Marrëdhëniet Turko-Shqiptare në Kohën e Ataturkut (Pjesa e 31-të)

Detyrat që ka kryer Selahattin Beu (Selaudin Shkoza) në Ushtrinë Osmane dhe kontributi i tij në shpalljen e Kushtetutës së Dytë. (vijon nga numri i kaluar)

 

Në artikullin e kaluar trajtuam arsyet e ndihmës ushtarake që Qeveria e Asamblesë së Madhe Popullore të Turqisë (TBMM) i kishte bërë Shqipërisë. Në këtë shkrim dhe në tre të tjerë në vijim do të analizojmë këto ndihma ushtarake, që janë realizuar përmes Kolonelit të Shtabit në Pension, Selahattin Beut, i cili u dërgua në Shqipëri me këtë mision. Por për ta bërë më të kuptueshme temën e pamë të arsyeshme që këtë episod ta fillojmë me prezantimin e Selahattin Beut.

Duke kërkuar në burimet e kufizuara arkivore në Turqi dhe Shqipëri ne jemi përpjekur që të gjejnë informacion të saktë mbi Selahattin Beun. Në gjuhën shqipe në lidhje me Selahattin Beu janë shkruar dy artikuj me autorë Vangjel Kasapi[1] dhe Isa Halilaj[2]. Megjithëse të dyja shkrimet përmbajnë informacione të ndryshme lidhur me biografinë e Selahattin Beut, në to jepen të dhëna të rëndësishme mbi aktivitetin e Selahattin Shkozës në Shqipëri. Sipas Kasapit emri i babait të Selahattinit ishte Arshi, i gjyshit ka qenë Islam. Familja ka emigruar nga fshati Shkoza për në Prizren. Viti i lindjes është 1869. Duke qenë se në Shqipëri përdorimi i emrit të vendlindjes si mbiemër ka qenë një fenomen i përhapur, atëherë kuptohet qartë që edhe Selahattin Beu ka lindur në fshatin Shkozë të Prizrenit.

Sërish sipas Kasapit, Selahattin Beu pasi kreu shkollën e mesme ushtarake në Manastir, studimet e larta i vazhdoi në Stamboll dhe këtu u diplomua si oficer artilerie në Akademinë Ushtarake. Më vonë ai shërben në reparte dhe shtabe të ndryshme të ushtrisë osmane, me radhë në Izmir, Manastir, Janinë, Selanik, Prevezë, Stamboll e Çanakala. Në vitin 1915, në frontin e Çanakalasë, Selahattin Beu shërben me gradën e nënkolonelit të shtabit në Komandën e Divizionit të IV[3]. Ai flet shumë mirë turqishten, arabishten, gjermanishten dhe frëngjishten. Vetëm se Selahattin Beu nuk zotëron dije që kanë të bëjnë me temat ushtarake, ai ka edhe një akumulim të gjerë kulturor dijesh dhe është shumë i dhënë pas fushave të tjera të jetës[4]. Prova më e qartë e kësaj është pjesëmarrja e tij në kongresin e alfabetit të gjuhës shqipe që u mbajt në vitin 1908 në Manastir[5]. Kur del në pension Selahattin Shuajip Beu vendoset në Izmir dhe këtu merr detyrën e kryetarit të Klubit Shqiptar[6].

Në lidhje me Selahattin Beun nga ana jonë u bënë përpjekje për të hulumtuar edhe burimet turke. Në kuadër të kësaj, në arkivin e Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare, ku ruhen dosjet personale të oficerëve të pensionuar, nuk janë gjetur dosjet personale të Selahattin Beut. Të dhënat mbi Selahattin Beun ne i gjetëm rastësisht në kujtimet e personaliteteve që kanë qenë dëshmitarë të kësaj periudhe. Duke u nisur nga kjo ne hulumtuam procesin e hyrjes së Selahattin Beut në Komitetin Bashkim dhe Përparim (e njohur ndryshe si lëvizja xhonturke) dhe përcaktuam që personi në fjalë ka dhënë kontribute shumë të rëndësishme në shpalljen e Kushtetutës së Dytë. Në lidhje me këtë kontribut të tij është publikuar edhe një artikull akademik më vete[7].

Komiteti për Bashkim dhe Përparim, kur arrin në një fazë të caktuar në aspektin e organizimit, për herë të parë në vitin 1907 i dërgon padishahut një peticion dhe kërkon shpalljen e kushtetutës, duke filluar kështu në mënyrë edhe pse indirekte të imponojë praninë e Komitetit në skenën politike të kohës[8]. Pas kësaj ngjarjeje Komiteti i jep një shtysë veprimtarisë së tij në rajon dhe nëpërmjet gazetës “Drita e Vërtetë” (Neyyir-i Hakikat), të cilën e botonte ilegalisht në Manastir, nxit popullatën e Maqedonisë kundër pushtetit të Abdulhamitit [9].

Komiteti për Bashkim dhe Përparim përgatit një plan për një kryengritje të përgjithshme në zonën e Maqedonisë. Sipas planit në fjalë përvetësohet ideja që kryengritja të realizohet në njërën prej ditëve të Bajramit të vjeshtës së vitit 1908. Ndërkohë që merret në konsideratë edhe mundësia e zgjatjes së kësaj kryengritjeje popullore deri në gjashtë muaj në qoftë se rezistenca do të jetë e madhe. Gjatë fazës së veprimit (të realizimit të planit), Komiteti përpiqet të marrë masa në varësi të ndëshkimeve të mundshme të padishahut. Në kuadër të kësaj Komiteti fillon përgatitjet një vit më parë duke parashikuar që padishahu për të shtypur një revolucion që do të fillonte në zonën e Maqedonisë do të dërgonte këtu forca ushtarake nga Anadolli (veçanërisht nga Izmiri).

Në suazën e këtyre përgatitjeve në fillim të vitit 1907, një nga liderët e Komitetit për Bashkim dhe Përparim, Dr. Nazim Beu vjen në Izmir me një identitet tjetër (si Jakup Hoxha) dhe hap këtu një dyqan për tregti duhani. Në Izmir ai takohet me Halil (Menteshe) Beun, një nga anëtarët e Komitetit, të cilin e kishte njohur që në Paris[10]. Në këtë takim Nazim Beu thotë se Komiteti ka marrë vendim për të bërë një revolucion me qendër Rumelinë dhe sipas vlerësimit që është bërë Sulltan Abdulhamiti me të shpërthyer revolucioni do të ngarkojë me detyrën shtypjen e tij korparmatën e Izmirit. Nazim Beu thotë se me qëllim parandalimin e ndërhyrjes së korparmatës që do të ngarkohet me këtë detyrë, Komiteti i ka dhënë atij detyrën që të rekrutojë në radhët e Komitetit oficerët me detyrë në këtë korparmatë si dhe të rinjtë intelektualë të Izmirit. Në këtë takim Nazim Beu i kërkon Halil Beut që ta prezantojë me oficerin e shtabit Selahattin Bej dhe me nënkolonelin nga Bursa, Tahir Beu. Një ditë më vonë Halil Beu e realizon këtë takim. Përmendja me emër që Dr. Nazim u bën Selahattin Beut dhe Tahir Beut, tregon se ai ka pasur një informacion paraprak mbi këta persona që punonin e jetonin në një zonë, ku Komiteti e kishte të vështirë të rekrutonte anëtarë. Nga ana tjetër njohja më herët e Selahattin Beut me Halil Beun mund të shpjegohet me vëmendjen dhe interesin që Selahattin Beu kishte ndaj Komitetit.

Takimin e realizuar ndërmjet Mbretit të Anglisë dhe Carit Rus më 9 qershor 1908 në qytetin Reval të Estonisë Gjermania e deklaron si një projekt të copëtimit të shtetit osman. Duke u nisur nga këto zhvillimeve Komiteti për Bashkim dhe Përparim bën këtë vlerësim: në rast të zbatimit të projektit të Anglisë mbi Maqedoninë, kjo e fundit do të bëhet e pavarur dhe po ashtu osmanëve do t’u iki nga duart edhe Shqipëria.

Kapiteni i parë i batalionit të vendosur në Resne, (Ahmet) Nijazi Beu, i cili përkohësisht ushtronte edhe detyrën e komandantit të këtij batalioni, duke menduar se një ndërhyrje e jashtme ishte tashmë shumë e mundshme dhe e afërt, duke u nisur nga përfundimet e mbledhjes në Reval, më 3 korrik të vitit 1908, ditë e premte, del në mal duke marrë me vete edhe rreth 100 patriotë të përbërë nga ushtarë dhe banorë vendas. Kështu Komiteti detyrohet që datën e fillimit të kryengritjes së planifikuar për në vjeshtë ta ndryshojë me një datë më të hershme.

Me shfaqjen e trazirave në Maqedoni në prag të revolucionit (kushtetues), ashtu siç e kishte parashikuar edhe Komiteti për Bashkim dhe Përparim, batalionet e para të korparmatës së Izmirit dërgohen për në Selanik dhe një ditë para shpërthimit të revolucionit zbarkojnë në portin e Selanikut. Këto batalione të rekrutuara në Komitet nga Dr. Nâzim Beu, kur zbritën në stere i lenë armët, në jakat e uniformës vendosin stemën e lirisë dhe bashkohen me revolucionarët e tjerë. Përveç kësaj konfirmohet nga të gjitha burimet që Selahattin Beu, i ngarkuar me detyrë për të kapur revolucionarët, doli në mal me qëllim për të mbështetur revolucionin.

Sipas Uzunçarşılı-së, Selahattin Beu, i cili ishte komandanti i forcave ndjekëse (kuvve-i takibiye), që në Selanik u dërguan nga Izmiri me qëllim për të marrë pjesë në shtypjen e kryengritjes, arratiset bashkë me majorin e shtabit Hasan Beu, i cili ishte ngarkuar me detyrë shoqërimin e komandantit të zonës, në momentin që po hipte në tren për të shkuar nga Selaniku në Manastir[11]. Edhe Enver Pasha në kujtimet e tij shkruan se batalionet e dërguara nga Anadolli, asnjëri prej tyre nuk kishte shkuar për të ndjekur kryengritësit që kishin dalë në mal përreth Manastirit, për arsye se gjatë rrugës për në Manastir kishin nisur të kuptonin qëllimin e operacionit, dhe me ardhjen e Shemsi Pashës në zonë Nënkoloneli i Shtabit Selahattin Bej kishte dalë në mal afër Kërçovës[12].

Kurse Külçe shkruan se Nënkoloneli i Shtabit Selahattin Bej dhe anëtar i shtabit të zonës së Manastirit Hasan Tosun Beu natën e 6/7 korrikut (1908) dalin në mal pasi dyshojnë në ftesën që u bëhet atyre nga zyra e mareshalit për të shkuar në Selanik[13]. Shemsi Pasha në telegramin që i dërgon Sarajit në Stamboll në datën 7 korrik 1908 njofton se komandanti i forcave ndjekëse që ishin krijuar më vonë në Manastir Nënkoloneli i Shtabit Selahattin Bej dhe Majori i Shtabit Hasan Tosun ishin arratisur nga radhët e ushtrisë për shkak të njoftimit që kishin marrë nga posti i mareshalit, i cili i kishte ftuar ata në Selanik[14]. Edhe Tahsin Uzer shprehet se në mal dolën shumë oficerë të tjerë të zotë si Enveri e Selahattini[15]. Si shtesë e të gjitha këtyre informacioneve që kemi përcjellë deri tani, edhe Mehmet Ali Okar në librin e tij të kujtimeve, të publikuar në vitin 2013, shkruan se Selahattin Beu në mal ka dalë me Çetën e Manastirit dhe se më vonë ai ka kryer detyrën e inspektorit të çetave që ishin krijuar në atë zonë[16].

Një emër tjetër që ka folur për shërbimet e Selahattin Beut në shpalljen e kushtetutës është edhe Xhelal Bayar[17], i cili thotë se koloneli në pension Selahattin Beu nga Prizreni ka shërbyer si një ish-unionist (anëtar i Komitetit për Bashkim dhe Përparim) në shpalljen e Kushtetutës së Dytë. (vazhdon)

U përgatit nga: Dr. Halil ÖZCAN (Pedagog i lëndës “Parimet e Ataturkut dhe Historia e Revolucionit Turk” në Universitetin “Baskent” në Ankara)

U përshtat në shqip nga: Serdar HÜSEYNI/ trt

Burimet dhe literatura kryesore:

BAYAR, Celâl, Ben De Yazdım, Millî Mücadeleye Giriş 5, Sabah Kitapları, İstanbul, 1997.

CENGİZ, Halil Erdoğan (Yayına Hazırlayan), Enver Paşa’nın Anıları (1881-1908), Türkiye İş Bankası Kültür Yayınları, İstanbul, 2006.

GÖRGÜLÜ, İsmet, On Yıllık Harbin Kadrosu 1912-1922, TTK Basımevi, Ankara, 1993.

HALILAJ, Isa, “Selahudin Shkoza-Kurorë Lavdie në Ushtrinë Kombëtare Shqiptare (Në prag të 135 vjetorit të lindjes)”, Revista Koha i, Nisan 2002, sayı:75, s.48-50).

KASAPI,Vangjel, “ Selaudin Shkoza Reformator i Madh Ushtar)”, Rilindja, (10 Mart 1999, sayı:14, s.12.

OKAR, Mehmet Ali, Osmanlı Balkanları’nın Son On Yılı, Hazırlayan: Ahmet Mesut Okar, Türkiye İş Bankası Kültür Yayınları, İstanbul, 2013.

ÖZCAN, Halil, Atatürk Dönemi Türkiye-Arnavutluk İlişkileri, Atatürk Araştırma Merkezi, Ankara, 2011.

ÖZCAN, Halil, ”Emekli Erkânıharp Miralay Selahattin Bey’in II. Meşrutiyet’in İlânına Katkısı”, Atatürk Yolu Dergisi, Bahar 2010, Yıl: 23, Sayı: 45. fq. 83-102.

Shqipëria e Re, 26 prill 1921.

UZUNÇARŞILI, İsmail Hakkı, Hürriyet Kahramanı Resneli Niyazi Hatıratı, Örgün Yayınevi, İstanbul, 2003.

UZER, Tahsin, Makedonya Eşkiyalık Tarihi ve Son Osmanlı Yönetimi, Türk Tarih Kurumu Basımevi, Ankara, 1999.

[1]“ Selaudin Shkoza Reformator i Madh Ushtar)”, Rilindja, (10 mars 1999, sayı:14, fq.12.

[2]“Selahudin Shkoza-Kurorë Lavdie në Ushtrinë Kombëtare Shqiptqre (Në prag të 135 vjetorit të lindjes)”, Revista Koha, prill 2002, numri:75, fq.48-50.

[3]İsmet Görgülü, On Yıllık Harbin Kadrosu 1912-1922, TTK Basımevi, Ankara, 1993, fq.76.

[4]HalilajHata! Yer işareti tanımlanmamış., po aty,fq. 48-50., Shqipëri e Re, 26 prill 192, fq.3, Kasapi, po aty, fq. 12.

[5]Halilaj, po aty,fq. 48-50.

[6]Shqipëri e Re, 26 Nisan 1921, fq. 3.

[7]Halil Özcan,”Emekli Erkânıharp Miralay Selahattin BeyHata! Yer işareti tanımlanmamış.’in II. Meşrutiyet’in İlânına Katkısı”, Atatürk Yolu Dergisi, Bahar 2010, Yıl: 23, Sayı: 45. FQ. 83-102.

[8]İsmail Hakkı Uzunçarşılı, Hürriyet Kahramanı Resneli Niyazi Hatıratı, Örgün Yayınevi, İstanbul, 2003, fq.11-12.

[9]Uzunçarşılı, po aty,fq.12-13.

[10]Uzunçarşılı, po aty,fq.18.

[11]Uzunçarşılı, po aty, fq.18.

[12]Halil Erdoğan Cengiz (Yayına Hazırlayan), Enver Paşa’nın Anıları (1881-1908), Türkiye İş Bankası Kültür Yayınları, İstanbul, 2006.

[13]Süleyman Külçe, Osmanlı Tarihinde Arnavutluk, İzmir, 1944, fq.472.

[14]Külçe, po aty, fq.41.

[15]Tahsin Uzer, Makedonya Eşkiyalık Tarihi ve Son Osmanlı Yönetimi, Türk Tarih Kurumu Basımevi, Ankara, 1999, fq.91.

[16]Mehmet Ali Okar, Osmanlı Balkanları’nın Son On Yılı, Hazırlayan: Ahmet Mesut Okar, Türkiye İş Bankası Kültür Yayınları, İstanbul, 2013, fq.122.

[17]Celâl Bayar, Ben De Yazdım, Millî Mücadeleye Giriş 5, Sabah Kitapları, İstanbul, 1997, fq.83.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne