Mbi 180 mijë të vdekur nga COVID-19 në mbarë botën

Numri i të vdekurve nga koronavirusi i ri (COVID-19) në gjithë botën ka kaluar në mbi 180 mijë.

Gjithsej 180.013 viktima janë regjistruar deri më tani në mbarë botën, ndërsa numri i rasteve ka shkuar në 2.588.283, sipas faqes së internetit “Worldometer”, e cila përpilon të dhënat në lidhje me pandeminë.

Numri më i madh i vdekjeve është regjistruar në SHBA, me 45.430 viktima, ndërsa pas saj radhiten Italia me 24.648 viktima, Spanja me 21.717, Franca me 20.796, Britania me 18.100, Belgjika me 6.262, Irani me 5.391, Gjermania me 5.127 dhe Kina me 4.632 të vdekur nga COVID-19.

Vendet e tjera me mbi 1.000 viktima janë Holanda me 4.054, Brazili me 2.769, Turqia me 2.259, Suedia me 1.937, Kanadaja me 1.871 dhe Zvicra me 1.478 të vdekur.

Pas shfaqjes në Wuhan të Kinës në dhjetor të vitit të kaluar, pandemia COVID-19 është përhapur në gjithë botën. Deri më tani, 706.423 të infektuar e kanë mposhtur sëmundjen, kurse aktualisht ka mbi 1,7 milion raste aktive që presin të shërohen./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne