Mbi 547 djem të abuzuar seksualisht ndër vite në shkollën katolike gjermane

Të paktën 547 djem kanë pësuar abuzim seksual ose fizik në një shkollë gjermane katolike kori, të krahasuar nga viktimat me “burgun, ferrin apo kampet e përqendrimit”, tha një hetues që lëshoi ​raportin përfundimtar të martën mbi një nga skandalet më të këqija të vendit.

Regensburger Domspatzen, një kor kishe 1000-vjeçar në shtetin jugor të Bavarisë, u përfshi në vitin 2010 në skandalin masiv të abuzimit seksual dhe pedofilisë që preku Kishën Katolike anembanë botës.

Shumë viktima e kujtojnë shkollën e korit me famë botërore në qytetin e Regensburgut si “koha më e keqe e jetës së tyre, e karakterizuar nga frika, dhuna dhe pafuqia”, tha avokati Ulrich Weber, i cili ishte autorizuar dy vjet më parë nga dioqeza për t’u marrë me rastet.

Duke paraqitur raportin e tij përfundimtar për abuzimet midis vitit 1945 dhe fillim të viteve 1990, Weber tha se kishte zbuluar 67 raste të abuzimit seksual dhe 500 raste të dhunës fizike, dhe disa ish-këngëtarë që kishin rënë viktimë e të dyjave.

Kjo ishte më shumë se dyfishi i 231 rasteve të raportuara abuzimi nga kleri i shkollës dhe edukatorët, që Weber kishte zbuluar përmes intervistave deri në janar 2016, kur ai tha se viktimat kishin folur për përdhunim, sulme seksuale, rrahje të rënda dhe privim nga ushqimi.

Weber, i cili nuk ishte në gjendje të fliste me të gjithë ish-studentët, tha se ai e vlerëson numrin e vërtetë të viktimave në rreth 700.

Hetuesi vuri në dukje një “kulturë heshtjeje” që synonte të mbronte reputacionin e korit të njohur të djemve dhe të rinjve që ka bërë shumë regjistrime dhe ka performuar në mbarë botën.

Ai ia vendosi një pjesë të fajit ish-drejtuesit të korit të shkollës, Georg Ratzinger, vëllai më i madh i ish-papës Benedikti XVI.

Si kreu i korit nga viti 1964 deri në vitin 1994, Georg Ratzinger mund të “fajësohet për bërjen e një syri qorr e një veshi shurdh, dhe për mos ndërhyrje” në dhunën fizike, tha Weber, i cili shtoi se nuk kishte prova që Ratzinger e dinte për dhunën seksuale.

Ratzinger, 93 vjeç, ka mohuar të ketë pasur dijeni dhe ka thënë se abuzimi i supozuar seksual nuk ishte “diskutuar kurrë” ndërsa ai drejtonte korin.

Weber akuzoi gjithashtu kardinalin e Regensburgut, Gerhard Ludwig Mueller, pasi nuk kishte arritur të zbulonte disa dekada abuzimi apo se nuk ishte angazhuar në dialog me viktimat.

Ai tha se 49 autorë të dyshuar ishin identifikuar, por ata nuk pritej të përballeshin me akuza penale pasi krimet e supozuara kanë ndodhur shumë kohë më parë.

Viktimat e njohura deri tani pritet të marrin 20,000 euro (23,000 dollarë) secili si kompensim.

Skandali i abuzimit është një nga disa të tillë që kanë tronditur Kishën Katolike vitet e fundit, veçanërisht në Irlandë, ku një prift ka pranuar abuzimin seksual me më shumë se 100 fëmijë.

Edhe disa nga institucionet gjermane janë përfshirë nga skandali, duke përfshirë një shkollë elitare jezuite në Berlin, e cila pranoi abuzimin sistematik seksual të nxënësve nga dy priftërinj në vitet 1970 dhe 1980. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne