Mbërrijnë në Shqipëri ndihmat mjekësore të Turqisë

Në Shqipëri kanë mbërritur ndihmat mjekësore të dërguara nga Gjysmëhëna e Kuqe Turke për Kryqin e Kuq Shqiptar, në kuadër të luftës kundër pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19).

Gjatë mbërritjes së avionit ushtarak turk në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës “Nënë Tereza” ishte i pranishëm ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë dhe drejtues të Kryqit të Kuq Shqiptar.

Në një prononcim për mediat, ambasadori Yörük tha se Republika e Turqisë edhe në këto situata të vështira e vlerëson si shumë të çmuar dhe shumë të rëndësishme këtë solidaritet të gjithanshëm dhe mbështetjen humanitare.

“Që nga momenti që kjo epidemi u shndërrua në pandemi, ne si Turqi brenda mundësive tona jemi përpjekur të gjendemi me gjithë fuqinë pranë shteteve, popujve të tjerë. Në zbatim të direktivave dhe porosive të Presidentit të Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, Turqia ka ofruar ndihma humanitare në 5 kontinente, në më shumë se 60 vende. Materialet e ndryshme shëndetësore shumë të nevojshme për këtë situatë janë dërguar nga Turqia duke filluar në SHBA, Britani, disa nga vendet e BE-së, siç është Spanja dhe Italia dhe shumë vende të tjera”, u shpreh ambasadori turk.

Ai tha se këto ndihma nuk janë të parat të këtij lloj, por janë të tretat që vijnë në Shqipëri, ndërsa theksoi më tej se në ditët e para të fillimit të kësaj pandemie, Presidenti i Republikës së Turqisë mori një vendim që të lejohet eksportimi i mallrave shëndetësore, duke ofruar 8 tonë materiale shëndetësore për Shqipërinë.

“Më pas ndihma e Turqisë për Shqipërinë vijoi me ofrimin e 6 ambulancave të mirëkompletuara, përfshirë këtu edhe respiratorët dhe këto ambulanca iu dhuruan Forcave të Armatosura të Shqipërisë, nëpërmjet Forcave të Armatosura Turke dhe Ministrisë sonë të Shëndetësisë. Materialet e sjella sot janë 1.5 ton materiale mbrojtëse, që do të përdoren në shërbim të popullit shqiptar”, tha ambasadori i Turqisë në Tiranë.

– “Edhe sikur bota të përmbyset, Turqia nuk do të heq dorë së ndihmuari Shqipërinë”

Ai theksoi më tej: “Më lejoni të kujtoj një fjalë të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, që pati thënë në momentet e para kur filloi pandemia, ku u shpreh ‘Edhe sikur bota të përmbyset, Turqia nuk do të heq dorë së ndihmuari Shqipërinë”.

“Ne jemi të lumtur dhe shumë të kënaqur që vazhdojmë të ofrojmë ndihmë dhe kontributin tonë vëllezërve tonë shqiptar që gjithmonë kanë vendin e tyre tek ne, ndihmë që ka vijuar edhe pas tërmetit shkatërrimtar të muajt nëntor të vitit të kaluar, ashtu edhe në përballimin e kësaj lufte kundër pandemisë. Qeveria shqiptare në masat paraprake që ka marrë ka qenë mjaft e suksesshme për përballimin me sukses të kësaj pandemie”, u shpreh më tej ambasadori Yörük.

Drejtoresha e përgjithshme e politikave të shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale, në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, Merita Xhafaj, gjatë prononcimit për media tha se këto nuk janë ndihmat para që vijnë nga Turqia.

“Ka pasur bashkëpunim në ndihma të tjera të cilat janë fokusuar kryesisht në masat mbrojtëse për personelin shëndetësor, por edhe për gjithë popullatën. Falënderojmë shumë qeverinë turke, në mënyrë të veçantë ambasadorin, Gjysmëhënën e Kuqe Turke dhe Kryqin e Kuq Shqiptar për një bashkëpunim kaq konstruktiv”, u shpreh Xhafaj.

Ndërsa presidenti i Kryqit të Kuq Shqiptar (KKSH), Ylli Alushi, theksoi se Gjysmëhëna e Kuqe Turke është një nga partnerët kryesorë të Kryqit të Kuq Shqiptar, jo vetëm në këtë situatë, por edhe në situata të tjera.

“Kjo sasi ndihmash ka të bëje me pajisje mbrojtëse që janë të nevojshme për personelin tonë, për vullnetarët dhe është detyrimi ynë që ndaj tyre ne të kujdesemi në maksimum, në mënyrë që ata të shërbejnë aty ku ka nevojë, por duke mos dëmtuar shëndetin e tyre. Falënderoj Gjysmëhënën e Kuqe Turke për këtë kontribut, ambasadorin e Republikës Turke në Shqipëri i cili ka qenë mjaft aktiv gjatë kësaj situate për sa i përket koordinimit të ndihmave, jo vetëm tani por edhe më përpara, ka një sensibilitet jashtëzakonisht të lartë në këtë drejtim”, tha Alushi.

Ndihmat për Shqipërinë përfshijnë 75.000 maska kirurgjikale, 4.000 dorëza nitrile, 2.000 kominoshe mbrojtëse dhe 2.000 syze mbrojtëse./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne