Opinion

Mësimet e hidhura të 80-vjetorit të fillimit të Luftës së Dytë Botërore

Aleksandër Karpushin

Këto ditë bota do të përkujtojë një datë të zymtë: plot 80 vjet më parë, më 1 shtator 1939, trupat gjermane kaluan kufirin polak duke filluar kështu Luftën e Dytë Botërore, e cila mori dhjetëra miliona jetë.

Lidhur me këtë përvjetor, ndonjëherë në Perëndim dëgjohen fjalë të tilla, si: jo vetëm Gjermania naziste mban përgjegjësi për fillimin e kësaj lufte, por edhe BRSS. Kjo, pasi, sipas tyre, pakti “Molotov-Ribbentrop” i dha një dritë jeshile Hitlerit. Sidoqoftë, komentues të tillë nuk di pse harrojnë plotësisht atë fakt që çoi në nënshkrimin e paktit sovjeto-gjerman të vitit 1939. Para nënshkrimit të këtij pakti, ekzistonte komploti i Mynihut, nëpërmjet të cilit në shtator të vitit 1938 Anglia dhe Franca i lejuan Hitlerit të copëtonte Krahinën e Sudetëve në Çekosllovaki, kurse Polonia nuk i lejoi Bashkimit Sovjetik të ndihmonte Pragën, duke mbyllur territorin e saj për aviacionin dhe kontingjentin ushtarak. Dhe tashmë në mesin e marsit 1939, Gjermania naziste, përsëri pa hasur rezistencë nga ana e fuqive perëndimore, pushtoi tërë territorin e Çekisë, duke krijuar një shtet kukull në Sllovaki. Në atë kohë Moska ishte e vetmja nga të gjitha fuqitë e mëdha evropiane, që nuk i njollosi duart duke mos nënshkruar asnjë traktat me Hitlerin.

Por çfarë mund të bëhej më tej? Ishte e nevojshme të mbroheshin interesat kombëtare e shtetërore, duhej ndaluar lëvizja e mëtejshme e agresionit të Hitlerit në drejtim lindor. Moska e dinte që viktima e radhës e Hitlerit do të ishte Polonia e më pas vendet e Balltikut. Dhe kjo do të nënkuptonte daljen e trupave gjermane në kufijtë sovjetikë, madje drejtpërdrejt në afërsi të Leningradit, Minskut, Kievit, Odesës, qendrave më të rëndësishme politike, industriale dhe kulturore të BRSS. Atëherë Moska bëri të gjitha përpjekjet për të krijuar një koalicion kundër agresorit, por nuk gjeti mirëkuptimin e Londrës dhe Parisit. Të gjitha dokumentet arkivore të hapura tregojnë se Moska ka marrë përgjigje zyrtare banale nga Parisi dhe Londra. Ne mbanin me shpresa, shpiknin arsye joserioze për anulimin e vizitave të delegacioneve dhe zhvillimin e bisedimeve. Zvarritja e mëtejshme ishte e rrezikshme për Bashkimin Sovjetik, i cili nuk ishte ende gati për luftë.

Pakti sovjeto-gjerman i vitit 1939 ishte një përgjigje ndaj komplotit të Mynihut. Nëse nuk do të kishte qenë komploti i Mynihut, nuk do të kishte pasur as traktat mossulmi sovjeto-gjerman.

Ndonjëherë BRSS është qortuar për faktin se, pas marrëveshjes më 23 gusht 1939, ai u bë një “aleat” i Gjermanisë. Zakonisht i referohen fushatës së ashtuquajtur çlirimtare të Ushtrisë së Kuqe më 17 shtator dhe emrit të marrëveshjes së 28 shtatorit 1939 “Për miqësinë dhe kufirin”.

Megjithatë, asnjë “aleancë” midis dy vendeve nuk u krijua si rezultat i marrëveshjeve të nënshkruara në muajt gusht-shtator. Me shtyrjen e kufijve të tij në perëndim, BRSS zhvendosi frontin e një lufte të ardhshme, duke e larguar atë nga qendrat jetësore në largësinë 300 kilometra ose më shumë. Kështu, BRSS kufizoi orekset e Gjermanisë në lidhje me përparimin e saj në lindje.

Karakteri antigjerman që mbartnin veprimet sovjetike të 17 shtatorit ishte i qartë edhe për Çurçillin, për shembull. Duke folur në radio në 1 tetor 1939, ai deklaroi: “Fakti që ushtritë ruse duhej të qëndronin në këtë linjë ishte absolutisht e nevojshme për sigurinë e Rusisë kundër kërcënimit nazist. Sidoqoftë, kjo linjë ekziston dhe është krijuar Fronti Lindor, të cilin Gjermania naziste nuk guxon ta sulmojë”. Në këtë kuptim, gjithçka që ndodhi midis BRSS dhe Gjermanisë ishte vetëm një armëpushim i përkohshëm përpara një beteje vendimtare. Njerëzit më inteligjentë dhe largpamës në Perëndim e kanë kuptuar këtë që atëherë.

Shtimi i fjalës “miqësi” në titullin e traktatit për kufirin të nënshkruar më 28 shtator duket si një gabim i Stalinit dhe kabinetit të tij. Ka të ngjarë që ky hap retorik ishte i nevojshëm për t’i demonstruar Berlinit gatishmërinë e BRSS për t’iu përmbajtur marrëveshjeve dhe si rezultat përfundimtar, të shtyhej, për aq kohë sa të ishte e mundur, “kthesa e Hitlerit në lindje”. Në realitet ishte e qartë se nuk bëhej fjalë për asnjë miqësi.

Pas nënshkrimit të paktit ‘Molotov-Ribbentrop’, Bashkimi Sovjetik mbeti një shtet neutral dhe vazhdoi të ishte i tillë deri në 22 qershor 1941, deri në agresionin e drejtpërdrejtë kundër vendit tonë nga Rajhu i Tretë. Neutraliteti i BRSS, të cilin ky i fundit e shpalli zyrtarisht më 17 shtator, u njoh nga Britania e Madhe, Franca dhe SHBA-të. Kur BRSS futi trupat në Poloni, as Franca, as Britania e Madhe, madje as vetë Polonia nuk e cilësuan këtë si një akt lufte.

Fatkeqësisht, tani në disa vende të Evropës pretendohet se çlirimi i saj nga nazizmi në vitet 1944– 1945 ishte një okupim i ri, por tashmë komunist.

Në lidhje me këtë, mund të shtrohet vetëm një pyetje: çfarë do të ndodhte me vende të tilla si Polonia, Jugosllavia, Çekosllovakia të pushtuara në vitet 1939-1941, po me vendet që binin plotësisht nën varësinë e plotë të Hitlerit, nëse në to nuk do të kishte ardhur ushtari çlirimtar sovjetik? Edhe për sa kohë do të vazhdonte atje gjenocidi i popullsisë vendëse, do të vriteshin njerëz paqësorë: fëmijë, pleq, gra? Dhe, a do të ishte e mundur, qoftë edhe në parim, biseda për vlerat evropiane, nëse përafërsisht miliona ushtarë sovjetikë nuk do të jepnin jetën e tyre në luftë kundër murtajës naziste?

Po, ne jemi të gatshëm t’i rezistojmë çdo agresori në mënyrë po aq të vendosur, po aq fort sa edhe paraardhësit tanë. Por rusët nuk duan luftë, nuk duan një përsëritje të tmerreve dhe vuajtjeve. Misioni historik i popullit tonë është ruajtja e paqes. Paqes që ne po përpiqemi ta shpëtojmë. Dhe për këtë arsye ne i zgjasim duart tona kujtdo që dëshiron të jetë një partner i mirë. Kolegët perëndimorë kanë kohë që kanë marrë propozimet tona, të cilat hapin rrugë realiste për kapërcimin e konfrontimeve dhe krijimin e një pengese të fortë për të gjithë ata që lejojnë mundësinë e një lufte bërthamore. Ai që ka veshë, le të dëgjojë./gsh.al

*Ambasador i Rusisë në Shqipëri

OPINIONE