“Mbi 300 të vdekur dhe të plagosur nga sulmet e EBA-së në Jemen”

Ministria e Mbrojtjes e Jemenit njoftoi se numri i të vdekurve dhe të plagosurve nga sulmet e avionëve të Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) ndaj forcave qeveritare në kryeqytetin e përkohshëm Aden dhe në Ebyen ka shkuar në mbi 300, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Numri i të vdekurve dhe të plagosurve civilë dhe nga forcat ushtarake si pasojë e sulmeve të EBA-së është mbi 300”, thuhet në një deklaratë të përbashkët të ministrisë dhe Shtatmadhorsië së Jemenit, pa specifikuar numrin e saktë të të vdekurve dhe të plagosurve.

Në deklaratë thuhet se EBA kreu rreth dhjetë sulme në Aden dhe rrethinë dhe në qendër të Ebyenit dhe se avionët e Emirateve ende janë duke fluturuar.

Ministria dhe shtatmadhoria jemenase i cilësuan sulmet si të qëllimshme dhe kundër normave dhe ligjeve ndërkombëtare dhe shprehën zotim për pastrimin e militantëve nga vendi dhe vendosjen e qeverisë legjitime.

Deklarata i ka bërë thirrje forcave të koalicionit në krye me Arabinë Saudite, qeverisë dhe forcave ushtarake të gjykojnë autorët dhe ka shprehur nevojën që EBA t’i japë fund mbështetjes ndaj të gjitha subjekteve ushtarake joligjore.

Ndryshe, njësitë Hizam Emni të lidhura me Këshillin Kalimtar Jugor separatist të mbështetur nga EBA, më 10 gusht morën kontrollin mbi qytetin e Adenit duke pushtuar Pallatin Presidencial Maashik dhe institucionet strategjike shtetërore, ndërsa më 20 gusht siguruan kontroll mbi selinë ushtarake në Ebyen në jug të vendit.

Forcat qeveritare pas përleshjeve që filluan javën e kaluar kthyen kontrollin në Ebyen dhe Aden. Megjithatë, pas sulmeve të djeshme të avionëve të EBA-së, Adeni dhe qyteti qendror i Ebyenit, Zenxhibar, sërish kaluan nën kontrollin e separatistëve të mbështetur nga Emiratet.

Jemeni është përfshirë nga lufta civile që nga viti 2014, kur rebelët Huthi pushtuan pjesën më të madhe të vendit, përfshirë kryeqytetin Sanaa.

Konflikti u përshkallëzua edhe më tej kur Arabia Saudite dhe aleatët e saj suni-arabë filluan një fushatë masive ajrore që synonte pengimin e avancimit të rebelëve Huthi. Dhuna e vazhdueshme ka shkatërruar infrastrukturën themelore të Jemenit, duke bërë që OKB të përshkruajë situatën si “një nga katastrofat më të këqija humanitare të kohërave moderne”./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne