Mediat izraelite: Netanyahu ka mbajtur bisedime sekrete me princin Salman në Jordani

Vitin e kaluar, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu pranoi se Tel Avivi po zhvillon “kontakte sekrete” me Arabinë Saudite pavarësisht faktit se të dy vendet nuk kanë marrëdhënie diplomatike.

Sipas gazetës izraelite Maariv, princi i kurorës i Arabisë Saudite Mohammed bin Salman dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu kanë mbajtur bisedime sekrete në kryeqytetin Aman të Jordanisë.

Bisedimet raportohet të jenë mbajtur në periferi të Amanit ku prezent ka qenë edhe këshilltari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë, Jared Kushner dhe i dërguari i SHBA-së në Lindjen e Mesme, Jason Greenblatt.

Një nga analistët politikë të gazetës Maariv, Jacky Hugi, u citua nga faqja e lajmeve ifpnews duke thënë se “një mik i ngushtë” i kishte thënë atij për takimin mes Netanjahut dhe Salmanit.  Ai pohoi se kishte kishte pasur kontakte të drejtpërdrejta mes dy palëve, asaj izraelite dhe asaj saudite nën kujdesin e mbretit Abdullah II të Jordanisë.

Më herët, Haaretz raportoi se Netanjahu kishte takuar në menyrë sekrete Mbretin Abdullah II të Jordanisë në Aman, ku kishin diskutuar mbi zhvillimet rajonale dhe forcimin e lidhjeve ekonomike dypalëshe.

Në nëntor 2017, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu pranoi se pavarësisht se Izraeli nuk kishte marrëdhënie diplomatike me Rijadin, Tel Avivi kishte pasur “kontakte” me Arabinë Saudite, të cilat sipas tij “ishin mbajtur në përgjithësi në mënyrë të fshehtë”.

Në të njëjtën periudhë, shefi i shtabit të forcave të mbrojtjes të Izraelit, Gadi Eisenkot, zbuloi se vendi i tij ishte i gatshëm që të shkëmbejë informacione sekrete të inteligjencës me Rijadin, në mënyrë që “të përballet me Iranin”.

Megjithëse Rijadi i ka hedhur poshtë akuzat për forcimin e marrëdhënieve të tij me Tel Avivin, këtë vit Princi i Kurorës Saudite Mohammed bin Salman e njohu të drejtën e Izraelit për të ekzistuar si shtet.

Shkrirja e marëdhënieve e raportuar vjen mes tensioneve të përshkallëzuara me Iranin, i cili konsiderohet një kërcënim nga Izraeli dhe Arabia Saudite, e cila i shfuqizoi lidhjet diplomatike me Teheranin në janar 2016 pas protestave para ambienteve të saj diplomatike në Teheran dhe Mashhad./sputnik/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne