Mbyllja e basteve një “show”, puna vazhdon online

Në Shqipëri janë rreth 10-15 pika bastesh online që e vazhdojnë pa ndërprerje punën pavarësisht mbylljes me ligj të këtij aktiviteti që nga 1 janari i këtij viti.

Njerëzit që punojnë në këtë industri tregojnë se kompanitë thjesht kanë ndërruar emrat dhe se ligji nuk funksionon. Aktiviteti nuk është ndërprerë për asnjë ditë, tani luhet në celular jo më nëpër lloto lagjesh.

Skema funksionon në këtë mënyre: Kompanitë e mëparshme kanë pasur agjentë nëpër qytete e lagje. Agjentët që hasen gjithandej, u hapin llogari personale tashmë klientëve. Këta të fundit vënë sa lekë të duan.

‘Më vendos 20 mijë lekë në llogarinë time” -i thotë një klient agjentit. “U bë”-përgjigjet ai.

Nëse bastexhiu kap ndeshje është po agjenti ai që i dorëzon shumën e fituar. Gjithçka bëhet me lekë në dorë, në të zezë. Dikur nëpër pika bastesh tani nëpër bare, kafene e rrugë.

“Kam kap 100 mijë lekë. Kur të vij t’i marr?”-kaq është e gjitha dhe klienti shkon dhe i tërheq lekët dorazi.

Ligji “Antibast” thjesht sa detyroi llotot t’i jepnin shfaqje publikut duke hequr televizorët, reklamat, adezivët nga xhamat dhe ulur qepenat. Ndërsa “në bast” me fenomenin rezulton të ketë fituar ky i fundit ndaj shtetit./Top Channel

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne