Mbrojtja detare shqiptare do stervise zhytesat e marines maqedonase

Nga Gjergj Thanasi

Qoftë në kohën e Zogut, qoftë në kohën e Dullës, mbrojtja e Atdheut konsiderohej si dicka tepër serioze dhe me rëndësi të jashtëzakonshme. Për Mbretin Zog motoja ishte: Atdheu mbi të gjitha. Parrulla e Dullës ishte: Mbrojtja e Atdheut detyrë mbi detyra. Fatkeqësisht mbrojtja e Atdheut në ditët tona është shndërruar në brimën e parafundit të kavallit. Për pushtetarët majtas-djathtas është burim mbushje xhepash, krahas të qenit një burim palacollëqesh pa fund, që na shndërron ne shqiptarëve në kllounë e karagjozë në sy të Europës dhe aleatëve tanë të NATO-s. Në një cikël shkrimesh do të trajtoj gafat dhe palacollëqet e VIP-ve të Minsitrisë sonë të Mbrojtjes vetëm gjatë  këtyre ditëve të muajit prill.

Si trajtesë të parë do i ofrohet lexuesit vizita në Shqipëri e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë maqedonase, gjen/lejtnant Metodija Velickovski. Përtej fjalimeve protokollare plot fjalë të mëdha, por boshe si edhe të përkrahjes shqiptare për  hyrjen e FYROM-Maqedonisë në NATO na tërhoqi vëmendjen një perlë e vërtetë e karagjozllëkut shqiptaro-maqedonas. Bëhet fjalë për arritjen  e një marrëveshje me maqedonasit, që Forcat e Mbrojtjes Detare Shqiptare do të trajnojnë homologët e tyre maqedonas!

Të keqen e humorit anglez! Maqedonia një vend pa dalje në det na paska forca të mbrojtjes detare, përkatësisht zhytës, që do na i stërvisin këta detar-mbrojtësat tanë! Së pari maqedonasit për shkak të historisë së përbashkët zhytësat e vet, që do u duhen për Liqenin e Ohrit, Prespës apo të Dvoranit fare mirë mund t’i strëvisin në Kroaci apo Slloveni vende anëtare të NATO-s dhe bashkëpjesëtarë të Jugosllavisë titiste me Maqedoninë e Llazar Kolishevskit. Kroatët dhe sllovenët kanë shkollë zhytje më të pajisur dhe me zhytës më me përvojë sesa ne, kështu që kjo marrëveshja me stërvitje zhytësash maqedonas në Shqipëri  është me të vërtet papikë sensi.

Së dyti: Qendra e zhytjes e forcave tona detare, pavarësisht parave të investuara nga DIA (Delegacioni Italian i Ekspertëve) për pajisje, trajnime burimesh njerëzore e shkëmbime përvojash profesionale është degraduar jashtëzakonisht. Italianët dhuruan pajisje pa fund relativisht moderne përfshirë këtu një dhomë hiperbarike të përdorur, por plotësisht funksionale dhe disi moderne e domosdoshme për mbrojtjen e shëndetit dhe jetës së  zhytësave të thellësisë. Italianët trajnuan zhytësa shqiptarë pranë shkollës së tyre me famë botërore të “Incursori di Marina Teseo Tesei” thuajse ekujvalente me shkollën amerikane, që prodhon famë mëdhenjtë Navy Seals. Sot për shkak të politikave të gabuara të Ministrisë së Mbrojtes në trajtimin e burimeve njerëzore këta persona, që janë trajnuar e shkolluar me para shqiptare e italiane me vullnetin e tyre janë larguar nga ushtria duke hapur biznes qebaptoreje në Shqipëri apo duke emigruar në SHBA e Kanada. 10-12 vjet më parë zhytësat tanë bonifikonin nga municionet e pashpërthyera funddetin e Gjirit të Vlorës duke fituar edhe admirimin e kolegëve holandezë. Në këtë periudhë zhytësat tanë u dokumentonin zhytësave aleatë francezë vjedhjet, që ata kryenin të objekteve arkeologjike dhe koraleve në funddetin shqiptar, kur vinin në Shqipëri në kuadrin e stërvitjeve të përbashkëta detare të NATO-s. Fatkeqësisht të tilla arritje i përkasin tashmë të kaluarës.

Si përfundim mund të themi që marrëveshaj e firmosur nga gjen/maj. Dogjani dhe  gjen/lejtnant Velicovski është thjesht një bufonadë dhe asgjë më shumë. Një marrëveshje e tillë kalon në kufijtë e sarkazmës, kur dy nënshkruesit e saj nuk i lidh asgjë me forcat detare apo me zhytjen. Gjen/major Dogjani është titulluar oficer këmbësorie dhe specializuar në logjistikë, ndërsa gjen/lejtnant Velickovski është titulluar si oficer këmbësorie dhe specializuar si xhenjer duke arritur të bëhet edhe komandant regjimenti xhenjoje. Ky regjiment xhenjoje nuk kishte në radhët e veta asnjë zhytës, asnjë pajisje zhytjeje madje as edhe një urë pontoon, apo urë të tipit “Bailey”.

Butaforia e një vizite të tillë thellohet akoma më shumë, kur vëren se asnjë nga 5 oficerët e lartë dhe madhorë në përbërje të delegacionit maqedonas nuk ishte shqiptar etnik. Në delegacion kishte edhe një oficer me origjinë cigane, por jo shqiptar, ndonëse shqiptarët janë komb përbërës i Republikës së Maqedonisë. E c’mund të presësh dinjitet e patriotizëm nga pala shqiptare, kur njëri nga VIP-at mikpritës shqiptarë të delegacionit maqedonas, identifikohej në shkresurinat e ish Degës së Punëve të Brendshme Peshkopi me pseudonimin “Korabi”!

 

GJERGJ THANASI

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne