Merkel bën thirrje për BE më të fuqishme mes rivaliteteve globale

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka bërë thirrje për një Bashkim Evropian (BE) më të fuqishëm për të adresuar sfidat që rrjedhin nga konkurrenca në rritje midis fuqive botërore, SHBA-ve, Kinës dhe Rusisë.

Duke hapur një debat mbi buxhetin vjetor në Dhomën e Ulët të Parlamentit, në Bundestag, Merkel pranoi se dalja e Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja ka potencialin ta bëjë bllokun më të dobët në një kohë kur blloku duhej të luajë një rol më të fortë.

“Pas largimit të Britanisë së Madhe, ne do të kishim një konkurrencë ekonomike në derën tonë, megjithëse duam t’i mbajmë të ngushta lidhjet ekonomike, bashkëpunimin e jashtëm dhe atë në siguri, megjithëse duam t’i vazhdojmë marrëdhëniet tona miqësore”, deklaroi Merkel.

Ajo u bëri thirrje vendeve anëtare të BE-së që muajt e ardhshëm të ndërmarrin hapat e nevojshëm për ta bërë bllokun një aktor të fuqishëm global i cili do të mbronte multilateralizmin.

“Dje, prezantimi i Ursula von der Leyen i Komisionit të ri Evropian tregon pikërisht këtë”, tha Merkel, duke folur për prezantimin e aleates së saj të ngushtë e cila është zgjedhur presidente e Komisionit Evropian dhe do të marrë përsipër detyrën në nëntor.

Kancelarja gjermane i referohej von der Leyen-it, duke zbuluar një ekip të ri që përfshinte emërimin e djeshëm të 26 komisionerëve. Emërimet presin konfirmimin nga Parlamenti Evropian.

“Besoj se ky është një fillim i mbarë për të pasur një Komision të orientuar global, i cili dëshiron të përforcojë rolin e Evropës në botë dhe i cili dëshiron të adresojë çështje të rëndësishme”, tha kancelarja Merkel./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne