Bota

Mbi 2.000 të arrestuar në ditën e dytë të protestave në Bjellorusi

Zëdhënësja e Ministrisë së Brendshme të Bjellorusisë, Olga Çemodanova, njoftoi se janë arrestuar mbi 2.000 persona në ditën e dytë të protestave të filluara pasi Aleksandr Lukashenko ka fituar zgjedhjet presidenciale sipas rezultateve jozyrtare.

Çemodanova tha se mbrëmë kanë vazhduar protestat në Minsk, Brest, Mogilyev dhe Novopolotsk.

Ajo tregoi se protestuesit kanë sulmuar forcat e sigurisë dhe se kanë shkaktuar dëme materiale për shkak të incidenteve, duke shtuar se 21 punonjës të sigurisë janë plagosur.

Çemodanova deklaroi se disa grupe kanë përdorur bomba tymi dhe koktejl molotovi. “Janë arrestuar mbi 2.000 persona në mbarë vendin me arsyetimin se kanë marrë pjesë në protestat e paautorizuara”, u shpreh Çemodanova.

Kandidatja opozitare Tikhanovskaya që pretendonte se ka fituar zgjedhjet ka braktisur vendin

Ndërkohë, kandidatja opozitare Svetlana Tikhanovskaya që pretendon se është bërë mashtrim në rezultatet e zgjedhjeve dhe se zgjedhjet i ka fituar ajo, duke publikuar një video tregon se është larguar me dëshirën e saj nga vendi dhe se ka shkuar në Lituani.

Ajo u bëri thirrje atyre që e mbështesin që të jenë të matur dhe të respektojnë ligjet, ndërsa falenderoi ato që kanë votuar.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Bjellorusisë, kishte njoftuar se zgjedhjet e fundjavës sipas rezultateve jozyrtare i ka fituar presidenti aktual Lukashenko duke fituar 80,23 për qind të votave. Kandidatja Tikhanovskaya, nga ana tjetër ka fituar 9,9 për qind të votave./AA

OPINIONE

INTERVISTA