Marrëzitë e një simboli të Rilindjes si Pjerin Ndreu

Arrogant, gënjeshtar dhe shumë nën nivelin mesatar të inteligjencës, ish deputeti socialist, aktualisht kandidat për të marrë bashkinë e Lezhës, Pjerin Ndreu, është shfaqur mbrëmë në Opinion, si simboli i gjithë rilindasve të kapur me presh në duar.

I dalë në përgjimet e Bild se i kërkon shefit të arsimit në Dibër që drejtori i shkollës Reshat Elezi ose të shpallë publikisht votën ose pas zgjedhjeve fluturon nga puna, gjë që shefi i arsimit e ka kryer duke e kërcënuar Elezin, Pjerin Ndreu ka dashur të mbrohet.

Por, në vend që të vërë vetullat ka nxjerrë sytë. Mbrëmë, të gjithë socialistët që u shfaqën në media, Taulant Balla në Real Story, Elisa Spiropali në “Open”, u munduan të dredhonin dhe të relativizonin fajin, por Pjerin Ndreu, si një ish polic i denjë, i ka nxjerrë bojën të gjithëve.

Kur u pyet se përse kishte ushtruar një presion të jashtëligjshëm që dikush të deklaronte votën hapur, ai tha se ia kishte kërkuar këtë një anëtari të partisë së tij.

Kur u pyet se pse nuk ia kishte kërkuar në rrugë partie, por përmes shefit të tij në administratë shtetërore, ai tha se nuk i kishte numrat e telefonit të krerëve të PS.

Kur u pyet se me ç’të drejtë ai e kërcënonte dikë me “fluturim” nga puna nëse nuk voton PS-në, ai tha se nuk do ta fluturonte nga drejtor shkolle, por nga partia.

Kur u pyet se si mund t’i kërkohet një arsimtari dhe familjes së tij të thonë votën hapur, ai tha se ky nuk qe një arsimtar i thjeshtë, por kryetar i seksionit të PS-së.

Kur u pyet se urdhëri i tij qe zbatuar dhe se shefi lokal, Drini Gjeçi e kishte çuar në vend kërcënimin e tij, ai tha se nuk përgjigjej për ato që kishin thënë të urdhëruarit prej tij, por vetëm për ato që kish thënë vetë.

Natyrisht pas gjithë këtyre dredhive, që nuk do ta shpëtonin dot nga marrja si i pandehur në çdo vend normal, Pjerin Ndreut i dolën dhe dy gënjeshtra skandaloze menjëherë sa iku nga emisioni.

E para se në atë kohë , ndryshe nga sa pretendoi ish deputeti, kryetari i PS në atë zonë ka qenë zoti Gentian Gjura dhe i kërcënuari Reshat Elezi ka qenë thjesht drejtor shkolle. Dhe e dyta se Elezin e kanë pushuar nga puna menjëherë pas zgjedhjeve. Pra kërcënimi është kthyer në fakt.

Gënjeshtra e tretë dhe më e rëndë, që i doli Ndreut në emision, ishte fakti se ligji e ndalon një drejtor shkolle të jetë edhe kryetar i një partie politike. Kur u vu përballë këtij fakti ish deputeti nuk foli më dhe mbylli telefonin.

Tani, kur analizon gjithë këtë skandal me të drejtë mund të ngresh pyetjen: Pse Pjerin Ndreu duhet të shfaqej në “Opinion” njësoj si ata të pandehurit e pagdhendur që rëndojnë pozitën e vet? Pse i duhej ajo shfaqe ku u kap në mashtrime të pafundme? Mos vallë kaq shumë e kanë humbur rilindasit sensin e realitetit, kaq shumë e kanë holluar kufirin mes të mirës dhe të keqes, ndershmërisë dhe krimit, sa këto të fundit nuk i bëjnë as përshtypje.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne