Marrëveshja e 1 prillit, Kokëdhima: PS kishte urrejtje për LSI-në

Drejtuesi i Lëvizjes ZGJIDHJA në PS, Koço Kokëdhima, në një intervistë për televizionin  “News 24” foli për ndërmjetësimin që bëri për arritjen e marrëveshjes PS-LSI më 1 prill 2013, si e majta nuk kishte arritur të bëhej bashkë në sfidat e mëparshme, për shkak të urrejtjes së PS-së ndaj LSI-së dhe mungonte besimi mes palëve. Kokëdhima akuzoi Ramën për këtë klimë që ishte mes dy partnerëve, por edhe për afrimin e PDIU-së në koalicion, për të bërë diversion ndaj LSI-së. Ai tha se koalicioni ka patur shumë probleme dhe si meritë më të madhe ka patur reformën territoriale të vendit. Drejtuesi i lëvizjes “Zgjidhja” tha se Rama po e çon në humnerë e humbje të pashmangshme PS-në jo në dekada, por në muajt që do të vijnë dhe kjo vjen nga rruga e pabesive, e intrigave, e përçarjeve që ka lidershipi i PS-së

Marrëveshja 1 prillit të PS-LSI?

Në 2005 bëra shumë përpjekje që e majta të mos përçahej. Përçarja solli që e majta të ikte nga pushtetit, dhe erdhi Berisha pas rrënimit që i bëri vendit, dhe me ato q ndodhën në ’97. Kam ndikuar për marrëveshjen PS-LSI për zgjedhjet vendore, por kjo më pas nuk vijoi pasi ndikuan prioritet të tjera. Në 2009 kam ndikuar shumë për të realizuar koalicionin paraelektroral. Lidershipi i PS kishte një prioritet më të lartë sesa garancia e PS dhe të majtës së bashkuar për të ardhur në pushtet. Ndaj u refuzua gatishmëria e LSI deri në momentin e fundit, dhe këto zgjedhje nuk i fituan vetëm. Në 2011 i kërkova Ramës t’i mbante hapur derën LSI dhe Ilir Metës se kisha besimin e plotë se do t’ i duhej PS bashkimi i së majtës. Nuk ndodhi kjo gjë. Dhe u ndoq rruga e një armiqësie me LSI dhe Ilir Metën. Kam punuar për të bashkuar koalicionin që do të fitonte zgjedhjet e 2013. Kam qenë garant i atij bashkimi, që kishte shumë vështirësi, pasi besimi i palëve nuk ekzistonte. Më kujtohet shumë mirë se në PS kishte një urrejtje të pashembullt për lidershipin e LSI. Pavarësisht të gjitha këtyre ajo funksionoi, dhe ai ishte një bashkim që mori një mbështetje të madhe popullore, dhe u certifikua me një rezultat të fortë në zgjedhjet e qershorit 2013. Për ecurinë e këtij koalicioni mund të shikohen edhe anët pozitive, edhe të metat, edhe punët e mira, edhe mangësitë. Ky koalicion ka bërë punë të mira e të vlefshme. Puna më e bukur besoj se është reforma territoriale. Në 4 vite të tij ky koalicioni nuk krijoi institucione të së majtës së bashkuar, nuk krijoi standarde të përbashkëta për qeverisje. Nuk u krijua komunikim dhe bashkëpunim që duhet të kishin dy aleatë strategjikë. Praktika e këtyre viteve ishte një praktikë e gërryerjes së koalicionit. Marrëdhënia në koalicionin e së majtës, është shumë e dobët. Është shkatërruar çdo vlerë besimi.

Fati i koalicionit në 4 vitet e ardhshme

Koalicioni nuk u pasi një mundësi për të rritur cilësinë e qeverisjes, nuk u pa si një mundësi për të rritur kredibilitetin e PS, as për të rritur përmes këtij koalicioni impaktin dhe ndikimin elektoral të saj në treg. Koalicionet Rama i shikon si instrumente për të garantuar karrigen dhe pushtetin personal nga gërryeja e pozitës elektorale të PS. Po të shohim se në fillim të 2016, ndoshta edhe në mars të 2015, kishte filluar të përfshihej PDIU në koalicioni e së majtës, dhe kjo nuk ishte diçka e natyrshme sepse e majta kishte 85 vota, dhe nuk sillte ndonjë gjë të re se ç’thonin edhe 4 vota të tjera.

Pranimi i PDIU-së në koalicion

U pranua për kulturën diversive që ka lidershipi i PS në drejtim dhe rikuperim duke importuar nga jashtë të gjithë erozionin që ai zhvilloi në PS. PS ka kaluar në këto 4 vite në gjendjen e saj më kritike në gjithë këto vite. Rama mori një parti të mirëfillte politike të organizuar në 2005 dhe sot ka një bashkësi parapolitike të zhytur në kaos ideologjik dhe moral. PS është arratisur nga shinat e së majtës dhe ka zhvilluar politika që vetëm me të majtën nuk kanë asnjë pikë lidhje. Për të kompensuar këtë rënie të pozitës elektorale të PS, përdoren këto lojëra politike. Edhe teoria që përmes marrjes së PDIU në koalicion të bëhej për të ndihmuar çështjen çame nuk është e vërtetë, unë mendoj se PDIU kur është në pushtet ka mundësi të ndikojë më shumë për çështjen çame, normalisht, por tani unë flas këtu për anën e shumicës. Nuk flas për PDIU, nuk kam asnjë paragjykim. Nuk zgjidhet çështja çame me atë gjuhë me Greqinë, por zgjidhet duke e forcuar marrëveshjet me vendin fqinj. I krijon dhe probleme 1 milion emigrantëve shqiptarë atje.

“Rama po çon PS në humnerë”

I ftoj militantët e PS të kuptojnë që Rama po e çon në humnerë e humbje të pashmangshme PS-në jo në dekada, por në muajt që do të vijnë. Rruga e pabesive, e intrigave, e përçarjeve, e çon në humbje Partinë Socialiste. I kam bërë thirrje socialistëve të bëjmë një mbledhje të jashtëzakonshme, të diskutojmë për demokracinë, rregullin dhe mbarëvajtjen e PS. Sot ka dy çështje prioritare, gjendja e përgjithsme e PS dhe problematikat me të cilat përballet. Për shkak të budallallëqeve të drejtimit amatoresk të lidershipit të kësaj partie, duhet të shohim në mënyrë imediate gjendjen e PS, para se të shohim koalicionin me LSI. Nuk duhet të hyjë në zgjedhje PS vetëm me të punësuarit e kryeministrit, por me të gjithë ata socialistë, zëri i të cilëve nuk është dëgjuar kurrë. Duhet krijuar një situatë bashkëpunimi. Çështja e dytë është që sot të diskutojmë për koalicionin me LSI, nuk bën sens kur ne kemi këtë krizë, dhe e kemi opozitën në rrugë. Zgjedhjet nuk janë zgjedhje që ne i bëjmë me LSI-në. Pluralizmin e Ramizit do bëjë Rama? Zgjedhje pa opozitën nuk ka. Është ligj që nuk duhet t’i ikim kurrë. Rama po e lë pa vizion e pa strategji Partinë Socialiste. Të mos bëjë deklarata që krijojnë kaos e errësirë por të kuptojë që pa opozitën zgjedhje nuk ka. Të ulet e të bisedojë me ta. Reforma zgjedhore duhet sjellë standarde. Shqipëria nuk bën zgjedhje të lira e të ndershme, por të manipuluara. Të gjitha zgjedhjet kanë qenë të deformuara, edhe 2015-a. I kanë deformuar hajdutëritë. Filluan nga Saliu dhe u përqafuan nga e majta. Sot blihet vota, blihen komisionerë, votojnë me karta fiktive. Identifikimi elektronik është i nevojshëm për një palë zgjedhje të pranueshme. Duhet ta bëjmë patjetër. PS ka anëtarësinë më të shkëlqyer në Shqipëri, kauza e zgjedhjeve të lira e të ndershme është kauza e të gjithë socialistëve. Aty ku kam drejtuar unë, kam luftuar për të mbrojtur procesin e zgjedhjeve në mënyrë shembullore./bw

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne