Merkel: Krimet e NSU-së, “një njollë shumë e errët në historinë e Gjermanisë”

Kancelarja gjermane, Angela Merkal, deklaroi të premten se krimet e organizatës terroriste neonaziste, Ilegaliteti Nacionalsocialist (NSU), janë “një njollë shumë e errët në historinë e Gjermanisë”.

Gjatë brifingut trandicional veror të Zyrës Federale për Shtyp, Angela Merkel u pyet se cili ishte mendimi i saj në lidhje me çështjen gjyqësore të NSU-së, dosje tashmë e mbyllur nga Gjykata e Lartë e Mynihut.

“Dënimet e nevojshme janë shqiptuar, por kjo nuk do të përfundojë këtu”, tha ajo mes kritikash të ashpra nga familjet e viktimave të terrorit të ekstremit të djathtë.

“Si mund të ndodhin akte të tilla të tmerrshme, të komplikuara e të mos zbulohen në kohë nga autoritetet përkatëse dhe të mos mund të zgjidhjen për një kohë të gjatë. Pa dyshim, kjo është një njollë shumë e errët në historinë e Gjermanisë. Nuk mund të mbyllet thjesht si kapitull”, u shpreh Merkel.

Mes viteve 2000 dhe 2007, NSU-ja ka vrarë 8 emigrantë turq, një shtetas grek dhe një polic gjerman, por vrasjet mbetën të pazgjidhura për një kohë të gjatë.

Pas një gjykimi pesëvjeçar, një gjykatë e Mynihut shqiptoi javën e kaluar dënimin me burgim të përjetshëm për të vetmen anëtare të mbijetuar të grupit terrorist, Beate Zschape, si dhe u dha dënime të lehta 4 të dyshuarve të tjerë, të cilët kanë dhënë mbështetje për Ilegalitetin Nacionalsocialist, por familjet e viktimave shprehën pakënaqësi në lidhje me vendimin dhe thanë se gjykimi ka lënë shumë pyetje kyçe pa përgjigje.

Familjet po ashtu kritikuan ashpër Kancelaren Merkel për thyerje të premtimit që ajo bëri katër vite më parë për të zbuluar të gjitha faktet rreth krimeve të NSU-së.

Gjatë gjykimit pesëvjeçar, Zschape nuk pranoi të jepte ndonjë informacion mbi NSU-në dhe u përpoq të fajësonte dy kolegët e saj të vdekur.

Deri në vitin 2011, policia dhe shërbimet e inteligjencës gjermane hodhën poshtë çdo motiv racor për vrasjet dhe si të dyshuar u trajtuan familjet emigrante, të cilat merreshin në pyetje me dyshime të kota për lidhje me grupet mafioze dhe trafikantët e drogës.

Ndërkohë që zbulimet e fundit kanë treguar se agjencia e inteligjencës së brendshme të Gjermanisë kishte dhjetëra informatorë, të cilët kishin kontakte me të dyshuarit e NSU-së, zyrtarët këmbëngulin se nuk kishin informacione paraprake rreth celulës terroriste të NSU-së dhe rolit të dyshuar të saj në vrasje.

Autoritetet e shtetit federal qendror gjerman të Hesenit kanë vendosur së fundmi që të mbajnë sekrete për 120 vite disa dokumente duke nxitur kështu spekulime të mëtejshme rreth lidhjeve të mundshme të NSU-së./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne