Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Turqisë dhe Federatës Ruse për veriun e Sirisë: 10 pikat

Në takimin e mbajtur më 22 tetor në Soçi të Rusisë për veriun e Sirisë, Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan dhe Presidenti i Federatës Ruse, Vladimir Putin, ranë dakord për pikat e mëposhtme:

1. Të dyja palët ritheksojnë angazhimin e tyre për ruajtjen e unitetit politik dhe integritetit territorial të Sirisë, si dhe për mbrojtjen e sigurisë kombëtare të Turqisë.

2. Ato potencojnë vendosmërinë e tyre për të luftuar terrorizmin në të gjitha format dhe manifestimet e tij, si dhe për të prishur agjendat separatiste në territorin sirian.

3. Në këtë kornizë, do të ruhet statukuoja e vendosur në zonën aktuale të operacionit “Burimi i Paqes”, i cili përfshin Tell Abyadin dhe Ras al-Aynin me një thellësi prej 32 km.

4. Të dyja palët riafirmojnë rëndësinë e Marrëveshjes së Adanasë. Federata Ruse do të lehtësojë zbatimin e Marrëveshjes së Adanasë në rrethanat aktuale.

5. Duke filluar nga ora 12:00 e mesditës së 23 tetorit 2019, policia ushtarake ruse dhe rojat kufitare siriane do të hyjnë në anën siriane të kufirit turko-sirian, jashtë zonës së operacionit “Burimi i Paqes”, për të lehtësuar tërheqjen e elementeve të YPG-së dhe armët e tyre në një thellësi prej 30 km nga kufiri turko-sirian. Ky veprim duhet të përfundojë brenda 150 orëve. Në atë moment, patrullimet e përbashkëta ruso-turke do të fillojnë në perëndim dhe në lindje të zonës së operacionit “Burimi i Paqes” me një thellësi prej 10 km, përveç qytetit Qamishli.

6. Të gjithë elementët e YPG-së dhe armët e tyre do të largohen nga Menbixhi (Manbij) dhe Tell Rifaati.

7. Të dyja palët do të marrin masat e nevojshme për të parandaluar depërtimin e elementëve terroristë.

8. Do të fillojnë përpjekjet e përbashkëta për të lehtësuar kthimin e refugjatëve në një mënyrë të sigurt dhe vullnetare.

9. Do të krijohet një mekanizëm i përbashkët monitorimi dhe verifikimi për të mbikëqyrur dhe koordinuar zbatimin e këtij memorandumi.

10. Të dyja palët do të vazhdojnë të punojnë për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme politike për konfliktin sirian në kuadër të Mekanizmit të Astanës dhe do të mbështesin veprimtarinë e Komitetit Kushtetues.
/trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne