Mësime që duhet të ishin nxjerrë nga shkatërrimi i Libisë prej NATO-s

nga Brian Cloughley.

Samiti i nivelit të lartë i Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior, aleancës ushtarake që po e zgjeron praninë e trupave, avionëve bombardues dhe anijeve të saj luftarake përgjatë kufijve të Rusisë, u zhvillua në datat 11 dhe 12 korrik. Takimi ishte thjesht një farsë, ndërsa Trumpi u soll si zakonisht duke fyer individët dhe kombet me një vulgaritet karakteristik.

Para takimit të madh, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha në një fjalim në 21 qershor se “NATO e ka transformuar tërësisht praninë e saj në Afganistan nga një operacion i madh luftarak me më shumë se 100,000 trupa, në një reduktim tani në 16,000 trupa të cilët zhvillojnë stërvitje, ndihmojnë dhe këshillojnë”. Por ai u mendua pak kur u pyet nëse NATO kishte nxjerrë ndonjë mësim që mund ta bënte të mendonte për ndërhyrjet në të ardhmen. Për t’i dhënë reston, Stoltenberg u përgjigj se mendonte se “një nga mësimet që kemi mësuar nga Iraku, Afganistani dhe nga Libia, është se ndërhyrja ushtarake nuk është gjithmonë zgjidhja e të gjitha problemeve”.

Ai ka absolutisht të drejtë në lidhje me këtë, sepse ndërhyrjet ushtarake SHBA-NATO në Irak, Afganistan dhe Libi kanë qenë katastrofike.

Është intriguese që sekretari i përgjithshëm i NATO-s me në fund pranon se muskujt ushtarakë nuk e zgjidhin çdo problem, por ai nuk u zgjerua me tej në temën e Libisë, vend që u shkatërrua nga ndërhyrja ushtarake SHBA-NATO në vitin 2011. Eshtë interesante që të reflektosh mbi atë shpartallim te vendit të kryer nga NATO, sepse ai veprim çoi në zgjerimin e grupit terrorist të Shtetit Islamik, solli një luftë civile të tejzgjatur, shkaktoi një numër të madh vdekjesh dhe vuajtjesh dhe prodhoi refugjatë të dëshpëruar që përpiqeshin të iknin nga Libia drejt gjithë Mesdheut.

Në fund të fushatës shtatë-mujore të Perëndimit në Libi, udhëheqësi i saj, Muamar Kadafi u vra nga bandat e mbështetura nga SHBA-NATO, gjë që e bëri sekretaren amerikane të Shtetit Hillary Clintonin të qeshte nën hundë dhe të thoshte, “ne erdhëm; pamë; ai vdiq”, fjalë të thëna në një intervistë për CBS. Një tregues i mirë se si Perëndimi paqedashës solli shkatërrimin e një vendi, presidenti i të cilit kishte pasur shumë mangësi, por gabimi kryesor i të cilit ishte se kishte kërcënuar me nacionalizimin e burimeve të naftës të vendit të tij, të cilat ishin në duart e oligarkëve amerikanë dhe evropianë.

Kadafi ishte një despot që i përndiqte armiqtë e tij egërsisht, sikurse bënte edhe i përkrahuri i Perendimit, diktatori Hosni Mubarak në Egjiptin fqinj. Por jeta për shumicën e libianëve ishte e rehatshme dhe BBC e kishte pranuar se “forma e veçantë e socializmit të Kadafit ofronte arsim, kujdes shëndetësor dhe strehim falas si dhe transport te subvencionuar, ndonëse pagat ishin jashtëzakonisht të ulëta dhe pasuria e shtetit dhe fitimet nga investimet e huaja përfitoheshin vetëm nga një elitë e ngushtë. Libri botëror i CIA-s thekson se Libia e Kadafit në vitin 2010 kishte një nivel arsimor prej 82.6% (shumë më mirë se Egjipti, India dhe Arabia Saudite) dhe një jetëgjatësi prej 77.47 vjetësh, më e lartë se 160 vende nga 215 vende të vlerësuara. Por Perëndimi kishte ndërmend qe ta hiqte qafe Gadafin dhe arriti të gënjejë duke sajuar një rezolutë në OKB që i hapte rrugën luftës. (Gjermania, nën udhëheqjen e mençur të Angela Merkelit, nuk pranoi të ngaterrohej me panairin e bombardimeve i cili kishte kohë që ishte planifikuar.)

Kadafi u vra më 20 tetor 2011, në rrethana tepër të neveritshme, ndërsa dhjetë ditë më vonë aleanca SHBA-NATO i përfundoi sulmet blitz. Gazeta angleze the Guardian njoftoi se operacioni kishte treguar “një kombinim unik të fuqisë ushtarake që mund të ishte një model edhe për luftërat e ardhshme”, ndërsa sekretari i përgjithshëm Anders Fogh Rasmusen shpalli fundin e “një kapitulli të suksesshëm të historisë se NATO-s.

“Kapitulli i suksesshëm” përfshiu 9,600 sulme ajrore ku midis shkatërrimeve të shkaktuara nga bombardimet “u goditën edhe rrjetet e furnizimit me ujë të Libisë si dhe një fabrikë tubash që prodhonte tuba për projektin Manmade, një sistem ujitës që synonte transportimin e ujit nëpër shkretëtirën jugore të Libisë nga ku do të përfitonin rreth 70% e popullsisë. Siç raportoi Christian Science Monitor në vitin 2010, projekti ManMade, i cili ishte përgjigjja ambicioze e Muamar Kadafit për problemet e ujitjes në vend, projekti do të furnizonte me ujë sipërfaqe të mëdha tokash në shkretëtirën e Libisë. Rrjeti i gjatë i tubacionit prej 2,333 miljesh do ta transportonte ujin nga katër ujëmbledhësat e mëdhenj nëntokësorë të Libisë jugore për në zonat veriore të popullsisë. Ky projekt i madh do tu lejonte fermerëve që të përdornin ujin e sigurur për tokat e tyre. Por sot fermerët libianë nuk munden më që ti vadisin tokat e tyre duke u përballur edhe me një mungesë kritike të ujit.

Një vëzhgim i kohëve të fundit tregon se “kriza e ujit është një simbol i fortë i dështimit të shtetit, të një vendi që dikur ishte një nga më të pasurit e Lindjes së Mesme, por që sot është zaptuar nga trazirat që prej kryengritjes së vitit 2011 kundër Muamar Gadafit. Për Libianët, kaosi ka nënkuptuar ndërprerje të energjisë elektrike dhe mungesa të mëdha parash. Situata shpesh bëhet më keq nga konfrontimet mes grupeve të armatosura që luftojnë për kontrollin e shtetit të pasur me naftë që tashmë është i copëtuar në pjesë dhe që ka një infrastrukturë fare të shkatërruar. “Faleminderit, SHBA-NATO, për çlirimin që i sollët Libisë.

Dy figura të shquara të përfshira në luftën SHBA-NATO në Libi ishin Ivo Daalder, përfaqësuesi i SHBA-së në këshillin e NATO-s 2009-2013 dhe admirali James G (‘Zorba’) Stavridis, komandanti suprem amrikan i Aleancës në Evropë (komandanti ushtarak i NATO-s). Ndërsa lufta e tyre përfundoi në 31 tetor 2011, këta dy tipa publikuan në New York Times pretendimin absurd se, “ndërsa operacionit të mbrojtjes i erdhi fundi, aleanca dhe partnerët e saj mund të shohin një punë të jashtëzakonshme, të kryer për së mbari. Mbi të gjitha, ata mund të shohin mirënjohjen e popullit libian, ku si rezultat i një përdorimi të kufizuar të forcës i zbatuar me saktësi, kemi pozitivitet dhe ndryshime reale të politikës.”

E pra, nuk ka dyshim që “forca e kufizuar”, nëse i llogarisni 9,600 sulmet ajrore “të kufizuara”, mund të prodhojë ndryshime politike, por çështja qëndron se ku mund të shihet “pozitiviteti” në gjithë këtë rezultat? Rasmussen e vuri këmbën e tij në 31 tetor në Tripoli dhe njoftoi se “është mirë të jesh në Libi, në një Libi të lirë. Ne u hodhëm në aksion vetëm për t’ju mbrojtur ju. Së bashku ja arritëm. Libia, më në fund është e lirë.”

Mediat kryesore perëndimore, të cilat ishin shumë mbështetëse për luftën, nuk i kanë kërkuar ekipit të Rasmussenit, Stavridisit dhe Daalderit se si ndjehen sot për katastrofën aktuale në Libi, vend për të cilin ata bënë shumë. Sot ka shumë pak raportime nëpër gazetat apo televizorët perëndimorë mbi situatën e rënduar (kërko për shembull New York Times dhe Washington Post). Vetëm organizata të tilla si Human Rights Watch po e mbajnë botën të informuar për atë që po ndodh në realitet. Raporti i saj i vitit 2018 thotë se “ndasitë politike dhe sulmet e armatosura kanë pllakosur në Libi, ndërsa dy qeveritë e vendit të etura për pushtet vashdojnë të konkurojnë njëra-tjetrën. Grupet e armatosura anembanë vendit, disa prej tyre të lidhur me njërën apo me tjetrën nga qeveritë konkurrente, ekzekutojnë pa gjyq, sulmojnë civilë dhe prona private, rrëmbejnë dhe zhdukin si dhe kryejnë rrethime të shpeshta të qyteteve lindore të Dernas dhe Bengazit.”

Faleminderit SHBA-NATO, dhe sidomos faleminderit ju Presidenti Obama, zotërinjtë Rasmussen, Stavridis dhe Daalder. Faleminderit të gjithë pilotëve të guximshëm që sajonim ato zhurmat e mrekullueshme blitz si dhe të gjithë shtypësve të butonave të anijeve të SHBA-së dhe marinës angleze, raketat Tomahawk të të cilave hidhnin në erë qytetet. Vendi që ju e rrënuat do të kërkojë dekada për t’u ringritur nga përdorimi i asaj që ju e quajtët “forca e kufizuar”, ndërsa vuajtjet njerëzore që shkaktuat janë të pallogaritshme.

Megjithëse me vonesë, Jens Stoltenbergu i NATO-s duket se e ka kuptuar mësimin se forca ushtarake nuk i zgjidh ato që NATO i konsideron si probleme. Kjo është për t’u përgëzuar dhe çfarë do të ishte akoma më shumë për tu përgëzuar do të ishte të kuptuarit se provokimi dhe kërcënimi me anë të forcës nuk funksionojnë, dhe për këtë arsye do të ishte mençuri të qëndrohej jashtë luftërave dhe të zvogelohej prania e forcave ushtarake e SHBA-NATO-s përgjatë kufijve të Rusisë. /counterpunch/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne