Mbrojtja e trashëgimisë së Titos është një detyrë antifashiste

Kërkesa së fundmi që erdhi nga Sarajeva për t’i vënë emër tjetër Rrugës së Titos në kryeqytetin boshnjak është vetëm i fundit nga sulmet mbi trashëgiminë antifashiste në rajon. Pak javë më parë, ishte radha e Zagrebit: kryebashkiaku i majtë i qytetit tha se nuk kishte zgjidhje tjetër përveçse tt;i bindej kërkesave të këshillit të qytetit dhe të ndryshonte emrin e Sheshit Tito.

Përpjekjet për ta larguar Titon nga kujtesa kolektive e ish-Jugosllavisë datojnë me dekada. Para se të sulmonin trupin e Jugosllavisë, nacionalistët filluan të sulmonin trupin e themeluesit të saj. Në vitet 1990, nacionalistët serbë kërkuan që varri i Titos të zhvendoset nga Beogradi në Kroaci “aty ku i takonte”.

Për këtë arsye, nacionalistët kroatë reaguan me tmerr dhe i mohuan Titos privilegjin të kthehej në shtëpi, duke e akuzuar atë për gjenocidi kundër kombit kroat, të cilit i përkiste.

Në atë kohë, ishin boshnjakët, veçanërisht ata në qytetin e Tuzlës, të cilët i ngritën dhe vet-ofruan qytetin e tyre si vend pushimi për Titon. Duket se edhe këtë herë, boshnjakët ishin më të vendosur në rezistimin ndaj largimit të Titos nga kujtesa kolektive: pas protestave kundër kërkesës së fundit në Sarajevë për t’i ndryshuar emrin rrugës Tito, drejtuesit e qytetit u detyruan të lëshonin një deklaratë duke mohuar se po punohej për ndonjë plan të tillë.

Më shumë se 20 vjet më pas, eshtrat e Titos mbeten në varrin e tij në Shtëpinë e Luleve në Beograd, ndërsa Jugosllavia e tij është e varrosur nën qindra mijëra trupa.

Sulmet nacionaliste ndaj Titos – dhe trashëgimia partizane – lidhen direkt me identitetin e nacionalistëve. Rigjallërimi i shteteve-kombe post-Jugosllave ka përfshirë domosdoshmërisht pajtimin me trashëgimitë fashiste të këtyre shtet-kombeve të reja.

Në Serbi, Sllobodan Millosheviç e bashkoi ish-partinë e tij komuniste me traditat çetnike dhe fashiste të të djathtës serbe. Rehabilitimet e bashkëpunëtorit nazist/fashist Milan Nediç, fashistit Dimitrije Ljotiç, si dhe udhëheqësit çetnik dhe bashkëpunëtorit tjetër nazist/fashist, Draza Mihailoviç, kanë qenë kulmi logjik i regjimit të Millosheviçit edhe pas vdekjes së tij. Këto përpjekje kanë vazhduar, në mos janë përshkallëzuar nga Aleksandër Vuçiç.

Në Kroaci, qeveria e Franjo Tuxhmanit ishte e qartë në përpjekjet e saj për të rikthyer trashëgiminë e nazizmit të stilit ustash në strukturën e kombit kroat. Prania e mbrojtësit të papenduar ustash Gojko Susak, i besuari i Tuxhmanit dhe ministri i Mbrojtjes i Kroacisë gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë, si fytyrë e shtetit të udhëhequr nga HDZ, ishte një manovër e dukshme për të arritur këtu.

Pastrimi i teksteve të historisë në Kroacinë post-Jugosllave përpiqet të minimizojë dhe shpesh të fshijë veprimet e tmerrshme gjenocidale të Shtetit të Pavarur Ustash të Kroacisë, NDH dhe ka vazhduar edhe në Kroacinë anëtare të BE-së. Ish-ministri i Kulturës, Zlatko Hasanbegovic, ka qenë në krye të përpjekjeve për të pastruar gjurmën e përgjakshme të NDH.

Në Bosnje-Hercegovinë, elitat boshnjake kanë ngurrur të ngatërrohen me kujtimin e Titos. Kjo ka të bëjë me lidhjen midis projektit të Titos dhe shfaqjes së identitetit kombëtar boshnjak modern, por është edhe prej popullaritetit që Tito vazhdon të gëzojë te popullsia.

Kjo është arsyeja pse sugjerimet e zyrtarit të SDA-së Tarik Dautoviç kanë shkaktuar shqetësim edhe  te anëtarët e partisë së tij, të cilët ndjehen të detyruar të theksojnë angazhimin e partisë së tyre ndaj traditave antifashiste.

Në një kohë kur fashizmi, nazizmi dhe llojet e tjera të disa prej ideologjive më të urryera e më të dhunshme, të djathta po jehojnë në të gjithë Europën dhe po gjejnë strehim edhe në Shtëpinë e Bardhë, është thelbësore që të kujtojmë dhe të vazhdojmë të nderojmë, trashëgiminë antifashiste të ish-Jugosllavisë.

Antifashizmi ishte sigurisht më i madh se Josip Brozi. Është e sigurt të thuhet se shumica e partizanëve që luftuan me guxim kundër nazistëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre të brendshëm nuk ishin anëtarë të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, KPJ. Por është po aq e rëndësishme të kujtojmë se pa KPJ dhe Titon veçanërisht është e vështirë të imagjinohet se si një lëvizje rezistence mund të dilte nga kazani i luftërave civile dhe terrori nazist/fashist që përfshiu rajonin nga prilli i vitit 1941.

Ishte Tito i cili, në fund të viteve 1930, solli disiplinim të ushtrisë në Partinë Komuniste të Jugosllavisë, të njohur si e fragmentizuar dhe e vogël. Ishte Tito i cili e drejtoi vëmendjen e partisë drejt përpjekjeve të rezistencës kundër nazistëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre të brendshëm në një kohë kur edhe forcat më progresive në Jugosllavinë tashmë të pushtuar, përqafuan qasjen “të shohim-të bëjmë” ndaj rendit të ri racial të Hitlerit.

Ishte Tito, ai që shtyu edhe disa nga anëtarët më të ngurruar të partisë drejt një rezistence të qartë kundër pushtuesit edhe pse me një kosto të madhe personale. Është e padiskutueshme që Tito ishte një njeri me guxim të madh, i cili gjatë gjithë viteve 1941-1945 rrezikoi sigurinë personale për të mirën e lëvizjes antifashiste. Dhe kundërshtarët e tij më të mëdhenj ideologjikë, përfshirë Uinston Çërçillin, u impresionuan nga trimëria e tij. Po, Titon e ndihmuan, kryesisht Ushtria e Kuqe sovjetike për çlirimin e Jugosllavisë (sidomos Beogradit), por është mbresëlënëse të mendosh që në mes të një lufte civile brutale midis kombeve kryesore të Jugosllavisë, dhe nën rëndesën e një armiku nazist/fashist, Tito bëri bashkë lëvizjen partizane, e cila gjatë disa viteve, nga 1941-1943, u rrit nga disa mijëra në një çerek milioni. Ndoshta arritjet e Titos ishin edhe më të mëdha në kohë paqeje.

Nga hiri që Hitleri la mbrapa në Jugosllavi dhe pas një sër luftërash të përgjakshme civile, ku shumica e jugosllavëve vdiqën nga duart e njëri-tjetrit, Tito krijoi një Jugosllavi të re. Po, ai përdori metoda të represionit stalinist (sidomos para se të ndahej me Stalinin në vitin 1948), por pa një program frymëzues për përtëritje ekonomike dhe sociale, Jugosllavia socialiste nuk do të mund të zhvillohej.

Në vitet e pasluftës, Jugosllavia relativisht e vogël dëshmoi një rritje të jashtëzakonshme të PPB-së, një nga më të lartat në Europë dhe pa rolin e saj në skenën botërore të shtuar nga zgjedhja e saj si një anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe më vonë si anëtare themelues E Lëvizjes Jashtë Bllokut. Ndarja e Titos me Stalinin fillimisht qe e detyruar, por më pas Tito përqafoi liberalizimin pasues të moderuar të jetës ekonomike dhe politike, me rezultate të rëndësishme. Vendi u hap drejt perëndimit, pasaporta jugosllave hapi kufijtë e europianëve të tjerë lindorë, të cilët jetonin nën komunizëm dhe vetëm sa mund ta ëndërronin kalimin, dhe rëndësia e Jugosllavisë në sporte e tejkaloi madhësinë dhe rëndësinë e saj relative.

Në një kohë kur nazistët po marshojnë në rrugët e qyteteve amerikane, kur disa vende anëtare të BE-së po kthehen në ksenofobe dhe raciste, si dhe kur trashëgimia fashiste është kthyer në kurrikulat shkollore dhe në hapësirën shoqërore të shteteve post-jugosllave, është thelbësore që t’u kujtojmë qytetarëve të këtyre shteteve dhe botës, se cili ishte gjiganti historik Josip Broz Tito dhe cilat qenë kontributet që ai i dha antifashizmit të rajonit dhe Europës. Kjo është arsyeja pse duhet të luftojmë, çdo hap, çdo përpjekje për ta fshirë Titon nga kujtesa jonë kolektive.

Mendimet e shprehura në rubrikën e komenteve i përkasin vetëm autorëve dhe jo domosdoshmërisht përkojnë me ato të BIRN apo Universitetit Bellarmine.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne