Marrëdhëniet Turko-Shqiptare në Kohën e Ataturkut (Pjesa e 29-të)

Aktiviteti i Shoqërisë Ndihmëtare Shqiptare që u themelua nga kolonia shqiptare në Stamboll me qëllim për të mbështetur e lobuar për rifitimin e pavarësisë së Shqipërisë. (Vijon nga numri i kaluar)…

Në procesin e bisedimeve pas Luftës së Parë Botërore bie në sy se shqiptarët që jetonin brenda Shqipërisë dhe ata të kolonive të ndryshme jashtë me një mobilizim mbarëkombëtar bëjnë përpjekje të mëdha për rifitimin e pavarësisë së vendit të tyre. Një grup patriotësh shqiptarë, një fisnik hungarez e paguajnë dhe e dërgojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të lobuar në favor të vendit të tyre. Kurse Federata Panshqiptare e Amerikës, VATRA, dërgon në Paris një misioner amerikan për të mbrojtur kauzën e Shqipërisë. Përveç kësaj shqiptarët e Anglisë kalojnë në kontakt me djalin më të vogël të njërës prej familjeve fisnike angleze, Aubrey Herbet, i cili dinte edhe turqisht, edhe shqip dhe ishte agjent pa-pagesë i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Anglisë. Madje shqiptarët i propozojnë Aubrey Herbet-it edhe fronin e Shqipërisë, nëse ai do të punonte për pavarësinë e vendit të tyre. A.Herbet nuk e pranon këtë propozim, por themelon një Shoqatë Shqiptaro-Angleze, e cila do të punonte për pavarësinë e Shqipërisë[1].

Pas publikimit më 8 janar 1918 të 14 pikave (parimeve) të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Wilson, Shqiptarët e Amerikës i intensifikojnë më shumë përpjekjet për shpëtimin e vendit të tyre nga pushtimet duke vepruar sipas këtyre parimeve[2]. Prifti Fan Stilian Noli nga shqiptarët e Amerikës, zgjidhet si përfaqësuesi i qeverisë së Tiranës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe fillon luftën kundër propagandës greke[3]. Pas emërimit të Fan S. Nolit si përfaqësues, shqiptarët që jetonin në SHBA i pasqyrojnë më shpesh kërkesat e tyre në opinionin amerikan dhe atë ndërkombëtar dhe bëjnë përpjekje për të pasur ndikim në procesin e Konferencës së Paqes së Parisit dhe në fakt arrijnë që të kenë sukses në këtë çështje.

Ka dy arsye përse delegatët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës përkrahën Shqipërinë në Konferencën e Paqes së Parisit. E parë është se një nga delegatët e federatës VATRA, Dr. Ericson arrin të realizojë një takim me bashkëshorten e Presidentit amerikan, Wilson, me të cilën bisedon mbi çështjen shqiptare. E dyta është se Zonja Wilson preket nga ato që i kishte treguar Dr. Ericson dhe e orienton Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Wilson që të angazhohet me këtë çështje dhe si përfundim Presidenti amerikan vendos të mbrojë Shqipërinë[4]. Ndërkohë që Presidenti amerikan Wilson merr nën kujdestari kombin shqiptar duke menduar se Shqipëria mund të bëhet e pavarur[5], Kryeministri i Anglisë, David Lloyd George, nuk e shikon me sy të mirë pavarësinë e shqiptarëve. Por pavarësisht qëndrimit të kryeministrit britanik në shkurt të vitit 1920 Presidenti amerikan i dërgon një memorandum Parisit dhe bën të ditur se Amerika nuk do ti bëjë padrejtësi popullit shqiptar[6].

Krahas mbështetjes që kanë dhënë shqiptarët e Anglisë dhe SHBA-së për rifitimin e pavarësisë së Shqipërisë, një rëndësi shumë të madhe kanë edhe mbështetja dhe përpjekjet e shqiptarëve të Turqisë, sidomos kontributi i shqiptarëve të Stambollit. Për këtë qëllim shqiptarët e Stambollit krijojnë Shoqërinë Ndihmëtare Shqiptare (Arnavut Teavün Cemiyeti) dhe mbështesin përpjekjet për pavarësimin e Shqipërisë.

Vazhdimi i pushtimeve në Shqipëri pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore dhe rreziku që u kanosej kufijve të Shqipërisë të përcaktuar në vitin 1913 i shqetëson edhe shqiptarët që jetonin në Turqi. Shqiptarët e Stambollit fillojnë e kërkojnë rrugët për ndikuar në luftën e vendit të tyre për pavarësi dhe arrijnë të krijojnë një shoqëri për këtë qëllim. Shoqata Ndihmëtare Shqiptare e themeluar në Stamboll rreth 10 muaj para se të mbahej Kongresi i Lushnjës nis aktivitetin e saj për ti dalë për zot kauzës kombëtare shqiptare. Madje kjo shoqëri merr vendim për të luftuar jo vetëm për kufijtë e përcaktuar në Konferencën e Londrës (1913), ashtu siç kërkonte Kongresi i Lushnjës, por të fituar edhe tokat shqiptare që ishin lënë jashtë Shqipërisë në vitin 1913[7].

Më 15 mars 1919 kërkesa për themelimin e Shoqatës Ndihmëtare Shqiptare (Arnavut Teavün Cemiyeti) i dorëzohet Ministrit të Punëve të Brendshme të Shtetit Osman. Në kërkesën zyrtare të shoqërisë emërtimi shqip i saj është Komiteti i Kolonisë (shqiptare) në Turqi. Si seli e themelimit të Shoqërisë deklarohet Hani i Turqisë (Türkiye Hanı), që ndodhej prapa godinës së Postës së Re në Stamboll. Themeluesit dhe drejtuesit e Komitetit janë: Nezir Beu, Hasan Hysejin Bej Tetova, Selman Ulvi Beu, Mustafa Beu, imami Xhemaletin Efendiu, Dr. Ihsan Fevzi Beu, Hasan Hajdar Beu dhe Hysejin Fuat Prishtina. Qëllimi i Komitetit sipas kërkesës zyrtare të themelimit shpjegohet kështu: “të ndërmarrë nismat e nevojshme për bashkimin me Shqipërinë të tokave shqiptare që janë lënë jashtë kufijve të vendit në Konferencën e Londrës[8](neni 5), të bëjë përpjekje për të forcuar lidhjen dashunore ndërmjet shqiptarëve kudo që ndodhen, për të siguruar njëjsinë kombëtare dhe për të ndihmuar personat në nevojë (neni 6), si dhe të bëjë propagandë për të mbrojtur interesat dhe të drejtat e Shqipërisë[9].

Shoqëria kërkon të hapë degë të saj në Bursa, Aydin, Edirne, Konya, Izmit, Eskisehir dhe Balikesir, provinca këto, ku kolonitë shqiptare ishin të mëdha në numër, por nuk arrin të ketë sukses.

Shoqëria Ndihmëtare e krijuar nga kolonia shqiptare në Stamboll në verën e vitit 1919 dërgon në Paris një delegacion të posaçëm, ku bënin pjesë disa nga anëtarët e saj, ish-valiu i Shtetit Osman Halil Pasha, deputeti i Dibrës Fuat Beu dhe Mithat Frashëri. Në takimet dhe kontaktet që realizoi në Paris, delegacioni i Stambollit parashtron për diskutim gjendjen e fundit të çështjes së Adriatikut dhe rrezikun e lig që vërtitej mbi Shqipërinë. Në një telegram që dërgon në Stamboll delegacioni bën me dije mbi progresin që ishte shënuar në rrugën drejt paqes pas fillimit të interesimit të Presidentit amerikan, Wilson me fatin e Shqipërisë. Ky lajm optimist shkakton gëzim po aq sa tek shqiptarët, edhe tek të gjithë turqit dhe myslimanët që ushqenin ndjenja dashurie dhe miqësie ndaj tyre[10].

Ditën e 4 nëntorit 1921 Shoqëria Ndihmëtare Shqiptare mbledh në Stamboll nën drejtimin e Halil Pashës më shumë se 3 mijë shqiptarë dhe organizon një protestë kundër sulmeve të serbëve në Shqipëri. Një nga anëtarët e Shoqërisë, Ferit Beu mban një fjalim në gjuhën franceze dhe thotë se shqiptarët janë banorët më të vjetër të Ballkanit dhe se pretendimet serbe janë të pabaza. Shqiptarët janë një racë e qytetëruar dhe e pasur, vijon Ferit Beu fjalimin e tij, dhe flet për prova rrënjësore që tregojnë se edhe Kosova i takon Shqipërisë. Fjalimi i Ferit Beut ndërpritet shpesh me duartrokitje dhe vendimin e mitingut (manifestin) e lexon me zë të lartë dhe i thotë turmës se ky manifest do t’u dërgohet Ministrave të Punëve të Jashtme të Anglisë, Francës, Italisë dhe ShBA-së, Lidhjes së Kombeve dhe shtypit evropian. Në vendimin e mitingut thuhet se Shqipëria, e cila në Luftën Botërore u rendit pranë Shteteve të Antantës, proteston pushtimin që i është bërë tokave të saj nga Serbia në kundërshtim me kufijtë e vitit 1913 dhe kërkon nga të gjitha fuqitë e mëdha që të garantojnë kufijtë kombëtarë dhe pavarësinë e shqiptarëve[11]. Përveç përpjekjeve intensive të shqiptarëve të Amerikës, Anglisë dhe Turqisë, do të ishte e dobishme ti hedhim një sy edhe aktivitetit të Komitetit për Mbrojtjen e Kosovës, që u themelua gjatë këtij procesi.

Komiteti për Mbrojtjen e Kosovës krijohet në fshehtësi në nëntor të vitit 1918 në Shkodër nga Hoxhë Kadri Prishtina, në një kohë kur Shqipëria pas Luftës së Parë Botërore ndodhej nën rrezikun e pushtimit të plotë nga Italia, Jugosllavia dhe Greqia. Në kryesinë e Komitetit zënë vend patriotë të dëbuar nga Kosova si Hasan Prishtina dhe Bajram Curri. Komiteti nuk i njeh vendimet e Konferencës së Londrës (1913) dhe si qëllim i vendos vetes sigurimin e pavarësisë së Kosovës dhe bashkimin e tokave të banuara nga shqiptarët. Më vonë ky komitet do të jetë orientuesi i lëvizjeve të ndryshme të armatosura që u krijuan në Shkup dhe Kosovë[12]. (vazhdon)

U përgatit nga: Dr. Halil ÖZCAN (Pedagog i lëndës “Parimet e Ataturkut dhe Historia e Revolucionit Turk” në Universitetin “Hacettepe” në Ankara)

U përshtat në shqip nga: Serdar HÜSEYNI/ trt

Burimet dhe literatura kryesore:

GIAFFO, Lou, ALBANIA: Eye Of The Balkan Vortex, Xlıbrıs Corporation, United States Of America, 1999.

MACMİLLAN, Margaret, Paris 1919: 1919 Paris Barış Konferansı ve Dünyayı Değiştiren Altı Ayın Hikâyesi, Çev. Belkıs Dişbudak, ODTÜ Yayıncılık, Ankara, 2004.

ÖZCAN, Halil, Atatürk Dönemi Türkiye-Arnavutluk İlişkileri, Atatürk Araştırma Merkezi, Ankara, 2011.

Gazeta “Peyamı Sabah”, 5 Nëntor 1921.

TUNAYA, Tarık Zafer, Türkiye’de Siyasal Partiler C.I, İkinci Meşrutiyet Dönemi (1908-1918), Hürriyet Vakfı Yayınları, İstanbul,1984.

Gazeta “Yeni Gün”, 28 Shkurt 1920.

VICKERS, Miranda, The Albanians, WBC Ltd., London, 1997.

[1]Margaret Macmillan, Paris 1919: 1919 Paris Barış Konferansı ve Dünyayı Değiştiren Altı Ayın Hikâyesi, Çev. Belkıs Dişbudak, ODTÜ Yayıncılık, Ankara, 2004, fq. 354.

[2]Lou Giaffo, ALBANIA: Eye Of The Balkan Vortex, Xlıbrıs Corporation, United States Of America, 1999, fq. 377-378.

[3]Giaffo, po aty, fq. 348-349.

[4]Giaffo, po aty, fq. 347.

[5]Tarık Zafer Tunaya, Türkiye’de Siyasal Partiler C.I, İkinci Meşrutiyet Dönemi (1908-1918), Hürriyet Vakfı Yayınları, İstanbul,1984, fq. 538.

[6]MacMillan, po aty, fq. 356-357.

[7]Halil Özcan, Atatürk Dönemi Türkiye-Arnavutluk İlişkileri, Atatürk Araştırma Merkezi, Ankara, 2011,fq.48-53.

[8]Tunaya, po aty, fq. 452-455.

[9]Tunaya, po aty, fq. 452-455.

[10]Gazeta “Yeni Gün”, 28 Shkurt 1920, fq 1.

[11]Gazeta “Peyamı Sabah”, 5 Nëntor 1921, fq. 2.

[12]MırandaVıckers,The Albanians, WBC Ltd., London, 1997, fq.91-93.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne