Mazhoranca miratoi paketën “Anti-KÇK”, ja cilat janë 12 organizatat që dalin kundër vendimit të qeverisë

“Miratimi me akt normativ me fuqinë e ligjit të paketës ligjore anti-KÇK ka cenuar parime të rëndësishme kushtetuese” – kështu shprehen 12 organizatat e Shoqërisë Civile kundër paketës “Anti-KÇK”.

12 organizatat që dalin kundër vendimit të qeverisë janë:

Komiteti Shqiptar i Helsinkit ; Instituti për Studime Politike (ISP) ; Birn Albania ; Instituti Shqiptar i Shkencës ; Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim (CDI) ; Instituti i Kërkimeve Urbane ; Fondacioni Shqiptar për të drejtat e personave me Aftësi të Kufizuar ; Qendra Altri ; Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes ; Qendra për Nisma Ligjore Qytetare ; Civil Rights Defenders ; INAC

Ato pretendojnë se diskutimi i kësaj pakete do duhej të ishte gjithë përfshirje dhe në respektim të Kushtetutës dhe Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Ndërsa pretendojnë se organizatat vendase të shoqërisë civile janë kufizuar deri më sot nga e drejta për tu njohur me përmbajtjen e kësaj pakete, çka cenon parimet e një qeverisje të hapur, transparente dhe llogaridhënëse.

Duke mos patur mundësi të shprehen për tekstin e ndërhyrjeve të propozuara, referuar deklaratës të Ministres së Drejtësisë tërheqin vëmendjen për disa shkelje të cilat krijojnë probleme, nga pikëpamja formale dhe substanciale, lidhur me ligjshmërinë por edhe kushtetutshmërinë e saj.

  1. Sipas nenit 28 të Rregullores së Kuvendit nuk lejohet procedura e përshpejtuar e projektligjeve të parashikuara nga neni 81 pika 2 e Kushtetutës, pra ligje që kërkojnë miratimin me shumicë të cilësuar prej të pakten 3/5 e deputetëve. Shtesat ose ndryshimet ligjore që mendohen t’u bëhen disa prej ligjeve të përmendura më lart me aktin normativ, janë miratuar me votim të cilësuar dmth në bazë të nenit 81 pika 2 e Kushtetutës.
  1. Me vendimin nr. 11 datë 02.04.2008, Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar neni 315 i Kodit Penal të titulluar “Dhënia e një vendimi të padrejtë”. Në këtë vendim midis të tjerave thuhet “se gjykata çmon se mundësia e fillimit të ndjekje penale ndaj një gjyqtari për dhënien e një vendimi përfundimtar ndërkohë që vendimi mund të shqyrtohet nga një gjykatë më e lartë, krijon një presion të papërshtatshëm ndaj gjyqtarit, çka do të dëmtonte dhënien e drejtësisë dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut” dhe më poshtë “vendimet e një gjyqtari kundërshtohen vetëm në një gjykatë më të lartë dhe asnjë organ tjetër nuk mund të vlerësojë ligjshmërinë dhe bazueshmërinë e vendimit gjyqësor derisa ato nuk janë ndryshuar ose prishur sipas ligjit”.
  2. Sipas nenit 147/d të Kushtetutës, Inspektori i Lartë i Drejtësisë është përgjegjës ndër të tjerash për verifikimin e ankesave, dhe fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve, prokurorëve. Kjo normë kushtetuese konkretizohet edhe në ligjin 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve” të ndryshuar. Gjykata Kushtetuese ka elaboruar në vendimet e saj standartin se atributet që Kushtetuta i ka caktuar një organi, nuk mund ti jepen një organi tjetër (shih vendimin nr. 78 datë 12.12.2017 i Gjykatës Kushtetuese)

Sipas neneve 147/a dhe 149/a të Kushtetutës, përkatësisht Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Larte i Prokurorisë nuk kanë kompetencë të fillojnë hetimin gjyqëesor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne