Marrëdhëniet Turko-Shqiptare në Kohën e Ataturkut (Pjesa e 48-të)

Gjendja e shqiptarëve myslimanë në Greqi në kuadër të procesit të Këmbimit Turko-Grek të popullatës sipas Traktatit të Lozanës (vijon nga numri i kaluar).

Qeveria e Venizellosit pas Luftës së Parë Botërore me synimin për të siguruar shumicën e popullatës greke në Anadollin Perëndimor solli në Anadoll emigrantë grekë duke u bërë atyre premtime ekonomike. Grekët që ishin sjellë në kuadër të këtij plani nga Ishujt dhe Greqia para pushtimit fillojnë e ushtrojnë presion mbi turqit për të lehtësuar kështu pushtimin e Greqisë, kurse pas pushtimit ata e shtojnë edhe më shumë dozën e presionit dhe i detyrojnë turqit të emigrojnë.

Në 9 shtator 1922 kur repartet e kalorësisë turke hyjnë në Izmir, njësitë luftarake që kishin mbetur nga ushtria greke tërhiqen drejt zonës së Çeshmes. Ndërkohë me dhjetëramijëra grekë të Anadollit të privuar tashmë nga mbrojtja e ushtrisë greke kishin mbushur brigjet e Izmirit dhe ishin në pritje të një mjeti që do ti çonte ata në Greqi ose në ishujt e Egjeut. Në 13 shtator 1922 Komisari i Lartë i SHBA-së në Stamboll, Admirali Mark Bristol në raportin e tij shkruan se rreth 300 mijë grekë kanë mbushur brigjet e Egjeut dhe presin në pamundësi për t’u kthyer në shtëpitë e tyre.

Greqia me qëllim për tu hakmarrë kundër turqve për shkak të humbjes që kishte pësuar ushtria e saj në Anadoll fillon e ushtron presion ndaj turqve në Greqi. Qeveria e Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë (TBMM) kërkon që ti zgjidhë sa më parë edhe problemet e turqve në Greqi, edhe ato të grekëve në Turqi. Për këtë qëllim qeveria turke i dha me shkrim delegacionit të delegatëve turq që kishin shkuar në Konferencën e Lozanës këtë urdhër: “Pakicat: këmbimi është esencial”.[1].

Për shkak të emigracionit që kishte filluar me hyrjen e ushtrisë turke në Izmir Lidhja e Kombeve vihet në veprim para nënshkrimit së armëpushimit dhe mbajtjes së konferencës së paqes. Për të kontrolluar lëvizjen emigruese të grekëve të Anadollit drejt Greqisë dhe për të koordinuar programin e ndihmave humanitare në datën 19 shtator 1922 Lidhja e Kombeve ngarkon me këtë detyrë eksploruesin në polin e veriut, norvegjezin Dr. Fridtjof Nansen[2].

Afërsisht 10 ditë pas hapjes së Konferencës së Lozanës fillojnë diskutimet edhe për çështjen e këmbimit. Në 1 dhjetor 1922 Lord Curzon hap për diskutim në mbledhjen e Komisionit për Vendet dhe Problemet Ushtarake çështjen e këmbimit të popullsisë ndërmjet Turqisë dhe Greqisë. Në mbledhjen e Komisionit mori pjesë edhe Dr. Nansen, i cili e informoi Komisionin mbi kontaktet që kishte pasur në terren, dhe thotë se palët kanë rënë dakord mbi këmbimin e popullsisë dhe si model për realizimin e këmbimit ai propozon Marrëveshjen Greko-Bullgare të Këmbimit të Popullsisë[3].

Pasi Dr. Nansen e kishte informuar Komisionin për Vendet dhe Problemet Ushtarake në mbledhjen e ditës së premte, 1 dhjetor 1922, dhe pasi palët kishin paraqitur opinionet e tyre mbi çështjen në fjalë Komisioni publikon vendimin për zgjidhjen e problemit të këmbimit të popullsisë ndërmjet Greqisë dhe Turqisë. Sipas vendimit në fjalë çështja e këmbimit të popullsisë i delegohet për inspektim një nënkomisioni të përbërë nga një përfaqësues i tre Fuqive të Mëdha të ftuara në konferencë (Anglia, Franca dhe Italia) dhe nga përfaqësuesi i Turqisë e Greqisë si dhe i kryesuar nga përfaqësuesi italian. Gjithashtu në vendim zë vend edhe rekomandimi që nënkomisioni të dëgjojë Dr. Nansen-in[4].

Një ditë më vonë, më 2 dhjetor Nënkomisioni i Këmbimit të Popullsisë zhvillon mbledhjen e tij të parë. Në këtë sesion Dr. Nansen ndan me anëtarët e nënkomisionit përshtypjet e tij nga Anadolli dhe Greqia dhe sugjeron mendimin që problemet e shkaktuara nga kushtet e rënda dhe jashtë normave të zgjidhen sa më parë që të jetë e mundur. Në bazë të opinioneve të Dr. Nansenit nënkomisioni në mbledhjen e parë përcakton tre çështje që duhen zgjidhur sa më shpejt dhe që nuk kanë lidhje me marrëveshjen e paqes. Këto tre çështje janë: rikthimi i robërve civilë, këmbimi i robërve të luftës dhe këmbimi i popullatës[5].

Nënkomisioni i Këmbimit të Popullatës, i cili mbledhjen e parë e kishte mbajtur në 2 dhjetor, i vazhdon punimet duke zhvilluar pas datës 11 janar edhe 12 sesione të tjera. Në mbledhjen e ditës së premte, më 12 janar 1923, të Nënkomisionit të Këmbimit të Popullatës pranohet propozimi për përgatitjen e draftit për joaleatët duke krahasuar tekstet turke dhe greke mbi këmbimin e popullsisë[6]. Në mbledhjen e ditës së martë, 16 janar 1923, të Nënkomisionit të Këmbimit të Popullsisë, shqyrtohet projekti paraprak i përgatitur nga aleatët. Pika e parë e këtij drafti përmban klauzolën: “shtetasit turq të besimit ortodoks grek të vendosur në tokat turke dhe shtetasit grek të besimit mysliman të vendosur në tokat greke duke filluar nga data 1 maj e vitit 1923do ti nënshtrohen këmbimit të detyruar”. Delegati i Turqisë Dr. Riza Nur thotë se qeveria turke me qëllim për të parandaluar irredentizmin grek në vend të shprehjes “shtetasit turq të besimit ortodoks grek” do të preferonte përdorimin e shprehjes “grekët me shtetësi turke”. Delegati anglez, Laporte, e kundërshton propozimin e Riza Nurit me arsyetimin se një shprehje e tillë përfshin edhe grekët katolikë. Sipas Laporte grekët katolikë janë të pakët në numër dhe duke qenë se ata nuk kanë marrë pjesë në veprime kundër Turqisë janë aleatë dhe nuk do të pranonin deportimin e tyre nga Turqia.

Kurse Riza Nur thotë se sot propaganda greke prek edhe shtetasit turq të kësaj kategorie (të krishterët katolikë). Kryetari i Komisionit Montagna rekomandon shtyrjen e propozimit të përfaqësuesit turk dhe ky propozim i kryetarit aprovohet. Delegati turk këmbëngul që shprehjes “këmbimi i detyrueshëm i shtetasve turq” ti shtohet fjala “dhe atyre grekë”. Përfaqësuesi grek Kaklamanos nuk e pranon këtë propozim me pretekstin se shtimi i fjalës “dhe grek” nuk përfshin vetëm shtetasit turq që kishin kaluar në shtetësinë greke që nga viti 1914 e mbrapa, por njëherësh përfshin të gjithë shtetasit grekë që ishin vendosur në Turqi. kështu u shty miratimi i pikës së parë dhe në të njëjtin sesion miratohen pikat 3, 4, 5 dhe 6[7]. Ndërkohë që përfaqësuesi turk bën përpjekje që këmbimi të bëhet mbi bazën e kombësisë, aleatët dhe përfaqësuesit grekë vazhdojnë qëndrimin e tyre këmbëngulës që këmbimi i popullsisë të bëhet mbi baza fetare.

Në mbledhjen e ditës së premte, 19 janar 1923, delegati i Greqisë, Kaklamanos, thotë se nuk e pranon propozimin e Delegacionit Përfaqësues Turk në lidhje me pikën e parë. Kurse përfaqësuesi turk Riza Nur këmbëngul në mendimin e tij mbi pikën e parë të marrëveshjes. Montagna thotë se sa do që fraza “shtetasit grek të besimit mysliman” parimisht mund të zbatohet edhe ndaj shqiptarëve (me arsyetimin se janë myslimanë), nuk ka dyshim që këta shtetas grekë (shqiptarët me shtetësi greke) do të përjashtohen nga këmbimi. Me qëllim parandalimin e një cenimi të tillë (evitimin e riskut lidhur me përfshirjen e shqiptarëve në këmbim) Montagna propozon që fraza “shtetasit grekë të besimit mysliman” të shprehet në formën “shtetasit grekë të besimit mysliman turk”. Kurse delegati i Greqisë Kaklamanos pohon se Athina zyrtare nuk mendon që të përfshijë shqiptarët në këmbimin e popullsisë, duke shtuar se shqiptarët jetojnë në Epir, një zonë e përkufizuar shumë mirë, dhe se shqiptarët pavarësisht se kanë një fe me turqit ata nuk janë turq. Delegati grek deklaron se një kufizim që do të vendoset në favor të atyre (turqve) në pikën e parë të marrëveshjes do të sillte mosmarrëveshje të pafundme dhe në veçanti kjo do të kërkonte rregullimin e regjistrave civilë që përcaktojnë komunitetet kombëtare që janë në varësi të tyre dhe kërkon nga Montagna që ta tërheqë propozimin. Delegati turk Riza Nur thotë se shqiptarët duhet të mbeten jashtë këmbimit të popullsisë. Kurse Montagna pasi shprehet se deklaratat e Delegacioneve Përfaqësuese Turke dhe Greke do të hidhen në procesverbal e tërheq propozimin e tij[8].

Në mbledhjen e datës 22 janar 1923 Montagna kërkon nga Delegacioni Përfaqësues Turk të heq dorë nga këmbëngulja për shtimin e shprehjes “dhe shtetasit grekë” në pikën e parë të marrëveshjes në këmbim kjo të lëshimeve që kishte kërkuar (për pikat e tjera) nga Delegacioni Përfaqësues Grek dhe të pranojë tekstin e marrëveshjes që ishte përgatitur nga aleatët. Pastaj edhe Riza Nur Beu e pranon pikën e parë të marrëveshjes[9]. Kështu pika e parë e marrëveshjes pranohet (mbi bazë fetare) ashtu siç e kishin propozuar aleatët në mbledhjen e datës 16 janar:

“Shtetasit turq të besimit ortodoks grek të vendosur në tokat turke dhe shtetasit grekë të besimit mysliman të vendosur ne tokat greke duke filluar nga data 1 maj 1923 do ti nënshtrohen një këmbimi të detyruar. Asnjëri prej këtyre personave nuk do të rivendoset duke u kthyer prapa në Turqi pa lejen e Qeverisë Turke apo në Greqi pa lejen e Qeverisë Greke.”

Në fakt edhe fati i shqiptarëve myslimanë të vendosur në zonën e Epirit-Çamërisë në Greqi u përcaktua me pranimin e pikës së parë të marrëveshjes në këtë mbledhje të Komisionit. Atëherë le ta lëmë për javën e ardhshme çështjen se si janë prekur shqiptarët myslimanë në Greqi nga kjo situatë. (vazhdon)

U përgatit nga: Dr. Halil ÖZCAN (Pedagog i lëndës “Parimet e Ataturkut dhe Historia e Revolucionit Turk” në Universitetin “Hacettepe” në Ankara.)

U përshtat në shqip nga: Serdar HÜSEYNİ

Burimet dhe literatura kryesore:

AKTAR, Ayhan, “Türk-Yunan Nüfus Mübadelesi’nin İlk Yılı Eylül 1922-Eylül 1923”, Yeniden Kurulan Yaşamlar 80. Yılında Türk-Yunan Zorunlu Nüfus Mübadelesi, Derleyen Müfide Pekin, İstanbul Bilgi Üniversitesi Yayınları:112, İstanbul, 2005, s 41-73.

Atatürk’ün Millî Dış Politikası, Millî Mücadele Dönemine Ait 100 Belge, 1919-1923, C.I, Kültür Bakanlığı Yayını, Ankara,1994.

Lozan Barış Konferansı (LBK) Tutanaklar-Belgeler, Çeviren, Seha L. Meray, Yapı Kredi Yayınları, C.III, Takım 1, Kitap I, İstanbul, 1993.

LBK Tutanaklar-Belgeler, C.I, Kitap II.

[1]Atatürk’ün Millî Dış Politikası, Millî Mücadele Dönemine Ait 100 Belge, 1919-1923, C.I, Kültür Bakanlığı Yayını, Ankara,1994, s.497.

[2] Ayhan Aktar, “Türk-Yunan Nüfus Mübadelesi’nin İlk Yılı Eylül 1922-Eylül 1923”, Yeniden Kurulan Yaşamlar 80. Yılında Türk-Yunan Zorunlu Nüfus Mübadelesi, Derleyen Müfide Pekin, İstanbul Bilgi Üniversitesi Yayınları:112, İstanbul, 2005, s.57.

[3]Lozan Barış Konferansı (LBK) Tutanaklar-Belgeler, Çeviren Seha L. Meray, Birinci Takım Cilt I, Kitap I, Yapı ve Kredi Yayınları, İstanbul, 1993, s.117-123.

[4]LBK, Birinci Takım Cilt I, Kitap I, s.117-128.

[5]LBK, Birinci Takım Cilt I, Kitap I, s.321-333.

[6]LBK, Birinci Takım Cilt I, KitapII, s.304.

[7]LBK, Birinci Takım Cilt I, KitapII, s.314-318.

[8][8] LBK, Birinci Takım Cilt I, KitapII, s.344-349.

[9]LBK, Birinci Takım Cilt I, KitapII, s.371.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne