbi natyrën dhe shkallën e përgatitjeve dhe në bazë të kësaj përgatisim një plan veprimi, sipas të cilit vazhdoni të punoni më vonë. Ali Shefketi u habit kur pa që unë e kishte marrë seriozisht çështjen, pastaj filloi të fliste përçart; nga gjestet e tij unë kuptova që përpjekjet për të cilat më kishte treguar ose nuk ekzistonin fare, ose ai vet nuk qëndronte në rolin kryesor, ashtu siç të linte të kuptoje nga rrëfimi i tij. Kështu që e preva bisedën…”.

Ataturku pasi i tregon Sekretarit të Përgjithshëm Hasan Riza Sojakut për nismën e tij për të ndihmuar Shqipërinë i sqaron atij edhe arsyen përse donte ta bënte këtë[6]:

“Tani ty kjo lëvizje e imja të duket si e çuditshme, apo jo? Dëgjo këtu, ja po sqaroj: Shqipëria nga çdo pikëpamje është një vend i rëndësishëm në Ballkan. Krijimi atje i një qeverie me të vërtetë kombëtare dhe të pavarur po aq sa i nevojshëm dhe i dobishëm që ishte për përparimin dhe forcimin e Shqipërisë, po aq i rëndësishëm dhe i nevojshëm ishte edhe për të ardhmen e Ballkanit. Madje realizimi i kësaj me ndihmën tonë dhe sigurimi dhe drejtimi i kësaj çështjeje nga njerëz që na përkrahin ne, do të na vlente patjetër shumë në të ardhmen. Unë këto i kisha menduar që në atë kohë dhe kisha dashur të përfitoja nga situata.”

Ataturku gjatë të gjithë jetës e kishte parim të bënte politikë të drejtë dhe ti qëndronte besnik fjalës. Kështu që kërkesën e Ali Shefketit për të ardhur në Turqi Ataturku e refuzon për shkak të mosmbajtjes së fjalës që Ali Shefketi i kishte dhënë atij në lidhje me mbrojtjen e Shqipërisë, dhe për t’u mos u bërë shembull për personat e tjerë që ishin në të njëjtën situatë me Aliut. (vazhdon)

U përgatit nga: Dr. Halil ÖZCAN (Pedagog i lëndës “Parimet e Ataturkut dhe Historia e Revolucionit Turk” në Universitetin “Baskent” në Ankara.)

U përshtat në shqip nga: Serdar HÜSEYNİ/ trt

Burimet dhe literatura kryesore:

A.AFETİNAN, M.Kemal Atatürk’ün Karlsbad Hatıraları, TTK Basımevi, Ankara, 1991.

ATATÜRK, Mustafa Kemal, Atatürk’ün Söylev ve Demeçleri, Cilt I-III, Atatürk Araştırma Merkezi, Ankara, 1997.

KAÇİ, Nesip, “Atatürk Arnavutluk’ta Nasıl Değerlendiriliyor?”, Atatürk’ün Ölümünün 50. Yılı Sempozyumu (31 Ekim- 1 Kasım 1988), Ankara Üniversitesi, Ankara, 1988.

SOYAK, Hasan Rıza, Atatürk’ten Hatıralar, Yapı Kredi Yayınları, 3.Baskı, İstanbul, Janar 2006.

TUNAYA, Tarık Zafer, Türkiye’de Siyasal Gelişmeler (1876-1938), İstanbul Bilgi Üniversitesi Yayınları, İstanbul, 2002.

[1]A.Afetinan, M.Kemal Atatürk’ün Karlsbad Hatıraları, TTK Basımevi, Ankara, 19911991:4-7.

[2]ATATÜRK, Mustafa Kemal, Atatürk’ün Söylev ve Demeçleri, Cilt I-III, Atatürk Araştırma Merkezi, Ankara, 1997, 8, 47. Afetinan, po aty,fq.7, Tarık Zafer Tunaya, Türkiye’de Siyasal Gelişmeler (1876-1938), İstanbul Bilgi Üniversitesi Yayınları, İstanbul,2002, fq.165.

[3]Nesip Kaçi, “Atatürk Arnavutluk’ta Nasıl Değerlendiriliyor?”, Atatürk’ün Ölümünün 50. Yılı Sempozyumu (31 Ekim- 1 Kasım 1988), Ankara Üniversitesi, Ankara, 1988,fq.49-50.

[4] A.Afetinan, po aty, fq.46.

[5]Hasan Rıza Soyak, Atatürk’ten Hatıralar, Yapı Kredi Yayınları, 3.Baskı, İstanbul, Janar 2006, fq. 498-499.

[6] Soyak, po aty, fq.488-489.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne