Merrnin 50 deri në 100 mijë lekë nga qytetarë që donin të bënin tamponin për COVID-19, Policia zbardh skemën e 14 mjekëve

Policia e Tiranës ka zbuluar se mes 14 mjekëve të vënë në hetim, dy prej të cilëve janë arrestuar e të tjerët janë lënë në arrest shtëpie, kishte dhe prej tyre që merrnin rryshfet 50 mijë deri në 100 mijë lekë të vjetra e ndërmjetësonin për qytetarët që donin të bënin tamponin për Covid-19.

Nga hetimet katër mujore ka rezultuar se janë implikuar në disa episode korruptive si: marrje e vlerave monetare që varionin nga 5.000 deri 10.000 lekë të reja, në këmbim të mosndëshkimit me masë administrative të subjekteve të cilët ishin konstatuar me shkelje të kushteve higjieno-sanitare; sigurim i librezave shëndetësore të lëshuara mënyrë fiktive, për shtetas të cilët nuk u janë nënshtruar vizitave mjekësore, duke përfituar shumën 2.000 lekë të reja për çdo librezë; ndërmjetësim me qytetarë të ndryshëm për të bërë tamponin për COVID-19, kundrejt shumave monetare nga 5.000 deri 10.000 lekë të reja; marrje e shumave monetare subjekteve të ndryshme tregtare që të mos i ndëshkonin me masa administrative kur konstatoheshin me shkelje.

NJOFTIMI I PLOTE

Finalizohet operacioni policor i koduar “Librezat”.

Goditet një rast i organizuar i korrupsionit, falsifikimit të dokumenteve dhe shpërdorimit të detyrës.

Ekzekutohen 14 masa sigurimi të lëshuara nga Gjykata e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë.

Sekuestrohen shuma parash, certifikata e libreza të falsifikuara.

Seksioni për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, nën koordinimin e Departamentit të Policisë Kriminale dhe nën drejtimin e Prokurorisë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, pas një pune intensive hetimore 4-mujore, finalizoi me sukses operacionin policor “Librezat”.

Në kuadër të këtij operacioni u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, e cila, bazuar në provat e grumbulluara në kuadër të procedimit të regjistruar në SPAK, 4 muaj më parë, nga Seksioni për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, ka caktuar masë sigurimi ndaj 14 personave nën hetim, konkretisht:

Masën “Arrest në burg“ ndaj 2 shtetasve:

Niko Nika, 65 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë mjek tek Instituti i Higjienës Tiranë, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” më shumë se njëherë, kryer në bashkëpunim, “Ushtrim ndikimi i paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” kryer më shumë se një herë dhe “Falsifikimi i dokumenteve”;

Hazis Lura, 52 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë mjek tek Instituti i Higjienës Tiranë, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” më shumë se njëherë, kryer në bashkëpunim dhe “Falsifikimi i dokumenteve”;

Masën “Arrest në shtëpi” ndaj 9 shtetasve:

Eda Myftari, 29 vjeçe, banuese në Tiranë, me detyrë mjeke tek Instituti i Higjienës Tiranë, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” më shumë se njëherë, kryer në bashkëpunim dhe “Ushtrim ndikimi i paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”;

Ihsan Hasani, 67 vjeç, banues në Tiranë, ish-mjek tek Poliklinika Shëndetësore Nr. 1 Tiranë, për veprën penale “Ushtrim ndikimi i paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”;

Franc Daija, 65 vjeç, banues në Tiranë, ish-mjek te Poliklinika Shëndetësore Nr. 1 Tiranë, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” kryer më shumë se njëherë dhe në bashkëpunim dhe “Falsifikimi i dokumenteve shëndetësore”;

Ilir Hoxha, 50 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë mjek tek Poliklinika Shëndetësore Nr. 6 Tiranë, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Falsifikimi i dokumenteve shëndetësore”;

O. B., 34 vjeçe, banuese në Tiranë, J. S., 29 vjeçe, banuese në Tiranë dhe A. M., 32 vjeçe, banuese në Tiranë, me detyrë mjeke tek Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”;

Arjan Gjoka., 57 vjeç, banues në Tiranë dhe E. B., 30 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë mjekë tek Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, për veprën penale “Shpërdorim detyre”;

Masën “Pezullim të ushtrimit të detyrës apo shërbimit publik” ndaj 3 shtetaseve:

Luiza Metani, 48 vjeçe, banuese në Tiranë, me detyrë mjeke tek Poliklinika Shëndetësore Nr. 6 Tiranë, Diana Hysi., 51 vjeçe, banuese në Tiranë, me detyrë mjeke tek Poliklinika Shëndetësore Nr. 1 Tiranë dhe Marinela. Sulmina., 42 vjeçe, banuese në Tiranë, me detyrë mjeke tek Poliklinika Shëndetësore Nr. 4 Tiranë, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve shëndetësore”;

HETIMET

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se personat nën hetim janë implikuar në disa episode korruptive si: marrje e vlerave monetare që varionin nga 5.000 deri 10.000 lekë të reja, në këmbim të mosndëshkimit me masë administrative të subjekteve të cilët ishin konstatuar me shkelje të kushteve higjieno-sanitare; sigurim i librezave shëndetësore të lëshuara mënyrë fiktive, për shtetas të cilët nuk u janë nënshtruar vizitave mjekësore, duke përfituar shumën 2.000 lekë të reja për çdo librezë; ndërmjetësim me qytetarë të ndryshëm për të bërë tamponin për COVID-19, kundrejt shumave monetare nga 5.000 deri 10.000 lekë të reja; marrje e shumave monetare subjekteve të ndryshme tregtare që të mos i ndëshkonin me masa administrative kur konstatoheshin me shkelje.

Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar: 1.500.000 lekë të reja dhe 2500 euro të gjetura në banesën e personit nën hetim N. N.; 35 libreza shëndetësore të gjetura në disa subjekte tregtare private në qytetin e Tiranës; certifikata dezinfektimi dhe dokumente të ndryshme mjekësore që janë lëshuar në mënyrë fiktive nga punonjësit e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor dhe Instituti i Higjienës Tiranë; 14 aparate celulari të markave të ndryshme dhe një pajisje elektronike tablet.

Vijon puna për dokumentimin ligjor të plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari korruptive.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, për veprime të mëtejshme./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne