Rajoni

Me maska dhe distancë, konstituohet në kushte të pazakonta parlamenti i ri në Maqedoninë e Veriut

Megjithë pandeminë konstituohet parlamenti i ri i Maqedonisë së Veriut në Shkup. Ende pritet dhënia e mandatit për formimin e qeverisë.

Me interpretimin e himnit të Maqedonisë së Veriut nisi seanca konstitutive e përbërjes së re të Parlamentit të Maqedonisë së Veriut të martën. Në seancën e konstituimit nga gjithsej 120 deputetë, ishin prezentë 117 deputete.

Miratohet raporti i Komisionit të Verifikimit

Fillimisht me 116 vota “pro”, asnjë kundër dhe asnjë të përmbajtur është miratuar raporti i Komisionit për Verifikim të Mandateve. Komisioni i përbërë nga kryetarja Jagoda Shahparska, anëtarët Izet Mexhiti, Blagica Lashkovska, Sonja Mirakovska dhe Sadije Sadiki Shaqiri në raportin e tyre nuk kanë shënuar vërejtje për asnjë nga 120 deputetët e përbërjes së re të Kuvendit.

Pas votimit drejtuesi i seancës Talat Xhaferi njoftoi, se përbërja e Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime do të varet nga zhvillimet politike. Ndryshe, Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime duhet iniciuar me nënshkrimin e 10 deputetëve.Deri në zgjedhjen e kryetarit të ri, Kuvendin do ta udhëheqë kryetari në largim Talat Xhaferi, ndërsa si zëvendës të tij në seancën e sotme u zgjodhën Goran Misoski dhe Florijan Besimi.

Funksioni kryetar i Kuvendit i takon partive, të cilat do të sigurojnë shumicën për formimin e qeverisë, proces i cili formalisht fillon nga e marta, kështu që nuk mundet me siguri të pritet se ai do të zgjidhet në mbledhjen konstituive. Në Kushtetutë është paraparë që presidenti i vendit në afat prej dhjetë ditëve nga konstituimi i Parlamentit, t’ia besojë mandatin për përbërje të Qeverisë kandidatit të partisë, përkatësisht partive që kanë shumicën në Parlament. Mandatari në afat prej 20 ditëve nga dita e besimit të mandatit, Parlamentit i parashtron programin dhe propozon përbërjen e Qeverisë. Më pas qeverinë, me propozim të mandatarit dhe në bazë të programit, e zgjedh Parlamenti me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve.

Pendarovski: Mandatin e marrin partitë që sigurojnë shumicën

Presidenti Stevo Pendarovski ka paralajmëruar ndërkohë, se planifikon të mbajë konsultime me partitë politike pas konstituimit të Parlamentit, më pas në pajtim me dispozitat kushtetuese, do ta ndajë mandatin për formim të qeverisë, partisë, përkatësisht partive që do të sigurojnë shumicën në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Ditën e mbajtjes së seancës konstitutive ka reaguar edhe kreu i LSDM-së, Zoran Zaev. Ai ka shkruar se Parlamenti sot mban seancën e parë, konstitutive me pjesëmarrjen e deputetëve që shprehin vullnetin e qytetarëve që votuan në zgjedhjet parlamentare të 15 korrikut. Ai theksoi se deputetët në seancën obligohen për ndërtimin e një Parlamenti të pavarur dhe të përgjegjshëm. “Sot obligohemi për ndërtimin e një Kuvendi të pavarur dhe të përgjegjshëm, shtëpi e vërtetë e demokracisë për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut” ka shkruar Zaev në Facebook.

Në përbërjen e re të Parlamentit të Maqedonisë së Veriut Koalicioni LSDM-Besa do të kenë 46 deputetë , VMRO-DPMNE 44, BDI 15, koalicioni AS-AA 12 deputetë Levica 2 dhe PDSH 1 deputet. Përveç deputetëve, në seancën e konstituimit merrte pjesë presidenti Stevo Pendarovski, kryeministri teknik, Oliver Spasovski, përfaqësues diplomatikë të shteteve të ndryshme, ish-presidentët Gjorgje Ivanov dhe Branko Cërvenkovski, si edhe përfaqësues të bashkësive fetare në vend e të tjerë./DW

OPINIONE

INTERVISTA