Mbyten të paktën 30 emigrantë në bregdetin e Mesdheut

Të paktën 30 emigrantë përfshirë edhe fëmijë të vegjël u mbytën të mërkurën pasi ranë nga një anije e mbingarkuar në Mesdhe, ku tensionet po rriten midis anijeve të ndihmës dhe rojes bregdetare libiane.

“Sot është një situatë kritike, rreth 200 njerëz ranë në ujë”, tha një zëdhënës i rojes bregdetare për AFP, ndërsa një punëtor humanitar në vendngjarje tha se ishin gjetur 31 trupa.

Emigrantët ishin në një anije prej druri që mbante 500 deri në 700 njerëz, dhe ishin vetëm 20 milje detare jashtë bregut libian kur ndodhi aksidenti.

Ekuipazhi i varkës së ndihmës Phoenix, i lëshuar nga OJQ-ja malteze Moas, kishte filluar shpëtimin dhe po shpërndante jelekë shpëtimi kur shumë nga ata që ishin në kuvertë ranë në ujë, të rrëzuar ndoshta nga një valë.

“Nuk është një skenë nga një film horror … Tragjedia reale e jetës po shpaloset në pragun e Evropës sot”, tha Chris Catrambone, bashkë-themelues i Moas, i cili ishte në bordin e Feniksit.

“Ekipet e shpëtimit janë duke u përpjekur të thyejnë mbajtësen e mbyllur në një varkë druri, ku qindra emigrantë janë bllokuar!” shkroi ai.

Me ndihmën e një anijeje të rojes bregdetare italiane dhe disa anijesh komerciale, shpëtuesit garuan për të tërhequr sa më shumë njerëz nga uji, ndërsa një avion ushtarak lëshoi litarë shpëtimi dhe një helikopter kërkoi për të mbijetuarit.

“Numri aktual i trupave është 31,” tha Catrambone, duke shtuar se shumë të tjerë që ranë jashtë bordit kishin qenë “fëmijë të vegjël”.

Rojet bregdetare libiane kanë nisur kohët e fundit kryerjen e operacioneve të tyre në det, duke tërhequr anijet emigrante të drejtuara për në Evropë përsëri në breg, dhe duke i mbyllur ata që kapen në qendra që janë të njohura për abuzimet e të drejtave të njeriut. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne