Bota

Mbi 900 fëmijë të ndarë nga familjet brenda një viti në kufirin SHBA-Meksikë

Mbi 900 fëmijë janë ndarë nga familjet e tyre në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) në kuadër të politikave për migrantët e parregullt në kufirin me Meksikën.

Sipas një analize të Unionit Amerikan të Lirive Civile (ACLU) bazuar në të dhënat qeveritare, nga 26 qershori i vitit 2018 deri më 29 qershor të vitit 2019, 911 fëmijë janë ndarë nga 844 familje.

Nga fëmijët e ndarë, 481 janë të moshës nën dhjetë vjeç, kurse 185 prej tyre nën moshën pesëvjeçare, ndërkohë që mosha mesatare e fëmijëve të larguar nga familjet është nëntë vjeç, thuhet në analizën e ACLU-së.

Siç theksohet, fëmijët në fjalë mbahen në qendrat e pranimit të Departamentit amerikan të Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore.

Ndryshe, pas një ankese të ACLU-së vitin e kaluar, gjykatësja Dana Sabraw e Gjykatës Rajonale Federale të SHBA-së kishte ndaluar “përkohësisht” ndarjen e fëmijëve që hyjnë ilegalisht në SHBA nga familjet e tyre dhe deportimin e tyre pas bashkimit familjar

Ndërkaq, kryetari i Shërbimeve Kolektive të Organizatave Humanitare Katolike të New York-ut e kishte cilësuar si një “ndjenjë të keqe dezhavuje” ndarjen e fëmijëve nga familjet e tyre përkundër vendimit, duke theksuar se “qeveria nuk merr parasysh vendimin e gjykatës”.

Nga ana tjetër, siç thuhet, 97 fëmijë u janë kthyer familjeve të tyre pasi janë mbajtur mesatarisht 85 ditë, kurse 40 fëmijë u janë dorëzuar “familjes më të largët” ose “sponsorëve jo të afërm”./AA