Shqiperia Sociale

MAS, vijon konflikti mes ministres dhe sekretarit të përgjithshëm

Konflikti mes ministres së Arsimit dhe sekretarit të përgjithshëm Plarent Ndreca, për të cilin zonja Karabina ka kërkuar pezullim, duket se ka shkaktuar vonesat e pagave për punonjësit e këtij dikasteri.

Për këtë, ministrja Karabina ka shpërndarë një deklaratë për media ku thotë se, në mënyrë të qëllimshme institucioni është i bllokuar si pasojë e vonesës në miratimin e kërkesës zyrtare për emërimin e nëpunësit autorizues, pra mosnjohjen e firmës së sekretarit të përgjithshëm nga Ministria e Financave dhe zëvendësimin e tij.

Por Departamenti i Administratës Publike dhe Këshilli Mbikëqyrës i shërbimit civil i kanë kthyer përgjigje ministres Karabina duke thënë se vendimi për pezullimin e sekretarit të përgjithshëm është i jashtëligjshëm.

Nga ana tjetër, i kontaktuar me telefon nga Top Channel, Plarent Ndreca ka deklaruar se vijon të jetë në detyrë dhe se një ditë më parë ka firmosur pagat e punonjësve, vendim që pritet të ekzekutohet nga Thesari.

Po kështu, në një shkresë zyrtare Ministria e Finanacve i ka kthyer përgjigje asaj të Arsimit duke deklaruar se, pas informacionit të marë nga Departamenti i Administratës Publike nuk rezulton që sekretari i përgjithshëm të jetë liruar dhe nuk mund të konfirmojë zëvendësimin e tij me emrin e autorizuar nga Ministria e Arsimit.

Ndërkohë, punonjës të MAS thonë se zakonisht në këtë institucion  pagat merren më datë 5 të çdo muaji.

OPINIONE

INTERVISTA