Mensur Zlatar kujdestari i sahat kullës së Sarajevës

Kujdestari i fundit i Kullës së Sahatit 5 shekullore të kryeqytetit të Bosnjë e Hercegovinës, Sarajevë, Mensur Zlatar, është “bashkëudhëtar” gjysmë shekullor i sahatit (orës), që punon sipas kalendarit hënor.

Mensur për 50 vite është muvakkit (ai që tregon kohët e namazit duke e shikuar diellin) i Kullës së Sahatit, e cila është ndërtuar në shekullin e 16-të, në afërsi të xhamisë së Gazi Hysrev Beut në Bashçarshi (Çarshia kryesore) në Sarajevë.

Kujdestari (Muvakkiti) Mensur i cili ushtron profesionin e argjendarisë dhe orendisë në një dyqan të vogël në rrugën anësore të kullës, me çelësin, të cilin e posedon vetëm ai, të paktën një ditë në javë e hap derën e cila i ngjan derës së kalasë dhe duke hipur nga shkallët e vjetra prej druri, rregullon mekanizmin e orës.

Ai në intervale të rregullta bën edhe mirëmbajtjen e mekanizmit të orës së kullës, e cila ndodhet pranë minares së xhamisë duke treguar një kujdes të veçantë për këtë kujtim të qytetit sikur të ishte “një fëmijë i vogël”.

Mensur si vizitor më i vjetër i rregullt i Bashçarshisë historike, shton një ngjyrë tjetër në këtë objekt historik.

Në Çarshi krijohet një atmosferë më ndryshe kur sahati, të cilin Mensur e rregullon sipas kalendarit hënor, tregon orën 12:00 e në anën tjetër nga minarja dëgjohet zëri i ezanit, meqë nis koha e faljes së namazit të akshamit.

Mensur, i cili me stilin dhe qëndrimin e tij i ngjason një “eksperti” me këtë përvojë, ka ardhur deri në ditët tona duke udhëtuar në kohë. Ai thotë se ka rregulluar dhe ka mirëmbajtur orën edhe gjatë ditëve të luftës në Bosnjë e Hercegovinë (1992-1995) kur Sarajeva ka qenë nën rrethim dhe se ai ka vazhduar ta bëjë këtë punë pa ndërprerje, përveç kohëve kur qyteti i është nënshtruar bombardimeve.

Ai thotë se kjo punë i duket e lehtë sepse e do atë. Mensur thotë se vështirësia e vetme është të hipësh në 76 shkallët e kullës. “Përkujdesem për 50 vite për këtë sahat. Kjo punë kërkon sakrificë dhe ndjeshmëri”, tha ai.

Mensur thotë se sahati në fjalë është i veçantë meqë punon sipas kalendarit hënor. Ai pretendon se sot nuk ka ndonjë sahat tjetër që punon sipas kalendarit hënor.

Sipas tij, sahati i cili punon sipas kalendarit hënor tregon kohët e namazit. Ai thekson se kur sahati në kullë tregon orën 12:00 atëherë kjo nënkupton se dita ka përfunduar dhe se ka ardhur koha e namazit të akshamit.

Kujdestari Mensur tha se sahatin e rregullon një herë në javë për shkak të zgjatjes apo shkurtimit të ditëve. “Unë e rregulloj edhe zilen e orës në mënyrë që ajo të cingërojë gjithmonë saktësisht në ora 12:00, pra në mënyrë që ajo të bie në të njëjtën kohë me perëndimin e diellit”, tregon ai.

Lidhur me atë se kush do të merret me mbikëqyrjen e sahatit pas tij, Mensur thotë se për këtë do të vendosë Fondacioni “Gazi Hysrev Beu” duke shtuar se për momentin është duke dhënë mësim tek një person lidhur me punën e sahatit.

Ai vuri në dukje se personi i cili do të kujdeset për sahatin duhet të qëndrojë në një vend të afërt me kullën.

“Ky person duhet të qëndrojë në një vend ku mund ta shohë gjithmonë kullën dhe mund ta ndjek kohën. Po ashtu në rast nevoje duhet të riparojë pjesët e prishura të mekanizmit të orës”, tha Mensur.

Duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të kësaj tradite, Mensur Zlatar tha se kjo kullë, e cila është pjesë e xhamisë Gazi Hysrev Beu, kohët e namazit që nga fillimi i ka treguar sipas kalendarit hënor dhe se kjo duhet të vazhdojë kështu. (AA)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne