Marrëveshja bërthamore e Iranit

Marrëveshja bërthamore e Iranit varet në fije të perit, pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po i mban të gjithë në pritje nëse ai do ta riçertifikoje atë më 12 maj, pavarësisht nga përpjekjet e nënshkruesve të tjerë perëndimorë për ta mbrojtur atë.

Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA), i njohur si marrëveshja bërthamore e Iranit, është një marrëveshje e nënshkruar më 14 korrik 2015, pas 20 muajsh dhe gjashtë raunde negociatash. Nënshkruesit janë Irani dhe një grup shtetesh të njohur si P5 plus 1: Rusia, Kina, SHBA, Britania e Madhe, Franca (të gjithë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së) si dhe Gjermania. Marrëveshja synon të parandalojë Iranin nga prodhimi i armëve bërthamore duke frenuar programin e tij bërthamor, që daton që në vitet 50, i cili ironikisht u zhvillua me ndihmën amerikane, përpara se revolucioni i 1979-s të shkëpuste shumicën e lidhjeve të Iranit me Perëndimin.

Lëshimet e Iranit

Sipas marreveshjes JCPOA, Teherani hoqi dorë nga 98 për qind e uraniumit të pasuruar që kishte dhe mbajti vetëm materialin e pasuruar në pragun e ulët të pesë për qindëshit (uraniumi i armëve fillon nga 85 për qind). Dy të tretat e centrifugave të pasurimit të Iranit janë ndalur, duke lënë vetëm rreth 6,000 modele të vjetra operative. Çdo material dhe pajisje e mbetur duhet të përdoret në mënyrë strikte për qëllime shkencore, mjekësore dhe bujqësore.

Veprimet e Iranit po monitorohen nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA). JCPOA e rriti misionin e IAEA-s në Iran nga 50 në 150 ekspertë me qasje direkte në çdo pajisje bërthamore dhe gjithashtu kontrollon me mbikëqyrje satelitore.

Zbutja e sanksioneve

Në këmbim, Irani fiton zbutjen e një pjesë të sanksioneve ekonomike, disa prej të cilave kanë qenë në vend që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979.

Sanksionet e Kombeve të Bashkuara dhe të Bashkimit Europian u pezulluan ose u hoqën dhe nuk do të implementohen sanksione të reja për sa kohë që JCPOA është në fuqi.

Sidoqoftë, SHBA-ja nuk u pajtua që të heqë ose të pezullojë sanksionet e veta kundër Iranit. Në vend të kësaj, presidenti amerikan herë pas here shqyrton marrëveshjen dhe nënshkruan një dokument që pushon zbatimin e tyre. Megjithatë, kjo vlen vetëm për sanksionet sekondare, ato që penalizojnë vendet e tjera për të bërë biznes me Teheranin. Ato që prekin kompanitë amerikane, si dhe ato që lidhen me gjëra të tjera përveç programit bërthamor të Iranit (si të drejtat e njeriut) mbeten në vend.

SHBA dhe marrëveshja

JCPOA u nënshkrua vonë në mandatin e dytë të Barak Obamës dhe u pa nga mbështetësit e tij si një nga arritjet e tij kurorëzuese, megjithëse shkaktoi një çarje në marrëdhëniet e tij me Izraelin.

Donald Trump beson se marrëveshja e Iranit është “marrëveshja më e keqe e bërë ndonjëherë”. Ai bëri fushatë me premtimin për të marrë një qëndrim më të ashpër kundër Iranit, i cili ka qenë në listën e Amerikës si sponsorizues shtetëror i terrorizmit për gati 35 vjet. Tani që ai është president, Trump duket se dëshiron që ta tërheqë anën amerikane nga ujdia nëse ajo nuk ndreqet.

Nëse Trump nuk do të nënshkruajë heqjen e sanksioneve të planifikuara në 12 maj, pjesëmarrja e SHBA-së në marrëveshje do të përfundojë, gjë që ndoshta do ta prishë plotësisht marrëveshjen.

BE dhe marrëveshja

Deri tani, IAEA ka vërtetuar në mënyrë të përsëritur pajtimin e plotë të Iranit me marrëveshjen, ndërsa Bashkimi Evropian e ka pranuar të qëndrueshme marrëveshjen. Kur u shfaqën shenjat e para që Presidenti Trump mund ta prishte marrëveshjen, nënshkruesit evropianë u ngritën në mbrojtje të saj. Konsensusi mbetet mekanizmi më i mirë për ta ruajtur marrëveshjen e programit bërthamor të Iranit.

Me afrimin e datës 12 maj, retorika është zhvendosur disi tek Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania. Ata ende besojnë se JCPOA duhet të mbrohet, megjithatë tani duan një marrëveshje të re, e cila do të kufizonte gjithashtu edhe zhvillimin e raketave balistike të Iranit. Në njëfarë mënyre duan ndaljen e përhapjes së ndikimit të tij në Lindjen e Mesme dhe të sigurojnë kufizime të mëtejshme të programit të tij bërthamor deri në vitit 2025, kur afati i JCPOA-s skadon.

Çfarë thotë Izraeli?

“Irani gënjeu.”

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu është një fans i madh i shfaqeve show dhe për një kohë të gjatë ka qenë kundërshtari i JCPOA-s. Gjatë kohës kur u arrit marrëveshja, ai pohoi se ishte shumë e butë dhe linte hapësirë ​​për kërkime për armët bërthamore.

Në kohën e duhur të afatit përfundimtar të 12 majit, ai pritet të nxjerrë “100,000 skedarë të fshehtë”, që supozohet se janë siguruar nga spiunët izraelitë, që dëshmojnë se Teherani po zhvillon armë nukleare, pavarësisht nga ato që thonë inspektorët e IAEA-s.
======
Ndërhyrja e Izraelit në këtë mes është e rëndësishme, sepse Tel Avivi dhe Teherani kanë qenë historikisht armiq dhe kanë pasur vazhdimisht një retorikë lufte me njëri-tjetrin. Ai gjithashtu ka peshë tek SHBA; Trump ka thënë se pretendimet e Netanjahut kanë treguar se ai kishte qenë 100 për qind i saktë lidhur me marrëveshjen e Iranit.

Çfarë thotë Irani?

Ndërsa JCPOA duket se po shkërmoqet, çuditërisht pak nga nënshkruesit perëndimorë kanë kërkuar në të vërtetë opinionin e Iranit. Kur presidenti francez Emmanuel Macron telefonoi Teheranin javën e kaluar, homologu i tij Hassan Rouhani tha se JCPOA është e panegociueshme dhe e bëri të qartë se Irani nuk do të pranojë kufizime të mëtejshme përtej asaj që tashmë është rënë dakord në vitin 2015. Të dy Rouhani dhe Ministri i Jashtëm Mohammad Javad Zarif kanë treguar se Irani do të tërhiqet nga marrëveshja nëse sanksionet e SHBA-së do të rivendosen./rt/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne