Bota

Merkel apelon për të luftuar botërisht kundër punësimit të të miturve

Gjatë fjalës së rastit në Takimin 108. të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) në Gjenevë, shefja e Berlinit zyrtar tha se ILO-ja lufton prej vitesh për të mundësuar kushte njerëzore pune.

“Ekonomia duhet t’u shërbejë njerëzve”, tha ajo duke shtuar se kjo është shumë e rëndësishme në botën që globalizohet.

Pasi vuri në pah se 12 qershori shënon Ditën Botërore kundër Punësimit të Fëmijëve dhe se ILO-ja po zhvillon një fushatë me sloganin “Fëmijët nuk duhet të punojnë, por të ndjekin ëndrrat e tyre”, Merkel tërhoqi vëmendjen se megjithatë fëmijët po jetojnë një makth.

“Në botë janë 152 milionë fëmijë që detyrohen të punojnë. Gjysma e këtyre janë të moshës nga 5 deri në 11 vjeç. Madje 73 milionë prej tyre bëjnë punë të rrezikshme. Kjo është një situatë katërçipërisht e papranueshme. Ne duhet ta luftojmë këtë të gjithë së bashku”, u shpreh kancelarja gjermane.

Merkel potencoi se me rritjen ekonomike në botë duhet të sigurohet edhe progresi social që përfshin gjithashtu fëmijët.

Por – vijoi ajo – zhvillimet po shkojnë në të kundërtën dhe njerëzit kanë përshtypjen se “globalizimi po krijon shumë të pasur, por njëherësh po thellon edhe pabarazinë sociale”.

Duke vënë gishtin edhe mbi emigracionin e punëtorëve, kryeqeveritarja gjermane tha se parashikimet e ILO-së flasin për 232 milionë njerëz që mërgojnë për të punuar.

Sipas saj, miliona njerëz janë shfrytëzuar dhe vazhdojnë të shfrytëzohen në sektorin e ndërtimit, bujqësisë dhe punët shtëpiake, ku shumica keqtrajtohen dhe jetojnë pothuajse në kushte skllavërie, qenë në gjendje t’i kundërshtojnë ato.

Merkel theksoi po ashtu se gati 700 milionë punonjës jetojnë në varfëri dhe se lufta kundër vështirësive në fjalë duhet të vazhdojë së bashku pa u lodhur në arenën ndërkombëtare./trt

OPINIONE