Mbretëresha Elizabetë II: Princi Çarls do të jetë pasuesi im në krye të Komonuelthit të Kombeve

Mbretëresha Elizabetë II e Mbretërisë së Bashkuar njoftoi të premten se Princi Çarls, trashëgimtar i kurorës britanike, do të jetë pasuesi i saj në krye të Komonuelthit të Kombeve.

Liderët e 53 kombeve të Komonuelthit pranuan se Princi Çarls do të pasojë Mbretëreshën Elizabetë II si kryetar i kësaj organizate të udhëhequr nga Britania e Madhe.

Në një deklaratë të përbashkët nga 53 kombet, falënderohet Mbretëresha për mënyrën e saj të drejtimit të grupit që prej vitit 1952 dhe thuhet se atë do ta zëvendësojë Çarls, Princi i Uellsit, djali më i madh i Mbretëreshës dhe trashëgimtar i kurorës britanike.

Mbretëresha, e cila mbush sot 92 vjeç, u kërkoi liderëve të Komonuelthit në fillim të samitit në Londër se ajo dëshiron që Çarls ta pasojë atë.

“Ne e njohim rolin e Mbretëreshës në mbrojtjen e Komonuelthit dhe banorëve të tij”, thuhet në këtë deklaratë.

“Kreu i radhës i Komonuelthit duhet të jetë Lartësia e Tij Mbretërore, Princi Çarls i Uellsit”, thekson deklarata.

Liderët zhvilluan të enjten dhe të premten një takim privat në Kështjellën “Windsor” jashtë Londrës për të biseduar mbi organizimin e ardhshëm dhe çështje të tjera.

Drejtimi i kësaj organizate me 53 kombe anëtare, i cila formohet kryesisht nga ish-kolonitë britanike, nuk pasohet nëpërmjet trashëgimisë, por s’ka gjithashtu një mekanizëm të akorduar mbi përcaktimin e kreut. Përpara vendimit të së premtes, në rend të ditës ishte ngritur edhe sistemi i presidencës me rotacion ndërmjet vendeve anëtare.

Popullsia e përgjithshme e shteteve anëtare të Komonuelthit të Kombeve, ideuar për herë të parë gjatë procesit të shpërbërjes graduale të Perandorisë Britanike dhe themeluar në vitin 1931, është rreth 2,4 miliardë banorë.

Duke qenë se kur mori këtë detyrë Mbretëresha Elizabetë II ishte kryetare shteti e 7 vendeve anëtare të Komonuelthit, i cili asokohe kishte vetëm 8 anëtarë, kjo nuk përbënte ndonjë debat. Por meqenëse kjo organizatë ndërqeveritare numëron sot 53 vende anëtare dhe vetëm 15 prej tyre e njohin Mbretëreshën Elizabetë II si kryetare shteti, në rend të ditës mund të vijnë opsione të tjera.

Komonuelthi i Kombeve ka fituar një rëndësi të posaçme kohëve të fundit për Britaninë e Madhe, e cila ka hyrë në procesin e shkëputjes nga Bashkimi Evropian (Brexit). Përkrahësit e Brexit-it theksojnë rëndësinë e zhvillimit të mëtejshme të marrëdhënieve me organizatën ndërqeveritare në fjalë duke argumentuar se ajo ofron për Anglinë tregje dhe shanse bashkëpunimi më të rëndësishme sesa BE-ja.

Nga ana tjetër, Mbretëresha Elizabetë II ka nisur prej kohësh transferimin e kompetencave dhe detyrave të saj tek Princi Çarls dhe dy nipërit, Princi Uilliam dhe Princi Herri. Vitin e kaluar, Princi Filip, bashkëshorti i Mbretëreshës, dorëzoi gjithashtu të gjitha postet publike të tij.

Mendime të ndryshme ka edhe mbi emrin që do të trashëgojë kurorën britanike. Opinioni publik britanik në përgjithësi ka tendencën që fronin e Mbretërisë së Bashkuar pas Elizabetës II të mos e drejtojë 69-vjeçari Çarls, por djali i madh i tij, Uilliam.

Elizabetë Aleksandra Meri Uindsor, gjerësisht e njohur si Mbretëresha Elizabetë II, ka punuar me gjithsej 13 kryeministra, nga Uinston Çërçill deri tek Tereza Mej, përgjatë 66 viteve të mbretërimit të saj.

Duke qenë se krahas Britanisë së Madhe ajo është gjithashtu kryetare shteti e 15 vendeve të tjera, përfshi Kanadanë, Australinë, Zelandën e Re, Xhamajkën dhe Papua Guinenë e Re, numri i kryeministrave, me të cilët ka punuar Mbretëresha Elizabetë II, shkon mbi 150./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne