Medreseja e Shkodrës “Haxhi Sheh Shamia” – “Hapa që shihen, gjurmë që lihen”

Medreseja e Shkodrës “Haxhi Sheh Shamia” që mbështetet nga institucione turke si shoqata “Istanbul”, etj. ka organizuar ceremoninë e mbylljes së vitit shkollor 2018–2019.

Nën moton “Hapa që shihen, gjurmë që lihen”, kjo ceremoni bëri bashkë nxënës, stafin pedagogjik, personalitete dhe drejtues vendore.

Në fillim, përshëndeti koordinatori i shoqatës “Istanbul”, pranë medresesë, dega e djemve, Fehmi Dushku, i cili vuri në dukje sukseset dhe arritjet e kësaj shkolle arsimore, kulturore dhe fetare, e cila është më e madhja në Ballkan për nga numri i nxënësve dhe nxënesve.

Drejtori i medresesë së Shkodrës, “Haxhi Sheh Shamia”, Kujtim Dervishi përshëndeti arritjet e nxënësve.

“…Festa e mbylljes së vitit shkollor është festa e dijes, festë të cilën e mirëpresin të gjithë familjet tona, të gjithë nxënësit, të gjithë mësuesit dhe të gjithë ato që kanë punuar me përkushtim dhe me mund, me djersë e me sakrificë, me qëllim për të përmbushur objektivat që ka ky institucion, një institucion me prestigj në rrethin tonë, bile edhe në shkallë kombëtare…”.

 

Më pas, në emër të pushtetit vendor, përshëndeti kryetari i Këshillit Bashkiak të Shkodrës, Xhemal Bushati, i cili tha se së pari duhet falënderuar mbështetësit nga Turqia për investimin dhe mirëmbajtjen e kësaj vatre dije, e cila është model jo vetëm në Shkodër, por në Shqipëri dhe përtej saj…

Ceremonia vijoi më pas me prezantimin e momenteve më mbresëlënëse të maturantëve gjatë vitit shkollor dhe me dekorime e vlerësime të nxënësve më të dalluar si dhe u kënduan ilahi të larmishme në gjuhët shqip, turqisht dhe arabisht.

Medreseja e Shkodrës, që sponsorizohet fuqishëm nga shoqata “Istanbul” është një nga institucionet ku vit pas viti qindra nxënës marrin dije dhe kulturë për të qenë gati në të ardhmen e afërt.

Vlen të përmendim se Medreseja “Haxhi Sheh Shamia” u themelua në dhjetorin e vitit 1991. Ajo u hap si shkollë e bashkuar, 8-vjeçare dhe e mesme e përgjithshme, me profil fetar (islam).

 

 

Medreseja “Haxhi Sheh Shamia” trashëgon traditën e mrekullueshme të medreseve të hershme të Shkodrës dhe mban emrin e një prej personaliteteve më të kompletuara të hoxhallarëve shkodranë.

Haxhi Hasan Alija (Sheh Shamia) ka qenë njeri i ditur, zotërues i disa gjuhëve të huaja, hoxhë, figurë e njohur historike.

Sot, medreseja ofron shërbim arsimor cilësor për ciklin fillor, 9-vjecar dhe të mesëm në tre godina të ndara sipas cikleve, duke ofruar njëkohësisht edhe shërbimin e konviktit dhe transportit.

Procesi edukativ-mësimor zhvillohet në dy komplekse arsimore të standardeve bashkohore si për degën e djemve, ashtu edhe për atë të vajzave, përfshirë edhe shkollën fillore.

Reformat arsimore, që janë zbatuar në medrese të shoqëruara me investimet e realizuara e kanë bërë medresenë një shkollë të standardeve bashkëkohore.

Medreseja sot ka treguesit e saj të cilët e rendisin ndër shkollat me standardet më të mira për një arsim cilësor.

 

 

Medreseja e Shkodrës ka marrë disa herë vlerësime nga pushteti vendor, ai qendror e nga institucione jashtë Shqipërisë.

Presidenti i Shqipërisë para disa viteve  i ka akorduar Medresesë “Haxhi Sheh Shamia”, Shkodër: “Urdhrin Naim Frashëri i Artë” me motivacionin ”Për kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e arsimit kombëtar, për edukimin dhe përgatitjen e nxënësve me dashuri për atdheun dhe besimin islam, të aftë të përballojnë sfidat e kohës, në shërbim të përparimit dhe zhvillimit të shoqërisë”./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne