Opinion

Me Europën apo me boshtin luftënxitës

Nga Naxhi Ali

Së fundmi jemi dëshmitarë të një sërë lëvizjeve diplomatike të qeverisë shqiptare, ku spikat rreshtimi i saj në krahë të një boshti tepër dyshimtë, çka kërkon një shtjellim ezaurues dhe një sqarim të plotë nga ana e qeverisë Rama. Shqipëria, me apo pa dashje, dhe duke shfrytëzuar disa rrethana politike koniunkturale të brendshme, të cilat shërbejnë për rrëmbimin e vëmendjes së opinionit publik, rreshtohet me shtete tejet enigmatike si Arabia Saudite dhe Izraeli. Këta dy shtete janë duke formuar një aliazh tepër të dyshimtë me njëra-tjetrën, i cili ka në fokusin e vet kundërshtimin e rivalëve në Lindjen e Mesme.

Kohët e fundit Izraeli dhe Arabia Saudite haptazi tregojnë një përafrim marrëdhëniesh midis tyre dhe janë kundërshtarët kryesor të marrëveshjes bërthamore me Iranin. Vëzhguesit e zhvillimeve në arenën ndërkombëtare me të drejtë vërejnë se akordi bërthamor me Iranin, apo thënë më saktë shkellja e njëanshme të këtij akordi nga ana e regjimit të Trumpit ka shkaktuar një nga ndarjet më të thella në gjirin euroatlantik, gjegjësisht midis administratës së Donald Trumpit dhe shteteve aleate perëndimore në Europë.

Në kushte të tilla qeveria shqiptare ka ndërrmarë një hap shumë të rrezikshëm duke dërguar për herë të parë ministren e mbrojtjes së saj në Izrael. Para kësaj zonjë Xhaçka, jashtë çdo logjike në takimin me ministrin e mbrojtjes së SHBA-së e shpalli Iranin si kërcënim për Shqipërinë dhe me këto dy lëvizje lindin dyshime të forta që qeveria shqiptare rreshtohet në një front me shtete si Arabia Saudite dhe Izraeli.

Meqë së fundmi kryeministri Rama ka ndërrmarë një aksion për llogarridhënie publike, këtu duhet të parashtrojmë këtë pyetje : A është ky qëndrimi personal i zonjës Xhaçka, e cila duke qenë se ka studiuar në Amerikë ndien ndonjë obligim ndaj padronëve të saj, apo është një qëndrim mirëstudiuar i qeverisë shqiptare? Kjo është një pyetje shumë me rëndësi, e cila duhet shtruar si nga gazetarët shqiptar, po ashtu dhe nga opozita shqiptare. Por me sa duket dhe për fat të keq askush në Shqipëri nuk kujtohet që ta parashtrojë atë.

Rëndësia e saj buron nga fakti që Bashkimi Europian në bllok e kanë kritikuar vendimin e udhëheqjes amerikane në lidhje me akordim bërthamor me Iranin dhe u shprehen se ky vendim përbën një precedent shumë të rrezikshëm dhe vë në pikëpyetje qëndrueshmërinë e marrëveshjeve ndërkombëtare, si dhe kërcënon paqen globale. Vetë zoti Rama në samitin e Sofjes ka qenë dëshmitar se si shtetet europiane dhe BE-ja në përgjithësi me një zë pohuan që do të respektojnë marrëveshjen bërthamore me Iranin dhe janë kundër qëndrimit amerikan (që u mbështet vetëm nga ca shtete autokratike dhe diktatoriale në Lindjen e Mesme si Arabia Saudite, Bahrejni dhe Emiratet e Bashkuara Arabe).

Në kushte të tilla Shqipëria i bën bisht qëndrimit europian duke zgjedhur në politikën e saj të jashtme krahun antievropian. Pra Shqipëria rreshtohet në anën e shkelësve të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe haptazi heq dorë nga linjëzimi me politikën e jashtme të BE-së.

Sot opozita shqiptare, e cila me çdo kusht e lakmon pushtetin, duhet ta ngre këtë çështje si një shqetësim real, sepse kjo na largon nga Europa pikërisht në kohën kur presim hapjen e negociatave me të. Por ky nuk është rasti i parë kur opozita shqiptare neglizhon kësi soj lëvizjesh diplomatike përçudnuese të qeverië së kryeministrit Rama. Këtu si shembull mund të përmendim faktin se vizita e ish-ministres së mbrojtjes së Shqipërisë në Arabinë Saudite – një shtet diktatorial, e cila është konsideruar si burim kërcënimi për gjithë rajonin e Ballkanit, përfshirë Shqipërinë me radikalizimin e popullatës myslumane, mirëpo jo sipas tekave të zonjës Xhaçka, por ama sipas shumë studimeve konkrete (ngaqë shumë prej imamëve të ndaluar për terrorizëm kanë studiuar në këtë shtet apo mbajnë lidhje me të si qendra kryesore e lëvizjes globale tekfiriste) kaloi pa shumë vëmendje dhe nuk u kundështua nga opozita.

Ndërkohë aleanca midis dy shteteve shumë problematike në Lindjen e Mesme si Arabia Saudite dhe Izraeli, ku e para është involvuar në një luftë e pabarabartë kundër huthive në Jemen dhe akuzohet për krime lufte dhe vrasjen e mijëra njerëzve të pambrojtur dhe civilë, kurse Izraeli njihet me terrorin sistematik që ushtron ndaj palestinezëve dhe vrasjen masive të tyre dhe si shtet okupator ndaj territoreve palestineze dhe siriane, gjë që është faktuar me dhjetëra rezoluta të OKB-së, kërkon të nxis një luftë të re në Lindjen e Mesme. Izraeli megjithë ndihmës së pakursyer të SHBA-së edhe sot ndihet i kërcënuar ekzistencialisht dhe nuk ka se si ndodh ndryshe, kur është e ndërtuar në një tokë që nuk i takon asaj. Ajo ka zaptuar e okupuar një shtet të tërë. Vitet e fundit ky shtet nuk gjen qetësi nga luftërat që zhvillon në territoret përreth saj, ku nuk arriti asnjë fitore sadopak simbolike, bile humbi luftën me Libanin me 2006. Këto realitete tregojnë që qeveria shqiptare duhet te tregohet më e matur në diplomacinë e saj dhe të shikojë me një largpamësi, e cila siguron dhe garanton interesat e shteteit shqiptar dhe popullit të Shqipërisë./ ML