Shqiperia

Me drejtësinë në njërën dorë dhe median në tjetrën, Rama shemb ç’të dojë

Ndërsa për çështjet e qytetarëve kundër qeverisë, përfshi shpronësimet e paligjshme, e vetmja shpresë është drejtësia në gjykatat ndërkombëtare, natyrisht për ata që kanë burime financiare dhe njohje të ligjeve.

Kryeministri Rama shkëlqen në autoritarizmin e tij edhe te kapja e mediave në Shqipëri, sidomos aty.

Fillimisht, Rama u kujdes që videon e personit mbi makinë dhe komentet ndaj tij t’i mbante në qendër të vëmendjes së publikut me anë të mediave të kontrolluara prej tij. Ndërkohë, dërgoi ministrin e tij t’u kërkonte ndjesë në emër të shqiptarëve spanjollëve të terrorizuar.

Pastaj dha urdhër të bëhej ‘drejtësi’ dhe u sigurua që gjatë ekzekutimit të ‘drejtësisë’ të ishin të pranishme kamerat e të gjitha televizioneve, që transmetuan drejtpërdrejt shembjen e ndërtesës së pronarit që kishte turpëruar qeverisjen rilindase.

Në vijim, me gjasa, ai do ta transmetojë edhe ndërkombëtarisht ‘vënien në vend të drejtësisë’ me ndërhyrjen personale të vetë udhëheqësit pro-spanjoll dhe pro-europian.

Kryeminsitri, që hahet me komentuesit në Facebook si të fortët e rrugës të fillimviteve ‘90, nuk merakoset fare t’i sqarojë publikut se pse ka urdhëruar me përzgjedhje prishjen e kësaj godine.

Megjithatë, mënyra e tij e të menduarit dhe të vepruarit ndiehet në frymën e institucioneve qeverisëse. Ja si e bën të ditur urdhërin urgjent, pa zbatuar asnjë procedura ligjore, duke shpalosur hapur, në mënyrë të pavetëdijshme, arbitraritetin dhe paligjshmërinë e tij IKMT-ja në njoftimin e saj:

Njoftimi i referohet qartë kontrollit të perceptimit të imazhit publik, dhe jo ligjit.

Përmes IKTM-së, Rama e bën të qartë se nuk po shemb një ndërtesë pa leje, por po “prish” një biznes të keq, ligësinë e të cilit e ka sqaruar në mediat e tij për një javë të tërë. Arsyeja e “prishjes” është e qartë: ky biznes është “ekspozuar publikisht” dhe i ka prishur imazhin qeverisë.

Shkalla e dëmtimit të imazhit justifikon “prishjen”, pasi personat në rrezik për t’u dhunuar ishin “turistë”. Madje, më keq akoma, prishja e imazhit të Ramës ishte ndërkombëtare, pasi “turistët” ishin edhe “spanjollë”.

Qeveria duhet të ta ngulisë mirë se ishin “turistë” dhe “spanjollë”, që ti ta kuptosh se “bar-restoranti” meriton të “prishet”.

Sapo e kuptoi se ndërtesa “rezulton pa leje”, Rama vendosi t’u bëjë një nder qytetarëve, duke ua çliruar pamjen në njërën nga “zonat më të bukura bregdetare të Shqipërisë”.

Ai e njeh dhe e vlerëson të bukurën, porsi shqiptarët e vërtetë, dhe ndryshe nga zaptuesit.

Qytetarët, natyrisht, u solidarizuan menjëherë në mbështetje të Ramës, në mes të askundit, disa qindra kilometra larg zyrës së tij: “Në këtë operacion, IKMT nuk ka hasur në kundërshtime të qytetarëve.”

Më pas, “në koordinim të ngushtë me policinë e shtetit”, Rama do të nisë “menjëherë” punën “në gjithë vijën bregdetare të vendit”.

Mbetet e paqartë se çfarë pune do të nisë dhe pse nuk e ka nisur në këto gjashtë vjet, megjithatë, pas këtij “operacioni” me bisturitë e qeverisë në të mirë të qytetarëve, mendja ta thotë se edhe këto punë do të jenë të mira.

Pas këtyre fjalëve, askujt nuk mund t’i vijnë më ndërmend imazhet terrorizuese të së njëjtës IKMT-je dhe policie, që shkatërrojnë jetë njerëzish, duke i nxjerrë me dhunë e me gaz lotsjellës nga shtëpitë në Bregun e Lumit, në dhunim të plotë të të drejtave të tyre dhe të ligjit.

Tallja e qeverisë së Ramës me qytetarët është totale. Në njoftimin që duhet të sqaronte ligjërisht vendimmarrjen për shembjen, arsyet dhe procedurat, vetëm për to nuk flitet. Në një shtet ligjor, ky njoftim do të duhej edhe t’i jepte përgjigje pozitive pyetjes:

A do ta kishte shembur Rama godinën sikur pronari të mos ishte “skandaloz”, sikur ngjarja të mos ishte “ekspozuar”, sikur personat të mos ishin “turistë”, sikur turistët të mos ishin “spanjollë”, por myzeqarë, sikur ajo zonë të mos ishte “ndër më të bukurat në Shqipëri”, por ndër më të shëmtuarat?

Me gjithë mungesën e informacionit, nëse marrim të mirëqenë se ndërtesa ka qenë pa leje dhe ndërtuesi nuk ka aplikuar për legalizimin e saj, gjasat janë të larta që shembja të jetë kryer në shkelje të të drejtave të njeriut, në rast se përveç ndërtimit pa leje janë dëmtuar edhe objekte brenda saj, të zotëruara nga persona privatë.

Urgjenca për të shembur godinën të bën të mendosh se, ashtu si në rastin e godinës përballë stadiumit në Tiranë, të mos jenë respektuar procedurat dhe afatet ligjore për lirimin e ndërtesës, në shkelje të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Përzgjedhja nga Rama për të shembur pikërisht këtë ndërtesë dhe pikërisht tani, ndërkohë që si kjo janë mijëra të tjera në Shqipëri, nuk ka sesi të justifikohet vetëm me paligjshmërinë e ndërtimit. Ajo justifikohet me kapriçon, nervin, sedrën, kapadaillëkun, paprekshmërinë e drejtuesit autokrat që urdhëroi shembjen.

Kryeministri Rama, që bën ligje ‘speciale’ për ‘zhvillimin’ e qendrës së Tiranës dhe për ‘zhvillimin strategjik’ të bregdetit nga oligarkët, me të cilët qeveris duke grabitur me dhunë të ardhmen e shqiptarëve, tregoi edhe njëherë se është një autokrat i rrezikshëm.

Përmes kontrollit të medias dhe nën mbrojtjen e drejtësisë së kontrolluar prej tij, Rama përkujdeset vetëm që qeverisja e tij e dhunshme të perceptohet nga publiku si ‘ndonjëherë e ashpër, por e drejtë ama’. Historia tregon se për të njëjtën gjë janë përkujdesur makineritë e propagandës strategjike të të gjithë autokratëve dhe diktatorëve.

Në përputhje me qëllimin e tij ekzistencial për të hyrë në histori, Rama i ka shanset dhe bëmat e mëdha për të zënë vend në rreshtin e pasmë të fotos së klubit të autokratëve dhe diktatorëve./exit.al

OPINIONE