Intervista tradiconale vjetore e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis para dhjetëra gazetarëve pas hapjes së Panairit të 88-të Ndërkombëtar të Selanikut dhe fjalimit të tij për vizionin qeveritar deri në vitin 2027, prodhoi edhe dy lajme për Shqipërinë.
Pas një planifikimi dhe kërkese nga autoritetet lokale prej 19 vitesh më në fund ministria e Transportit dhe ajo e Infrastrukturës kanë aprovuar fillimin e punimeve të aksit rrugor Janinë-Kakavia, kaq i rëndësishëm për lëvizjen e mijëra automjeteve çdo ditë drejt dy vendeve.
Por interesante ishte edhe pyetja që i është drejtuar kryeministrit grek se cilat janë marrëdhëniet e tij tashmë me Edi Ramën, pas burgimit, por edhe lirimit të Fredi Belerit dhe deklaratës së kryeministrit shqiptar se «marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë janë strategjike”.
Nga ana e tij Kyriakos Mitsotakis është përgjigjur: “Ne duam marrëdhëniet më të mira të mundshme me të gjithë fqinjët tanë , përfshi edhe Shqipërinë. Kaluam një periudhë të vështirë dhe nuk dua të flas me detaje për rastin e Fredi Belerit. Dua të shpreh kënaqësinë time për faktin që ai ishte me ne në Panairin Ndërkombëtar dhe që kjo aventurë krejtësisht e padrejtë dhe e panevojshme që ai kaloi, më në fund mbaroi.
Më lejoni të them edhe një herë se marrëdhëniet, duke parë imazhin e gjerë , pra marrëdhëniet midis Greqisë dhe Shqipërisë, që ne duam të jenë shumë të mira, kalojnë nga respektimi i të drejtave të pakicës kombëtare greke të Shqipërisë.
Çështja e të drejtave pronësore nuk ka dalë asnjëherë nga axhenda jonë. Ajo po rikthehet dhe ajo që ne do të bëjmë është të sigurojmë, me ndihmën edhe të Fredi Belerit në Parlamentin Europian, që të drejtat pronësore të bashkatdhetarëve tanë në Shqipëri të respektohen plotësisht.
Dhe do të thoja se ky është një kusht i domosdoshëm që Shqipëria të vazhdojë të ecë në rrugën e saj europiane”.