Marrëzia e super-rrugëve prek edhe Malin e Zi. Kina financuese kryesore e aksit Tivar-Serbi

Qeveria e Malit të Zi e ka future vendin në atë që mund të quhet eksperimenti shqiptar i infrastrukturës. Agjencia “Reuters” raportonte dje në mënyrë kritike projektin e ndërtimit të rrigës 165 km të gjatë që lidh portin e Tivarit me Serbinë, rrugë që kalon nëpër ura të mëdha dhe tunele. Financues të rrugës janë kinezët të cilët sipas “Reuters” kanë interesa edhe gjeopolitike në një vend që vetëm me kredinë e marrë nga Kina për 41 km e para e ka çuar borxhin publik në afër 80% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Për të plotësuar nevojat e rrugës qeveria malazeze ka ndërprerë investimet në sektorin publik, të rrisë taksat dhe të ndërpresë përfitimin financiar për nënat.

Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar Mali I Zi nuk mund t’ia lejojë më vetes të marrë borxhe të reja pa cenuar stabilitetin financiar ndërkohë që sipas agjencisë projekti “po mbikëqyret nga afër edhe nga Bashkimi Europian”.

Kanë mbytur veten dhe për momentin kjo është një autostradë drejt kurrkundit, citohet një diplomat i BE-së.

Agjencia shton vlerësimin e vet kur komenton se: rruga është në zemër të një debate intensive për ndikimin kinez në Europë, si brenda vendeve anëtare të BE-së, ashtu edhe vendeve që aspirojnë të hyjnë në bllok si Mali i Zi dhe fqinjët e vet, Serbia, Maqedonia dhe Shqipëria

Projekti po realizohet nga China Road and Bridge Corporation në formën e Partneritetit Publik Privat që parashikon operimin dhe shfrytëzimin e saj për 30 vjet nga pala kineze. Por ky model, pra i PPP-së, sipas BE-së nuk është i kapitalizueshëm nga bankat dhe një vërejtje e tillë është bërë edhe nga Banka Europiane për Zhvillim. Vetëm seksioni i parë i rrugës kushton më shumë se 900 milionë euro që janë dhënë nga Banka Kineze Eksport-Import përmes një kredie në dollarë me interes 2% dhe Mali i Zi ka rënë dakord që në rast të konfliktit juridiksionin për të vendosur do ta ketë një gjykatë në Kinë.

Ngjan si një marrëzi që e zhyt vendin e vogël piktoresk në një aventurë nga e cila nuk dihet sesi do të dalë. Pavarësisht se kishte modelin shqiptar të rrugës Durrës-Kukës, Podgorica duket se nuk i rezistoi dot tundimit për të investuar në vepra që nuk përligjen ekonomikisht. Pak muaj më parë ish-presidenti Milo Gjukanoviç deklaroi se përtej fjalëve në Ballkan duhen para dhe mesa duket ai i ka gjetur parë që po vijnë, por me kosto shumë të larta. Dhe me të panjohurën e madhe për suksesin e projektit.

Vetë Serbia që gjen daljen në bregdet pret që të lidhet edhe me Durrësin përmes projekti Nish-Prishtinë, rrugë për të cilin mori financim nga BE-ja në samitin e Triestes. Gjeopolitikisht është e paqartë tanimë vlera strategjik e rrugës Durrës-Kukës që paralelizohet kështu nga aksi malazez dhe në kushtet kur rruga tradiocionale Beograd-Selanik do të rihapet pas normalizimit të marrëdhënieve mes Greqisë dhe Maqedonisë. Miliarda për një marrëzi që kërkon të modernizojë Ballkanin por që rrezikon ta mbushë atë me gërmadha madhështore që do t’u shtohen veprave të ngjashme që la pas regjimi titist e që sot shihen me kuriozitet turistik por nuk kanë më asnjë vlerë funksionale nga ato për të cilat u ndërtuan.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne