Maskat djegin 3 makina, pronari: S’kam konflikte

Tre automjete janë djegur në orët e para të së shtunës në qytetin e Vlorës. Ngjarja ka ndodhur në zonën e “Ujit të ftohtë”.

Automjetet e djegura janë një “Smart”, një “Audi A3” me targa AA 060 HB dhe një “Land Rover” me targa italiane DX 887 YP. Nga informacionet e Policisë dyshohet se automjetet janë djegur me lëndë djegëse (benzinë), ndërsa mësohet se automjetet kanë shpërthyer rreth orës 01:58. Mësohet se automjetet “Smart” dhe “Audi” janë në pronësi të E.H., 26 vjeç, ndërsa automjeti tip “Land Rover” me targa italiane, e hallës së tij, kjo e fundit e martuar me një shtetas italian.

Nga Policia e Vlorës konfirmohet se ata kanë në bashkëpronësi një lokal pranë Gjykatës së Vlorës. Sipas Policisë mësohet se fillimisht ka marrë flakë automjeti tip “Smart” dhe më pas “Audi”, të dyja këto automjete të parkuara pranë njëri-tjetrit, ndërsa më pas ka marrë flakë edhe automjeti tjetër tip “Land Rover”.

Nga Policia është duke u hetuar për shkaqet e ngjarjes, ndërsa në vendin ku edhe ka ndodhur djegia e automjeteve, shtetasi E.H ka edhe banesën e tij, në një pallat në zonën e “Ujit të ftohtë”. Pikërisht aty automjetet ishin të parkuara, ndërsa flakët janë evidentuar nga vetë të dëmtuarit, por edhe banorë, që kanë lajmëruar menjëherë Policinë dhe forcat zjarrfikëse. Këto të fundit kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve, por automjetet kanë pësuar dëmtime të mëdha, ndërsa “Smart”- i është djegur plotësisht.

Dy automjetet e tjera kanë dalë jashtë përdorimit, pasi janë djegur totalisht në pjesën e motorit, por dëmtime kanë pësuar dhe në pjesë të tjera. Nga këqyrja e kamerave të sigurisë, burime pranë Policisë tregojnë se kanë qenë tre persona të maskuar me kapuça, ata të cilët dyshohet të kenë kryer këtë akt, duke i spërkatur automjetet me lëndë djegëse (benzinë) dhe më pas i kanë vënë flakën.

Ndërsa pronari i makinave, gjatë marrjes në pyetje, ka deklaruar se nuk ka konflikte të hapura. 26-vjeçari punon në lokalin e tij në afërsi të Gjykatës dhe nuk ka pasur asnjëherë probleme.

Hetimet e Policisë konfirmohet se janë përqendruar kryesisht në biznesin e tij, pasi një nga shkaqet dyshohet të jetë konkurrenca./Panorama

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne