Marrëveshja e shekullit e Trumpit: 17 gjëra që mësuam

Nga Chloé Benoist.

Përpara konferencës së Bahrejnit të kësaj jave, Shtëpia e Bardhë zbuloi propozimin” Paqe për prosperitet” për Palestinën, pjesë e “marrëveshjes së shekullit” të presidentit amerikan Donald Trump.

Plani i udhëhequr nga Jared Kushner, dhëndër i Trumpit dhe këshilltar i tij i lartë, është një udhërrëfyes ekonomik me shumë zhargon, i hartuar për të treguar se si shpërndahen më shumë se 50 miliardë dollarë.

Synimi i tij është i qartë: të ndërtojë entuziazëm për Palestinën, të cilës i referohet vetëm si “Gazë dhe Bregu Perëndimor”, të bejë të besojnë se kombesia palestineze gjendet vetëm në karta dhe se vendi do i ngjasojë një Dubai apo Singapori të ri.

Për të qartësuar qasjen e tij të fortë tek ekonomia, Middle East Eye e  pa planin e së ardhmes që tashmë po kundërshtohet njëzëri nga lidershipi palestinez.

1. Nuk përmendet okupimi …

Policët izraelitë arrestojnë një vajzë palestineze në Khan al-Ahmar, Bregu Perëndimor, 4 korrik 2018 (Reuters)

Plani dhe broshura shoqëruese “Programet dhe projektet” ka 136 faqe. Aty jepen detaje të hollësishme dhe tregohet se ekonomia palestineze ka nevojë për një shtytje. Megjithatë Shtëpia e Bardhë nuk përmend një çështje pa të cilën, sipas OKB-së, ekonomia palestineze do të ishte më shumë se dyfishi i madhësisë së saj aktuale: okupimin izraelit.

Siç është theksuar edhe nga shumë vëzhgues, okupimi izraelit prej disa dekadash i tokave palestineze nuk është përmendur. Ajo që ceket është një referencë për “profesionet me paga më të larta dhe me rritje më të larta”, që do të thotë punë, gjë që është larg nga të kuptuarit e shumicës së njerëzve të termit sipas kontekstit te Palestinës.

Në mënyrë të ngjashme mungojnë terma si “rrethimi”, “bllokada” dhe “vendbanime”, si dhe informacione dhe njohuri për zonat A, B dhe C, pjesë të ndryshme të Bregut Perëndimor nën kontrollin izraelit ose Autoritetin Palestinez që prej vitit 1995 të cilat do të preken.

Duhet të lexosh midis rreshtave për të gjetur ndonjë aludim të politikave izraelite që ndikojnë negativisht mbi palestinezët, siç janë “kriza e zgjatur”, “sfidat logjistike”, “pengesat në rritje”, “kufizimet e burimeve” dhe “barrierat e rregullta ndaj lëvizjes së mallrave dhe palestinezëve”.

2. … ose refugjatë

Palestinezët marrin pjesë në një protestë që bën thirrje për kushte më të mira të jetesës jashtë zyrës së UNRWA-së në Rafah, Gaza, janar 2018 (Reuters)

Një fjalë tjetër që mungon tek dokumenti është fjala “refugjat”. Më shumë se dy milionë refugjatë jetojnë në Gaza dhe Bregun Perëndimor, megjithatë plani i Kushnerit nuk i adresohet asaj se si ata preken nga shkurtimet drastike të ndihmës amerikane për UNRWA, agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë.

Po, plani ofron 13.7 miliard dollarë financime të mundshme për Libanin dhe Jordaninë, vend strehime për gati 2.5 milion refugjatë palestinezë, megjithatë nuk përmendet se pjesë nga sasia e parave do të shkojnë edhe për palestinezët.

3. Jeruzalemi nuk është pjesë e tryezës

Izraeli rregullisht e kufizon levizjen e palestinezëve në xhaminë Aksa në Jerusalemin Lindor (AFP)

Në janar 2018, Trump premtoi se do ta linte Jeruzalemin “jashtë tryezës”. Dokumenti “Paqe për prosperitet” nuk e përmend fare qytetin e shenjtë. Kjo është në përputhje me vendimin e SHBA-së për lëvizjen e ambasadës amerikane nga Tel Avivi në Jeruzalem në maj 2018, duke e njohur atë si kryeqytetin e Izraelit megjithë reagimet forta të palestinezëve që duan Jerusalemin Lindor si kryeqytetin e një shteti të ardhshëm palestinez.

Mbetet e paqartë se çfarë mendon Shtëpia e Bardhë për ata 300,000 palestinezë që aktualisht jetojnë në Jeruzalemin Lindor të aneksuar në vitin 1967 nga Izraeli përkundër ligjit ndërkombëtar.

4. Izraeli mban një profil të ulët

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu mban një fjalim në Knesset, tetor 2015 (AFP)

Dokumenti zvogëlon shumë rolin e Izraelit në tensionet rajonale. Aty ku përmendet, ai zakonisht fshihet në mesin e një liste te vendeve “fqinje” dhe “partnerëve kryesorë tregtarë” sikurse “Egjipti, Izraeli dhe Jordania”.

Disa nga sugjerimet ekonomike thonë se Izraeli duhet të përfitojë financiarisht. Këtu përfshihet shitja e ujit për Gazan, Bregun Perëndimor dhe Jordanin; sigurimin me gaz dhe energji elektrike për Gazën; promovimi i tregtisë në rritje me Egjiptin dhe territorin e okupuar palestinez; dhe përdorimin e teknologjisë spyware nga ana e Jordanit.

5. SHBA ende i jep përparësi armatimit të Izraelit

Ushtarët izraelitë me armë të prodhimit amerikan dislokohen gjatë luftës së Gazës 2014 (AFP)

Plani i Kushnerit për Palestinën thotë se ka “potencialin për të ofruar si ndihmë më shumë se 50 miliardë dollarë investime të reja për dhjetë vjet”. Por vetëm 27.8 miliardë dollarë do të shkojnë direkt për territorin e pushtuar palestinez, ndërsa pjesa tjetër do të shkojë për shtetet fqinje.

Kjo shumë prej 27.8 miliardë dollarësh është rreth 27 për qind më pak se marrëveshja dhjetëvjeçare e ndihmës ushtarake prej 38 miliardë dollarësh që SHBA-ja bëri me Izraelin në 2016.

6. SHBA i thotë Palestinës: Faji është i joti

Një protestë në Ramallah kundër ligjit të propozuar nga PA për mbrojtjen sociale, nëntor 2018 (AFP)

Pa përmendur rolin e Izraelit në konflikt, Shtëpia e Bardhë thekson se palestinezët janë përgjegjës për gjendjen e tyre të tanishme dhe nëse “marrëveshja e shekullit” dështon, kjo do të ishte për hesap të tyre.

“Në fund të fundit forca për ta zhbllokuar [këtë vizion] është në duart e popullit palestinez”, thuhet në një vend të dokumentit. Ndërsa plani i Kushnerir premton të “zgjidhë” nga frerët potencialin e Palestinës, ai asnjëherë nuk ofrohet për të zbuluar se kush ose çfarë e kufizon këtë potencial.

Diku tjetër thotë se “një marrëveshje e qëndrueshme e paqes do të siguronte një shans për të ardhmen ekonomike për gjithë palestinezët”. A do ketë paqe të qëndrueshme? Pyetja është lënë pa përgjigje.

Kjo gjithashtu nënkupton se “paqe për prosperitet” është edhe një veprim i pavlerë. Disa nga deklaratat gjithëpërfshirëse fillojnë me klauzola të kushtëzuara, sikurse “nëse implementohet” apo “nëse qeveria e vë në jetë potencialin e saj”.

7. Pyetjet mbi arsimimin mbeten pa përgjigje

Nxënës palestinezë në një klasë të dëmtuar në qytetin e Gazës, shtator 2014 (AFP)

Qëndrimi i administratës Trump lidhur me atë që pengon zhvillimin e Palestinës nuk demonstrohet askund më mirë se sa kur është fjala për arsimin.

Këtu dokumenti pranon se “palestinezët kanë ndër normat më të larta të diplomimit në rajon”, megjithatë nuk shpjegon pse shumë shkollat palestineze “janë të zgjeruara dhe të tejmbushura përtej kapaciteteve të tyre”.

Ai thekson nevojën për tu “përqendruar tek mbështetja e shkollave që veprojnë për komunitetet e varfra”, megjithatë nuk përmend fondet e shumta dhënë nga BE për shkollat e Zonës C të Bregut Perëndimor që janë shkatërruar prej forcave izraelite. As nuk përmenden 500,000 studentë palestinezë që janë prekur nga vendimi i SHBA-së i vitit 2018 që shkurtoi të gjitha fondet për UNRWA.

Plani premton 300 milion dollarë për bursa për studentët palestinezë për të studiuar jashtë vendit, megjithatë ai nuk arrin të adresojë problemin sesi në të tilla skema palestinezët luftojnë për të marrë viza që të largohen nga Bregu Perëndimor dhe Gaza.

Po ashtu edhe sporti, kujdesi shëndetësor, bujqësia dhe turizmi nuk marrin vlerësimin dhe zgjidhjet e duhura në realitetin në terren.

8. “Jared, a po u japim të drejtat e pronave palestinezëve?”

Eskavatorët izraelitë rrënojnë një ndërtesë palestineze në veri të qytetit të pushtuar të Hebronit në Bregun Perëndimor, shkurt 2018 (AFP)

Plani i Kushnerit i jep një theks të madh “të drejtave për pronësi” të palestinezëve. Një frazë e tillë përdoret 13 herë gjatë gjithë dokumentit. “Regjistrimi i tokës është një hap kritik në transformimin e ekonomisë palestineze”, theksohet në faqen 32. Diku më tutje thuhet: “Të drejtat e domosdoshme janë të rëndësishme për zhvillimin dhe realizimin e të ardhmes”.

Megjithatë plani nuk përmend shpronësimin sistematik të tokës palestineze nga Izraeli që nga viti 1948 deri në ditët e sotme. Shumë refugjatë ende i ruajnë sendet dhe çelësat e shtëpive që lanë pas në Palestinën historike, të cilat si tokat ashtu dhe shtëpitë e tyre në Bregun e pushtuar janë të zaptuara nga kolonët izraelitë.

A është kjo ajo që kanë në mendje Kushner dhe Trump, të cilët kanë që të dy nga një vendbanim izraelit të quajtur sipas emrave të tyre në Lartësitë Golan? Detajet janë të paqarta.

9. Palestinezët janë konsumatorë, jo qytetarë me nënshtetësi

Punonjësit e Autoritetit Palestinez (PA) qëndrojnë në radhë për të marrë rrogat e tyre nga një ATM në Khan Younis të Gazas, prill 2012 (Reuters)

“Paqe për prosperitet” ka autorësinë e qartë të shkrimtarëve me sfond biznesi (Trump ka shpalosur gjatë përvojën e tij si biznesmen; Kushner është investues dhe promotor i pasurive të patundshme).

Dokumentet janë të mbushura plot me gjuhën e menaxhimit që nxit për një qasje “miqësore ndaj biznesit” për “zhbllokimin e potencialit njerëzor” përmes “rritjes së investimeve”. Ato nxisin një “ekosistem inkubator” dhe një “kulturë të fortë vendase”.

Ndoshta më domethënës është rreshti: “Qeverisja e mirë palestineze kërkon angazhim ndaj klientëve të saj: popullit palestinez”. Në mungesë të shtetit të duhur, plani nënkupton që palestinezët nuk janë qytetarë, por konsumatorë, aspiratat politike të të cilave mund të plotësohen nga mallrat dhe shërbimet.

10. Le ti lemë palestinezët që të hanë kek – dhe 5G

Fëmijët palestinezë lexojnë librat në shtëpi nën dritën e qirinjve për shkak të mungesës së energjisë elektrike në qytetin e Gazës, qershor 2017 (AFP)

Qasja e dokumentit në aspektin e biznesit përfshin disa synime ambicioze të teknologjisë së lartë, si kthimi i Gazës në një “qytet modern metropolitan”, ngritja e një sistemi qendror elektronik që e kthen qeverinë në një qeverisje interneti dhe zhvillimi i rrjetit 5G në të gjithë territorin palestinez.

Propozime të tilla duket se janë thjesht në letër krahasuar me nevojat bazike ndaj të cilave shumë palestinezë janë ende të privuar. Për shembull, 53 për qind e banorëve të Gazës jetojnë sot në varfëri. Nga ana e teknologjisë, Izraeli hoqi ndalesën ndaj operatorëve 3G të telekomit palestinez vetëm një vit më parë.

11. Vendosja e gardhit të lartë

Punëtorët palestinezë presin të hapet porta në vendbanimin e paligjshëm të Modiin Illit dhe fshatit Harbeta të Bregut Perëndimor pas një dite pune në Izrael (AFP)

Një nga qëllimet e planit është që Gaza dhe Bregu Perëndimor të shënojnë 0.70 në Indeksin e Kapitalit Njerëzor të Bankës Botërore, i cili mat potencialin e punës së popullsisë. Nëse Palestina do ta arrinte këtë, atëherë ajo do të vendosej përpara disa prej ekonomive të përmendura diku tjetër në plan si Kina kontinentale (0.67), Emiratet e Bashkuara Arabe (0.66), Bahreini (0.67) dhe Libani (0.54).

Një tjetër synim i sugjeruar është që qeverisja palestineze të arrijë 60 ose më lart në Indeksin e Korrupsionit të Transparency International. Kjo është më shumë se shifra 36 e arritur nga Bahreini, mbajtësi i konferencës së kësaj jave, dhe dyfishi i shifrës 28 që ka arritur Libani. Edhe Izraeli, ekzistenca e të cilit llogarit më shumë se 70 vjet, arrin vetëm shifrën 61.

12. Gaza si një Rio i ardhshëm?

Një palestinez kalon pranë ujërave të zeza që derdhen në det në një plazh pranë qytetit të Gazës (AFP)

Plani gjithashtu aludon për disa vizione të cilat e bëjnë Palestinën një destinacion të lartë turistik. Ai sugjeron se 40 kilometrat e vijes bregdetare të Gazas në Mesdhe “mund të zhvillojnë një qytet modern metropol me pamje nga deti. Ai servir shembuj si Bejruti, Hong Kongu, Lisbona, Rio de Janeiro, Singapori dhe Tel Avivi”.

Ne plan nuk diskutohet gjendja e vijës bregdetare të ndotur dhe infrastruktura e brishtë e Gazës e cila është e paaftë për të përpunuar mbeturinat që përfundojnë në det. Nuk thuhet se palestinezët aktualisht janë të ndaluar nga marina izraelite që të dalin më shumë se disa milje larg nga bregu.

Plani gjithashtu sugjeron se një arsye pse sektori i turizmit palestinez nuk është i suksesshëm është për shkak se palestinezët, që njihen në të gjithë rajonin për mikpritjen e tyre, duhet të bashkëpunojnë me “shkollat ​​kryesore mikpritëse ndërkombëtare” siç është Akademia e Mikpritjes e Emirateve të Bashkuara Arabe.

13. Palestina si një Singapor i ardhshëm?

Singapori, mars 2019: a është modeli më i mirë për një Palestinë të ardhshme? (AFP)

Disa nga vendet e përmendura si shembuj për ekonominë e ardhshme palestineze nuk njhen për tolerancën opo lirinë e të shprehurit.

Plani përmend shtete si Emiratet e Bashkuara Arabe apo Singapori, të cilët janë akuzuar nga grupe të tilla si Human Rights Watch për tregtimin e të drejtave politike për të mirën e përparimit ekonomik – një akuzë që palestinezët kanë ngritur kundër planit “Paqe për Prosperitet” të administratës Trump.

Krahasimet bëhen edhe me Bejrutin si një shembull i një metropoli bregdetar. Këtu kemi keqkuptime, duke pasur parasysh përpjekjet e vazhdueshme të kryeqytetit libanez për privatizimin e hapësirave publike dhe planifikimin urban inekzistent.

14. Shkarjet kulturore

Ky det është imi nga artisti palestinez Sliman Mansour (Sliman Mansour)

Raporti përshëndet “Bregun Perëndimor dhe Gazan” se kanë qenë qendra kulturore që “nga kohët e lashta deri në kohët moderne”. Ai njeh kontributet e palestinezëve dhe i quan si “artistët dhe poetët më të njohur të rajonit”, megjithatë nuk përmend asnjë shembull.

Që të përmendim këtu në mbrojtje të Shtëpisë së Bardhë figura si Mahmoud Darwish, Ghassan Kanafani, Sliman Mansour ose Annemarie Jacir, do ishte e rëndësishme të theksohej se sa kritike kanë qenë aspiratat kombëtare për kulturën palestineze gjatë gjysmës së shekullit të kaluar.

Për ironi, raporti përmend festivalin e Nabi Musas si një “trashëgimi e madhe kulturore që duhet të kremtohet dhe të mbështetet”. Një pjesë e traditës së këtij eventi fetar është edhe pelegrinazhi vjetor nga Jeruzalemi në Jeriko, një rrugëtim i pamundur për pikëpamjet e administratës Trump mbi Jeruzalemin pasi sipas saj ai i takon ekskluzivisht izraelit.

15. Para kesh për gazin, fuqinë dhe teknologjinë e fqinjëve

Ish ministri francez i ekonomisë Emmanuel Macron në një konferencë të teknologjisë në Tel Aviv, shtator 2015 (AFP)

Shumë projekte infrastrukturore të vendeve të tjera janë të listuara si potencialisht të dobishme për palestinezët, siç janë linjat e energjisë elektrike të Egjiptit që furnizojnë Gazën ose kalimet kufitare jordaneze të përmirësuara. Megjithatë, propozimet e tjera janë edhe më të habitshme dhe nuk kanë dukshëm dobi direkte për palestinezët.

Për shembull, plani argumenton se turizmi në vendet fqinje do të ketë një ndikim të mirë për turizmin palestinez. Këtu injorohet fakti se kalimi kufitar në Rafah midis Gazës dhe Egjiptit është rregullisht i mbyllur dhe Libani që zyrtarisht refuzon hyrjen e individëve me vula izraelite në pasaportat e tyre.

Plani parashikon 1.5 miliardë dollarë për një shpërndarës të gazit natyror në bregun egjiptian që “ndihmon në koordinimin e zhvillimit të energjisë në Mesdheun Lindor”; dhe 500 milionë dollarë për të siguruar Jordaninë me “infrastrukturën kombëtare të sigurisë kibernetike dhe për ndërtimin e kapaciteteve” që “hapin mundësi për më shumë bashkëpunim ndërkombëtar për kibernetikën”. Ndërkohë që përfitimet e palestinezëve për këto projekte janë të paqarta, Izraeli ka interesa të mëdha për rezervat e gazit mesdhetar, për sigurinë kibernetike dhe teknologjinë spyware.

16. Libani nuk është në bord …

Trump takohet me Kryeministrin e Libanit Saad Hariri në Uashington, korrik 2017 (Reuters)

Në plan thuhet se një total prej 6,33 miliardë dollarësh jepet për buxhetin e Libanit. Këtu përfshihen 200 milionë dollarë në “mbështetje të integrimit të tregtisë rajonale që nxit eksportuesit për t’u angazhuar në zinxhirët rajonal të vlerës për të ulur ndjeshëm koston e biznesit në rajon”.

Kjo mund të vijë si befasi për disa vëzhgues për tre arsye. Së pari, Libani nuk ka një kufi me Gazën ose Bregun Perëndimor. Së dyti, nuk ka dërguar ndonjë përfaqësi në konferencën e Bahreinit. E treta, ndryshe nga Egjipti dhe Jordania, nuk pranon të ketë marrëdhënie diplomatike apo ekonomike me Izraelin fqinj.

A është administrata Trump duke shpresuar të joshë Bejrutin për lidhje më të mira me Izraelin? Disa në parlamentin libanez e besojnë këtë. Nabih Berri, kryetar i parlamentit, tha më 23 qershor se “ata që mendojnë se duke valëvitur miliarda dollarë mund të joshin Libanin […] që të nënshtrohet apo të shkelë parimet e tij e kanë gabim”.

17. … dhe nuk është as ‘mbreti i luleshtrydheve’

Imazhi i fermerit të luleshtrydheve Osama Abu al-Rub, i cili nuk pajtohet me përdorimin e fotos së tij në broshurën “Paqe për Prosperitet” (whitehouse.gov)

Dokumenti i planit ilustrohet me foto të njerëzve të buzëqeshur që pijnë ujë nga një çezëm (një kujtim i largët në Gaza), ose ecje nëpër fshatrat (shumica e të cilave janë marrë nga kolonët izraelitë).

I veçantë është imazhi e fermerit të luleshtrydheve Osama Abu al-Rub, i cili duket se është përdorur nga broshura e USAID-it e cila e përshkruan atë si “mbretin e luleshtrydheve”. Al-Rub, i cili jeton në Qabatiya, në jug të Xheninit, shfaqet gjithashtu edhe në një video tjetër të USAID-it të vitit 2017 pas marrjes së asistences, megjithatë, ai këtë javë tha se nuk është i kënaqur me paraqitjen e tij në broshurën “Paqe për Prosperitet”.

“Jam shumë i mërzitur nga publikimi i fotove të familjes sime dhe manipulimit të SHBA-së që promovon marrëveshjen e shekullit”, tha ai për middleeasteye (MEE). “Ne na vjen turp nga ky projekt që synon likuidimin e çështjes palestineze. Është e pamundur ta pranosh atë ose të jesh një nga mjetet e tij”./middleeasteye/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne