Shqiperia

Mashtrimi me TVSH, si u bë bojaxhiu administrator fiktiv i miliona eurove. Zbardhet dëshmia e të riut

Administratori i një prej kompanive fiktive, që sipas Prokurorisë është pjesë e 5 të tillave që kanë organizuar skemën e mashtrimit, rezultoi të ishte në të vërtetë një bojaxhi.

Kështu ka deklaruar para hetuesve Drilon Bareti, i cili më tej ka treguar edhe emrat e personave që i kanë kërkuar të regjistronin aktivitetin në emrin e tij. Bareti ka thënë ndër të tjera se ai ka marrë një shumë prej 150 mijë lekësh dhe se i është premtuar që për 5 vitet e ardhshme do të merrte një rrogë mujore.

I riu, i cili shprehet se për të jetuar, punon bojaxhi dhe merret me gipse, në dëshminë e tij ka shprehur pendesë dhe kë thënë se edhe në momentin që ka i firmosur personit Ned Limallari, i kishte bërë të qartë se nëse do kishte probleme me shtetin, do tregonte çdo gjë. Prokuroria dyshon se edhe administratorët e tjerë të kompanive që kanë lëshuar një numër të lartë të faturave, kanë administrator që realisht nuk kanë lidhje me skemën dhe janë përdorur për të humbur gjurmë nga persona të tjerë, për të cilët vijojnë hetimet për identifikimin e tyre.

Nga ana tjetër, edhe biznesmenët e arrestuar, që kanë bërë blerje në këto kompani, mohuan të ishin pjesë e ndonjë skeme mashtrimi.

DËSHMIA E PLOTË

“Unë me profesion jam bojaxhi dhe merrem me gipse, pra punoj ku ka punë, së bashku dhe me një shok timin që e quajnë S. Marku. Para afro një viti e gjysmë, me sa mbaj mend, kam pasur një fatkeqësi familjare dhe më duheshin një shumë parash. Për këtë i kam kërkuar ndihmë një komshiu tim, që e quajnë V. Saiti. Ky i fundit më tha që kam një shokun tim i cili ka një problem dhe do të nxjerrë një licencë për të hapur magazina dhe të ndihmon me para.

Pas dy ditësh, më ka marrë në telefon V. Saiti dhe më tha shko te kafja se ka ardhur ai shoku. Shkova dhe kam takuar shokun e V. Saitit, i cili m’u prezantua me emrin Vildan, por emri i tij ishte Ned Limallari, i cili ka qenë i shoqëruar nga një person tjetër dhe më ka dhënë fillimisht 150.000 lekë të reja, duke më thënë se donte të hapë disa magazina për lëndë ndërtimi, por duhet regjistrimi në QKB dhe dokumentet e tjera të bëheshin në emrin tim.

Ok, i thashë, por nuk duhet të kem probleme me shtetin. Në rast se unë do të kem probleme, i thashë Nedit, do të tregoj të gjitha si kanë ndodhur. OK, më tha ai. Gjithashtu, ai më tha që do të marrësh 30.000 lekë muaj për muaj, për pesë vite. Pas kësaj kemi shkuar në disa zyra si prefekturë, bashki etj., e kemi nxjerrë dokumente, ndërsa ditën tjetër ka ardhur përsëri Nedi dhe pasi kemi bërë një pagesë te një bankë në Shkodër, ka shkuar te tatimet. Atje Nedi ka marrë nja dy kuti me blloqe faturash tatimore.

Pas kësaj, ai u largua. Më pas nuk e kam takuar më asnjëherë Nedin. Sqaroj se para afro dy vitesh, Vildani më ka thënë që meqenëse unë kam të regjistruar shumë makina në emrin tim, a mund të bëjmë një aktshitje në ermin tënd dhe të jap 200 euro. Në kushtet e gjendjes së vështirë ekonomike, kam pranuar. OK, i thashë, por nuk dua të kem probleme. Kemi shkuar te një notere me emrin Valbona, bëmë letrat, ndërkohë që kam firmosur ca letra, dhe në fakt edhe sot e kësaj dite makina është në emrin tim, por e mban Valdrini. Sqaroj se unë nuk kam pasur ndonjë biznes apo aktivitet tregtar, pasi mezi siguroj bukën e gojës. Jam penduar për ato letra që kam firmosur, por nuk i kamë dhënë rëndësi, kam firmosur ngaqë më duheshin paratë”, ka thënë Drilon Bareti para hetuesve.

SKEMA

Në dosjen e Prokurorisë, që “Panorama” disponon, shpjegohet skema dhe dëmi që këto 5 kompani i kanë shkaktuar shtetit. Prokuroria thotë se pesë shoqëritë e përfshira në krijimin e skemës, kryenin blerje fiktive te njëra-tjetra, me qëllim kreditimin e TVSH-së dhe më pas shkarkimin e saj te subjektet që operojnë në fushën e ndërtimit.

Disa nga subjektet e përfshira në skemë janë mosdeklaruese në organet tatimore, duke mosdeklaruar blerjet e tyre dhe duke plotësuar në vlerën 0 deklaratat e TVSH-së dhe tatimfitimit. Nga hetimi ka rezultuar se administratorët e këtyre subjekteve, në kohën kur ushtronin funksionin si administratorë, kanë punuar paralelisht dhe në subjekte të tjera në pozicione si magazinier, dispeçer etj., çfarë krijon dyshimin e fiktivitetit të administrimit të tyre.

Akuza e kryeqytetit thotë se kompanive të përfshira në skemë nuk iu bë e mundur identifikimi i adresave ku kryejnë aktivitetin ekonomik, çfarë krijon dyshim të arsyeshëm për fiktivitetin e veprimtarisë së tyre. Disa nga subjektet e përfshira në skemë nuk deklarojnë bilance dhe inventarë në organet tatimore, duke bërë të pamundur verifikimin e inventarëve të tyre, faktit nëse kanë asete ose makineri në dispozicion, toka ose ndërtesa. Subjektet kanë detyrime në vlera të larta të papaguara në organet tatimore. Paralelisht kryejnë shitje te subjektet e ndërtimit, duke shkarkuar fatura të cilat dyshohet të jenë fiktive për arsye kreditimi TVSH dhe fryrje të shpenzimeve nga ana e subjekteve në fushën e ndërtimit.

Prokuroria e Tiranës ka përllogaritur një vlerë prej më shumë se 1 miliard të faturave të lëshuara nga këto 5 kompani, si dhe një dëm rreth 3 milionë lekë TVSH dhe 2.8 milionë në tatimfitim.

“Subjektet e përfshira në skemë, nuk kanë mundësinë financiare dhe gjithashtu fuqinë punëtore për të kryer punimet për të cilat pretendojnë se kanë kryer kundrejt shoqërive në fushën e ndërtimit, duke e bërë veprimtarinë e deklaruar prej tyre të paqenë. Vlera në total e faturave të lëshuara nga këto shoqëri është në shumën 1 898 548 993, TVSH 316 424832 lekë, tatimfitimi 284 782 349 lekë (vlera e dyshuar e evazionit është TVSH 316 424 832 lekë dhe tatimfitim 284 782 349 lekë)”, thuhet në dosje