Me cilat turma po krenohemi?

Shkruan : Mr. Driton Arifi

Me cilat turma po krenohemi?

Mania e shthurur tek disa njerëz që të kenë pas vetes një numër ndjekësish që përputhen ideologjikisht, kulturalisht, e pse jo edhe në teke të mbrapshta me ta, duket se ka tendencë rritjeje në përmasa të pakontrolluara.

Sot, edhe nëse dikush është orientuar në rrugë të gabuar, me rëndësi është se ai ka shokë e nuk është i vetëm në të. Është kështu, sepse njeriu është krijuar si qenie sociabile, që në parim s’jeton dot pa shoqërimin, bashkëjetesën, e pse jo edhe pasimin e të tjerëve në rrugëtimin e tij, ani pse është i gabuar. Andaj, s’është çudi që ndëgjojmë disa që sa herë flasin para të tjerëve , ata iu drejtohen me krenari:” Ja, tërë këta njerëz, më ndjekin mua. Të gjithë pëlqejnë orinetimin tim, këta janë ndjekësit (fansat ) e mij”.

Edhe diktatorët, zbrisnin masat në rrugë me anë të frikësimit e të dhunës, e pastaj pretendonin se kanë përkrahjen e gjithë popullit të tyre.

Për t’ua vërtetuar brishtësia e pretendimit të tyre, ashtu edhe siç pritej, me vdekjen e tyre u rrënua përgjithmonë miti i dashurisë së rrejshme për ta. Statujat e tyre u rrëzuan përtokë dhe u tërhoqën zhagas nga sheshet dhe qendrat e kryeqyteteve, ato statuja me anë të të cilave ata dëshiruan të firmosnin pavdekshmërinë e tyre, ose së paku të bënin përjetësimin e emrit dhe imazhit të tyre në historinë njerëzore.

Miti i krenarisë dhe autoritetit të rrejshëm të tyre u shemb përgjithmonë, për të mos u përmendur më kurrë, përveç kur u mësuan në leksionet e historisë gjurmët e tyre famëkeqe që lanë tek popujt që ata i udhëheqën me fuqinë e hekurit e të barutit. Ata patën turma të mëdha që u krenuan me to, por ishin turma artificiale, andaj të njejtit që dikur brohoritnin më zërin e tyre të kumbueshëm “Rroftë përjetë………….”, pas vdekjes së tyre ata papritmas e kthyen e brohoritën “Vdekje diktatorit……….., poshtë diktati” e të ngjashme.

Mirëpo, nuk ishin vetëm diktatorët që u veçuan me dëshirën e flaktë që të kenë pas vete turma të gjera të ndjekësve të verbër, por kemi edhe shumë të tjerë që vuajnë nga një mani e tillë dhe që kanë një zbrazëti të njejtë shpirtërore. Këtë fenomon interesant e përmend edhe Krijuesi Ynë, i Cili në Kur’an thotë:” Ai ( i krekosuri) që kishte shumë fryta (pasuri), i tha shokut të tij (besimtar e modest) gjatë bisedimit: “Unë kam më shumë pasuri se ti, dhe, unë jam më i fortë se ti – me rreth (shoqëri dhe ndjekës më të shumtë)” ( El Kehf, 34). Iu krenua një njeriu të sinqertë, me pasuri dhe me numër të madh të turmave që e ndjekin atë, ani pse as njëra as tjetra nuk i ofrojnë atij përjetësinë, e as fuqinë absolute.

Sot, si kurrnjëherë më parë, shohim e si disa njerëz shpërfaqin sheshazi dëshirën e tyre për të pasur pas vetes përkrahës e ndjekës, të cilët verbërisht do t’iu qëndronin besnikë ideve e pikëpamjeve, e pse jo edhe stilit të jetesës së tyre. Me ta krenohen e me numrin e shtuar të tyre u lavdërohen të tjerëve, pavarësisht rrugës të cilën kanë arritur ta zgjedhnin e ta pasojnë.

Kështu, ai që është konsumues kronik i alkoolit do të gjejë vetën rehat vetëm kur të shoh se turmat e përkrahësve të tij të dehur janë të shumtë, dhe kolonat e të dehurëve janë të gjata. Për të bëhen manifestime, e shënohen data, e nganjëherë edhe javë kremtuese. Por manifestimet e tilla janë vetëm mjete, ngase synimi është në promovim dhe në shtim të turmave të konsumuesëve.

Po të kësaj natyre, dhe për të njejtat synime organizohen edhe paradat që sot mbahen për të promovuar “të drejtat” e komunitetit LGBTI. Të tillët paraqiten si të anatemuar, margjinalizuar e të viktimizuar nga shoqëria, ngase kështu dëshirohet që të fitohet përkrahja e masave të gjera të cilat janë të prira që të solidarizohen me “viktimën”. Thjesht, të mos jesh i vetmuar, i ofron atij një motiv të fuqishëm që të vazhdojë rrugëtimin me kryeneqësi, anipse edhe ai e di bindshëm në ndërdijen e tij se është në rrugë të gabuar.

Në fakt rritja e numrit të njerëzve të mvarur nga alkooli e droga, pastaj ata që janë të zhytur në dukuri negative e antimorale, në ato shoqëri që janë të edukuara mirëfilli, përbëjnë elemente shqetësuese që duhen marrë parasysh urgjentisht e të trajtohen shumë seriozisht nga të gjitha instancat e shtetit e të shoqërisë.

Nëse keni dëgjuar diku se turmat e dehura, ose ato të mvarurat nga lëndët narkotike kanë bërë ndonë zbulim epokal, ose kanë arritur të bëhen më intelegjent në studimet e tyre, atëherë na lejoni që edhe ne të “krenohemi” me ta, ani pse me vonesë. Por, jo të tilla raste nuk ka pas e as nuk do të ketë. Ne po hasim në sfida të mëdha e probleme se si t’i motivojmë për punë shkencore e produktive edhe ata që janë mendjekthjellët e që kurrë nuk janë dehur, se për të dehurit, nuk dijmë kurrë që është munduar dikush, e aq më pak të ketë pasur sukses në motivimin e tyre për zell e avancim.

Krenaria me ata që në asnjë rast nuk sjellin një ogur të mirë për të ardhmën e një vendi nuk është diç tjetër pos një naivitet dhe injorim i thellë ndaj vlerave të kësaj shoqërie. Ata do të bëhen krenaria jonë qysh në momentin kur ta kuptojnë se konsumimi i alkoolit, drogës e fenomene të tjera negative, janë ataku më i rrezikshëm i trupit të tyre, por edhe tërë shoqërisë sonë në përgjithësi. Po e themi këtë, ngase është më mirë të parandalosh sëmundjen se sa të merresh me shërimin e saj.

Ata që ishin të menqur, pavarësisht fesë së tyre, konstatuan guximshëm se ” popujt vdesin kur prishen cilësitë e karakterit që përbëjnë bazën e shpirtit të tyre, dhe këto cilësi prishen kur ndëkrkohë rritet qytetërimi dhe zhvillimi i tyre. (G. Le Bon). Por, para tij, gjithsesi që vëmëndjen e tërhoqi edhe vet Muhamedi (paqja e Zotit qoftë mbi të) kur u pyet në një rast:” A mund të shkatërrohemi ne, nëse në mesin tonë ka ende njerëz të mirë? Ai iu përgjigj:” Po, nëse e keqja e kapluar shoqërinë”. Pra frika është nëse turmat, verbërisht bëhen ato që shkojnë pas dikujt që nuk i mendon pasojat e veprimeve të tij të gabuara dhe pastaj e keqja mbizotëron dhe e kaplon shoqërinë.

Turma që pasojnë verbërisht të mbrapshtën, gjejmë gjithandej nëpër botë, por t’i shtojmë ato që janë fisnike dhe që përpiqen për të ëmirën e shoqërisë së tyre.

Me këto të fundit, do të duhej të krenoheshim!/ kosovapost

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne