Mbahet në Tiranë Forumi Ekonomik Shqipëri – Hungari

 Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), në bashkëpunim me Ambasadën e Hungarisë në Tiranë dhe Dhomën Hungareze të Tregtisë organizuan sot Forumin Ekonomik Shqipëri – Hungari, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas organizatorëve ky forum synon forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, rritjen e partneritetit si dhe shkëmbimin e eksperiencave midis bizneseve.

Të pranishëm në aktivitet ishin ministri i Shtetit Hungarez për Diplomacinë Ekonomike, Levente Magyar, ministri shqiptar i Transportit dhe Infrastrukturës, Sokol Dervishaj, zv/ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë, Turizmit dhe Sipërmarrjes e Shqipërisë, Adela Karapici, etj.

Magyar, gjatë një fjale të mbajtur në këtë forum tha se është shumë optimist duke parë zhvillimin e Shqipërisë kohët e fundit. Ai vlerësoi si moment kyç procesin e rrugës për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian (BE).

‘Mendoj se data për integrimin tuaj në BE nuk do të jetë e largët. Në këtë aspirim, Hungaria është një nga vendet më të përkushtuara dhe mbështet me të gjitha mënyrat dhe forcat e saj Shqipërinë’, tha Magyar dhe më pas shtoi duke thënë se gjatë ditës së sotme ai do të prezantojë ekspertin e Hungarisë i cili do të punojë pranë Ministrisë shqiptare të Punëve të Jashtme për të ndihmuar në këtë rrugëtim, duke e quajtur këtë mbështetje të pa kushtëzuar. Në vijim ai vuri theksin edhe tek puna e vendit të tij për rritjen e bashkëpunimit në fushën ekonomike.

Ndërsa Dervishaj u shpreh se e cilëson si historike rifillimin e linjës ajrore Tiranë-Budapest. Në vijim duke folur për rëndësinë e forumit Dervishaj ka thënë se ai është një tregues i mirë i zhvillimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Ndërkohë në forum u nënshkruan 5 memorandume mirëkuptimi, një nga të cilat mes AIDA-s dhe Dhomës Kombëtare Hungareze të Tregtisë për më shumë bashkëpunim mes palëve sidomos në fushën e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Në këtë aktivitet morën pjesë 20 kompani hungareze te cilat kanë shprehur interesin e tyre për partneritet me kompani shqiptare dhe kanë parë nga afër mundësitë për të investuar në Shqipëri.

Në kuadër të vizitës së tij në Tiranë, ministri hungarez krahas takimeve të tjera të nivelit të lartë, ka zhvilluar një takim edhe me shefin e diplomacisë shqiptare, Ditmir Bushati./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne